Tropoja e izoluar, 30 ura shemben nga përmbytjet

Reshjet e fundit kanë shkaktuar probleme të mëdha në Bashkinë e Tropojës. Mbi 30 ura janë shembur nga vërshimi i përrenjve malorë, ndërsa rrugët rurale në një gjatësi 110 km kanë pësuar dëme nga shembjet dhe materialet inerte. Janë dëmtuar 20 shtëpi banimi, nga të cilat 10 janë të pabanueshme. Probleme ka pasur dhe në lagjen “Partizani” në Tropojë, ku ka pasur dhe mungesë të shpeshtë të energjisë elektrike. “Na ka bërë shumë dëme, ka zënë rrugën e fshatit. Nxënësit janë pa mësim. Kanë rënë njerëzit me kuaj të marrin miell, të marrin bukën dhe nuk kanë pasur nga dalin. Janë fryrë lumenjtë, përrejtë, na kanë marrë shtyllat. Më ka marrë lumi shtyllën elektrike, jemi në errësirë prej një jave. Rruga është prishur, jemi të izoluar”, u shpreh një banor.
Ndërkohë në Kukës, pas shqetësimit të vazhdueshëm të ngritur nga banorët, Bashkia ka nisur furnizimin me dru për ngrohje në institucionet arsimore. Sipas Sekretarit të Përgjithshëm në bashki, janë marrë masa që gjatë dimrit të mos mungojë ngrohja në çerdhe, kopshte dhe shkolla. Kukësi njihet për temperaturat e ulëta gjatë stinës së dimrit dhe mungesa e ngrohjes në institucionet arsimore e bën të pamundur frekuentimin e tyre.
Ndërkohë në ditët në vijim do të ketë sërish zbritje temperaturash. Zonat veriore dhe qendrore do të dominohen nga alternime kthjellimesh dhe vranësirash të dendura, ndërsa me vranësira dhe shira të dobët do të paraqitet moti në zonat jugore, në juglindje të vendit do të ketë reshje të pakta dëbore. Pjesa e dytë e ditës do të mbetet në ndikimin e motit të ftohtë në të gjithë vendin, ku më të ulta temperaturat do të jenë në zonat verilindore dhe juglindore të vendit. Parashikohet që të njëjtat kushte atmosferike të na shoqërojnë edhe gjatë natës. Temperaturat e ajrit do të jenë relativisht të ulëta në të dy vlerat ekstremale të ditës.

Dëmtohet diga, rrezik përmbytje në dy fshatra

Fshatrat Zhejë dhe Gjormë në Kurbin rrezikojnë përmbytjen nga rezervuari që ndodhet në këtë zonë. Reshjet e shiut të ditëve të fundit kanë bërë që niveli i ujit në këtë rezervuar të arrijë në piken kritike, ndërkohë që shkarkuesit e ujit kanë dalë jashtë funksioni për shkak të amortizimit të tyre. Prurjet e shumta të ujit kanë sjellë dëmtim të diges në disa vende, duke vënë në rrezik çarjen e saj. Kjo situatë e krijuar ka vënë në alarm banoret e zones, të cilët kërkojnë që të ndërhyhet në mënyrë të menjëhershme, pasi e gjithë zona është e kërcënuar nga ky rezervuar.
Diga e këtij ujëmbledhësi ka krijuar rreshqitje në disa vende vende nga rritje e nivelit të ujit. Në bazë të rregullores, shkarkuesit duhet të qëndrojnë hapur gjatë periudhes së reshjeve, por ato janë të mbyllura, pasi kanë dalë jashtë funksioni.

Shkrumbohet banesa, familja në qiell të hapur

Shkrumbohet nga flakët një banesë në fshatin Mzi të Fushë Arrëzit, dhe si pasojë 10 anëtarë të familjes Sokoli kanë mbetur në qiell të hapur. Ngjarja u shënua rreth orës 2 të mëngjesit të djeshëm. Kryefamiljari Prendush Sokoli bën me dije se, fillimisht u dëgjua një kërcitje e telave të energjisë elektrike në banesë, çka u pasua nga flakët.
Familjarët arritën të dalin në kohë nga banesa, e cila u dogj totalisht si pasojë e zjarrit. Paraprakisht dyshohet se si shkak i zjarrit të ketë qenë një shkëndijë elektrike. Situata është e vështirë tashmë për 10 anëtarët e familjes së varfër, të cilëve u duhet të jetojnë në qiell të hapur, me temperaturat që arrijnë në -4 gradë celsius.

Artikulli paraprakMbi 500 të sëmurë mendorë në burgje
Artikulli tjetërQytetarët revoltohen me policët e Veliajt, “Shtet plehrash, zagarë”