SHKRIMTARI

Nga Agron Tufa

Kisha ndjesinë se personazhet më katilë të veprave të mia kanë braktisur fletët dhe janë lëshuar në veprim. I kisha përpara. Skifterë që lëshoheshin me shkopinj mbi një vargan zhelanësh të zhytyr deri në brez në llucën e Kënetës. Skllevër të cilës epoke janë vallë këta? Qesh ulur mbi dengun e plaçkave të mia, aty ku na kishte shkarkuar autoburgu.
– Nga je ti, more? – pyeti me arrogancë një skifter, duke vringëllirë shkopin në ajër, ndërkohë që më goditi më kambale në kërcinj.
– Nga burgu i Tiranës, – thashë tek ngrihesha.
– Ç’je?
– I burgosur.
– Këtë e di, po ç’punë ke bërë? – ulëriu ai.
– Shkrimtar, – thashë i qetë.
– Shkrimtar?! – pyeti i habitur duke kruar kokën dhe shpërvjelë buzën e poshtme.
– Ç’punë ke bërë ti, si shkrimtar?
– Kam shkruar libra, – thashë.
– Gënjeshtar! Ulëriu, i bërë kuq, si lafshë këndezi. – Mashtrues! – gjëmoi dhe filloi të më gjuajë me tërbim. – Na shkruaka libra syfeti yt! Libra vetëm Lenini ka shkruar!
Qesha nën buzë. Me pahir. Kjo e tërboi skifterin me shkop dhe më goditi. Ma mpiu supin, por nuk u shmanga. E pashë në sy. Qëlloi dhe njëherë. Kur po ikte, tha:
– Prit deri nesër… Ta tregoj unë si shkruhen librat!
Ktheu shpinën, por diçka s’e linte të qetë, ngase u kthye dhe pyeti:
– Si të quajnë ty, maskara?
– Mitrush. Mitrush Kuteli.
– Hëm. Dëgjo këtu ti Mirush. Vare vëth në vesh: sa të jem unë këtu, s’do të ta ndaj pendrekun mbas qafe! U bëre ti, birbo, Lenin!

Artikulli paraprakDepresioni, alarm për gratë! Tre tentativa për t’i dhënë fund jetës ditët e fundit, mjekët: Nuk pranojnë…
Artikulli tjetërZbrazja e Shqipërisë, “amnistia“ Bardhi dhe liria e shtypit