Mbi 500 të sëmurë mendorë në burgje

Janë rreth 500 persona të sëmurë mendorë që vuajnë dënimet në burgjet e Shqipërisë për krimet e kryera. 189 kanë qenë të tillë që në momentin kur janë dënuar nga Gjykata, ndërsa rreth 300 të tjerë janë çmendur në burg. Shifrat alarmante vijnë nga ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, i cili njoftoi mbylljen e Burgut të Zaharisë në Krujë, ku janë akomoduar rreth 120 të burgosur me probleme mendore, por në kushte të mjerueshme. “Nuk kemi trajtim të specializuar mendor në burgje. 189 janë dënuar nga Gjykata me detyrim për t’u mjekuar, nuk duheshin vendosur në burgje. Nuk na vijnë mjekë të specializuar për të sëmurët mendorë në burgje. Eshtë përgjegjësi e drejtuesve të burgjeve të krijojnë mjedis njerëzor”, deklaroi Manjani.
Rreth 120 persona, për të cilët Gjykata ka vendosur masën shtrim në Spitalin Psikiatrik dhe shtrim i detyruar, qëndrojnë në Zahari, i cili ngjason më shumë si një “kamp përqendrimi” sesa një spital psikiatrik ligjor. Të sëmurët mendorë në burgje nuk marrin trajtimin e specializuar mjekësor.
Madje, vështirësi ka dhe në gjetjen e mjekëve që pranojnë të punojnë me këta të burgosur. Prandaj, Ministria e Drejtësisë e ajo e Shëndetësisë po hartojnë projektin e ngritjes së një spitali të posaçëm për këtë kategori të dënuarish. Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ishte në Komisionin e Ligjeve ku kërkoi një fond shtesë në buxhetin e tij prej 500 milionë lekësh për rritjen e pagave të gardianëve të burgjeve.

Artikulli paraprakPlagoset me thikë nxënësi në Lushnjë
Artikulli tjetërTropoja e izoluar, 30 ura shemben nga përmbytjet