Korrupsioni kapilar i tre viteve të fundit, një “enigmë” për t’u studiuar

Nga Preç Zogaj 

Zyrtarët e korruptuar para se të ngrihej SPAK nuk kishin frikë se do të paguanin për bëmat e tyre. Garanci për ta ishte pandëshkueshmëria në sferat e larta, të qenët e tyre mbi ligjin.
Kjo s’do të thotë se krimet e tyre janë amnistuar. Ligjet kundër korrupsionit kanë fuqi prapavepruese. Gjithesesi ata mund të konsiderohen edhe viktima të rrethanave e vetmashtrimit.

Por ajo që çudit të madh e të vogël sot është korrupsioni kapilar gulshues këto tre vitet e fundit, pas fillimit nga puna të SPAK. Masivitet, vjedhje pa doreza me dorë gjithnjë e më të rendë, skema të reja, kalimi nga marrja e njëzet e tridhjetë-përqindshit klasik për çdo tender, te marrja e gjithë tenderit permes krijimimit të kompanisë “konkuruese” nga vetë zyrtarët e bashkisë së Tiranës, siç është rasti i kompanisë 5 D.

Si është e mundur të jenë lëshuar pa frikë, gjithandej, duke e “ligjëruar” korrupsionin si punë të parë në postet që kanë mbajtur e mbajnë? Kjo është enigma që intrigon kërkime, shpjegime.
Mund të ndaleshim e të flisnim gjerë e gjatë për joshjen e stërmadhe të pasurimit të paligjshëm, që rëndom fik sensorët e frikës dhe shurdhon zërat e brendshëm se mund të vijë dita për të paguar. Mund të flasim për vesin gjeniun të abuzimit me postin publik, një sëmundje me bazë injorancën, përcjellë si stafetë dhe konsoliduar nga një qeveri në tjetrën gjatë tri dekadave të fundit.
Ky do të ishte një shpjegim në rrafshin e zakoneve dhe traditës së pandëshkushmërisë. Por nuk është shterrues. Dhe as kryesori në rrethanat e reja të futjes në veprim të SPAK dhe drejtësisë së re.

Një babëzi kësoj nuk mund të lindë në boshllëk, nuk mund te jetë thjesht çështje drurësh të shtrembër apo disa mollësh të prishura. Fenomeni në përmasa të tilla është një mendësi, një mënyrë të vepruari, sipas së cilës puna në shtet dhe korrupsioni janë një binom i pandalshëm; ata që i rezistojnë kësaj norme të pashkruar ka gjasa të jenë pakicë. Si i tillë, pra, si mendësi e si mënyrë të vepruari, fenomeni ka marrë jetë nga raporti i krerëve të shumicës socialiste me pushtetin dhe pasurinë publike, nga mënyra arrogante dhe pompoze e ushtrimit të pushtetit, nga fryma që ata përçojnë, nga kontrastet mes asaj që thonë e reklamojnë dhe asaj që bëjnë.

Në këtë kontekst skota e stërmadhe e zyrtarëve rilindas të predispozuar për t’u korruptuar kanë shkuar me mendimin se drejtësia e re, shumë-shumë është berë për të kapur njerëzit e opozitës, palën tjetër, jo ne.
Këtë fiksion të trashë ua kanë përforcuar edhe fushatat politike të një pjesë të opozitës, sipas të cilës Rama po kap drejtësinë, çfarë u ka ardhur për hosh ta marrin si të vertetë. Për të keqen e tyre, siç po shihet tani kur po bien e do të vazhdojnë të bien në rrjetën e ligjit hëm si hajdutë me çizme, hëm si gallofë.

Kryeministri Rama me shokë janë vetreklamuar si flamurtarët e drejtësisë së re me idenë se do t’ja mbanin fijet e gjenin anën ta kastronin përgjatë rrugës po të ishte e nevojshme. Për këtë qëllim, që në krye të herës, ata kanë provuar dhe ia kanë dalë të fusin njerëz të përgjedhur prej tyre në institucionet e drejtësisë së re, duke bërë çmos të ndalonin prokurorë dhe gjyqtarë të shquar për integritet, kurajo e ndershmëri. Diçka arritën në afat të shkurtër, por jo në afat të mesëm e më tej. Sepse drejtësia e re është ndërtuar si një korporatë e mbyllur, ku backgroundi politik i prokurorit a gjyqtarit humbet në mënyrën e re të funksionimit të institucioneve të saj, në misionin e tyre historik për të vendosur sundimin e ligjit në Shqipëri. Megjithatë, në piramidën e Rilindjes ka dominuar deri vonë mendimi se drejtësinë e kemi tonën. Ky është kurthi ku kanë rënë në masë e po vijojnë të bien grabitçarët me tesera dhe emerime partiake për të cilët deti ishte bërë kos.

Por nuk është vetëm bindja e gabuar se SPAK është nën kontroll, apo se është pa dhëmbë ajo çfarë ka ushqyer habitatin e korrupsionit kapilar në vend. Frymëzuesja e madhe është vetë qeverisja propagandistike.

Puna diçka, propaganda gjithçka. Punojmë dhe vjedhin
. Këto janë dy sllogane “të brendshme” që kanë shoqëruar qeverisjet e Shqipërisë në nivel qendor e vendor. Sidomos ato socialiste. Sidomos ato të Ramës. Si rregull, retorika gjëmëmadhe e suksesve të jashtëzakonshme ka si anë të pasme të medaljes abuzimin, korupsionin, degradimin. Ndërkaq të gjitha denoncimet në kohë reale të aferave të qeverisë, të bashkisë së Tiranës dhe bashkive të tjera janë konsideruar nga Rama, Veliaj dhe zëdhënësit e tyre si gënjeshtra, shpifje, tregues zilie dhe ligësie të opozitës dhe kritikët.

Ata kanë përshtatur një retorikë të shpifur leniniste-enveriste të tipit “opozitarët duan të nxijnë arritjet tona”, “atyre u vrasin sytë sukseset tona”,“ne kemi punën, lopatën, fshesën, ata kanë vetëm fjalë”, a thua se puna e opozitës nuk është fjala, kontrolli i shumicës, kontrolli i pushtetit, denoncimi i shkeljeve dhe abuzimeve. E gjithë kjo qasje e nxjerrjes së thonjve nga bunkeri i shpërdorimeve ka vrarë llogaridhënien, ka ngrohur “serren” e vjedhjeve dhe abuzimeve të stërmëdha brenda kazermës politike në pushtet.
Por nuk mbaron këtu.

Burimi kryesor i degradimit deri në kalbëzim i konceptit të shërbimit publik është raporti i Ramës dhe kastës së tij me zgjedhjet. Këta kanë institucionalizuar prej vitesh rrethimin e zgjedhjeve me ministra, drejtorë, shefa, kryebashkiakë, nëpunës të çdo niveli, banditë, bonuse, premtime, ndere, kërcënime. Ministrat, zyrtarët e lartë partiakë dhe zyrtarët e niveleve të tjera që mbushin administratën janë aktivistët dhe dhe patronazhistët e elites. Që që u prijnë atyre të terrenit ku ka sekush ka zonën, lagjen, bllokun dhe fshatin e tij, listën e tij të votuesëve, bonuset dhe paratë për të blerë vota, influencë, abstenime opozitarësh, pra gjithçka që duhet për objektivin. Rrethimi i zgjedhjeve përfaqëson angazhimimin kësaj ushtrie zyrtarësh në një krim, në krimin zgjedhor. Përmbushja e këtij krimi u shpërblehet me një krim tjetër që ata e dinë vetë dhe e realizojnë si vetshpërblim “plotësisht të merituar”. Që është korrupsioni në detyrat që mbajnë. Në këtë menyrë sllogani “vjedhim të fitojnë, fitojnë të vjedhim” përmbyllet me sukses.

Në fakt, korrupsioni kapilar pas fillimit nga puna të SPAK është përqeshja më e madhe që skotat e të korroptuarve i kanë bërë e këtij institucioni dhe SHBA-ve që qëndrojnë pas tij.

Qesh mirë kush qesh i fundit, thotë shprehja e njohur. Për këdo që ka e ka ditur e besuar se drejtësia e re dhe SPAK nuk janë të rreme, ka qenë e pritshme që të korrupturit do të zhgënjehen keq.
Por beteja vazhdon. E SPAK-ut për të thelluar e çuar hetimin kudo ku ka abuzime, shkelje dhe korrupsion, pa marrë parasysh kush janë e çfarë postesh mbajnë të imlikuarit. E të korruptuarve kundër SPAK, të cilin, pasi e bënë të paqenë duke vjedhur, tani që e panë se u ka dalë nga duart, vinë vërdallë si ta bëjnë të paqenë me nisma ligjore, duke ideuar projekte për “ një reformë të re në drejtësi”, në kuadrin e klimës së re të konsensusit me Rithemelimin”. Projekt të cilit partnerët amerikanë dhe europianë i rezervojnë koshin e mbeturinave.

Në këtë betejë ka katër palë.
Në një anë kasta plurale solidare Rama-Berisha-Meta. Në anën tjetër SPAK e GJKKO, partnerët strategjikë SHBA e BE, shumica e shqiptarëve dhe PD e parti të tjera që mbështesin pa kushte drejtësinë e re. Nuk duket të ketë asnjë shans që kasta të fitojë. Por shumica e shqiptarëve që mbështesim SPAK nuk duhet të flenë mbi dafina. Ata duhet të thonë fjalën e tyre aty ku duhet./ Liberale.al

Artikulli paraprakProfesionistet e lirë paralajmërojnë rritje çmimesh, mbyllje aktiviteti dhe emigrim
Artikulli tjetërSi gangsterët e Ballkanit u bënë furnizuesit kryesorë të Europës me kokainë, invesigimi i Reuters