Bashkimi “mekanik” i opozitës? Basha: Po kërkojnë të ruajnë karriget!

Për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, një bashkim “mekanik” i opozitës, nuk mjafton për të siguruar votat e shqiptarëve.

I ftuar në podkastin “Inside Albania” me gazetaren Alice Taylor, Basha deklaroi, “nuk është çështje negociatash me dyer të mbyllura për bashkim mekanik. Njerëzit duhet ta shohin se PD është serioze me ta dhe të ardhmen e vendit. Është serioze për të ofruar opozitë frontale, të pakompromentuar ndaj qeverisë më të keqe dhe më të korruptuar të 34 viteve të fundit.”

Më tej, Basha shpjegoi se mbështetja e demokratëve për drejtësinë duhet të jetë e palëkundur.

“Nuk je serioz nëse flet për luftën kundër korrupsionit në mëngjes dhe në darkë shan SPAK-un. Është mungesë e theksuar koherence. Ne duhet ta mbështesim seriozisht reformën në drejtësi dhe SPAK-un në përpjekjet e tij.”

Krizën që përfshiu Partinë Demokratike pas shpalljes non grata të Sali Berishës, Basha e sheh si një mundësi që partia të dalë më e fortë. Ai bëri thirrje për një reformë zgjedhore nga e cila të përfitojnë qytetarët dhe jo disa politikanë për interesa personale.

“Duhet ta marrim seriozisht reformën zgjedhore që i shërben shqiptarëve dhe jo disa politikanëve. Nëse e marrim këtë seriozisht, kjo padyshim do të krijojë një klimë mbështetjeje masive politike për opozitën. Nëse 40 apo 50 deputetë bëhen bashkë, kjo jo vetëm që nuk do të ketë të njëjtin efekt, por mund të kthehet në bumerang! Bashkim përse? Për nevojat e tyre për t’u rizgjedhur? Kujt i intereson kjo? Kjo krizë, si çdo krizë tjetër brenda opozitës, është një shans i madh për t’i treguar shqiptarëve që PD është e aftë të ndryshojë, të përqafojë sfidat dhe të ketë një vizion për të udhëhequr në të ardhmen.”

I pyetur nëse e dëshiron bashkimin e të gjitha fraksioneve të Partisë Demokratike, Basha nuk hezitoi të pohonte se e do diçka të tillë, por me një kusht.

“Më shumë se bashkimin e fraksioneve, dua bashkimin e njerëzve rreth një ideje, vizioni, plani, për t’ju treguar të gjithëve se jo vetëm kemi një vizion, por kemi edhe një plan të besueshëm për ta mbështetur. Kemi një mënyrë të besueshme si mund ta arrijmë dhe kemi vendosmërinë ta bëjmë. Nëse e tregojmë këtë, të gjithë mbështetësit tanë do të na ndjekin në këtë rrugë. Nuk mund të jetë një udhëheqje hipokrite që përpiqet të mbulojë interesat personale. Shqiptarët e shohin qartë, ata janë të lodhur nga politika e viteve të fundit. Ata e shohin qartë kush është i sinqertë dhe kush po përpiqet të përfitojë nga situata. Këtu nuk ka hapësirë për hipokrizi, për oferta të rreme.”

Protestat e dhunshme të një pjese të opozitës në Parlament apo para godinës së Bashkisë Tiranë, Basha i sheh si politika të gabuara, për përfitime personale të një grupi të caktuar.

“Përvoja më ka treguar se përdorimi i mjeteve radikale në një protestë, që nuk është e veçantë për Shqipërinë, i largon pikërisht ata që duhen më shumë: votuesit e pavendosur, personat me ndikim që zakonisht kanë mospëlqim për akte të tilla që kanë tendencën të lënë në hije argumentet. Ndoshta për një kohë të shkurtër kjo i jep energji bazës, por kjo më pas ekspozon arsyet e atyre që ndërmarrin këto veprime. Atyre nuk ju intereson bashkimi i një pjese të madhe të shoqërisë nën vizionin e duhur. Ata interesohen vetëm të tregojnë muskujt brenda opozitës. Kjo është qasje e gabuar, është politikë për përfitime personale. Nuk është lloji i politikës që mund ta nxjerrë Shqipërinë nga gremina ku kjo qeveri e ka katandisur.”

Kreu i PD-së sulmoi “marrëveshjen e pisët” mes mazhorancës dhe grupit të opozitarëve të udhëhequr nga Gazment Bardhi për amnistinë penale.

“Është e qartë se ‘revolucioni’ në Parlament kishte vetëm motive personale. E pamë që u dorëzua menjëherë me marrëveshjen për amnistinë, që është shumë problematike. Ne paralajmëruam, se qëllimi i vërtetë ishte lirimi i mëse 100 personave të dënuar nga SPAK dhe GJKKO për korrupsion dhe krim të organizuar. Ne e ngritëm këtë çështje, dhamë alarmin se është një marrëveshje e pisët ku zyrtarë të korruptuar dhe të dënuar nga SPAK po liroheshin, ndërsa protestuesit kundër këtij korrupsioni nuk përfituan nga amnistia. Kjo është marrëveshje e pisët, as kompromis nuk mund ta quash, por një nënshtrim i atyre që e quajnë veten opozitë ndaj problematikës kryesore në këtë vend, që është qeveria e korruptuar. Kjo i bën njerëzit të pashpresë.”

Basha kishte një mesazh të fortë ndaj grupit që sipas tij, pretendon se flet në emër të opozitës.

“Marrëveshja e amnistisë është e turpshme! Deputetët e Parlamentit që udhëhoqën këtë përpjekje, e kanë humbur kartën morale për të përfaqësuar opozitën. Me veprimet e tyre, në mënyrë vullnetare, ata u kthyen në shërbëtorë të bindur të agjendës së korruptuar të qeverisë. Këta njerëz përbëjnë rrezik për gjyqësorin. Ata i tregojnë qytetarëve por edhe partnerëve tanë se çfarë janë të gatshëm të bëjnë për të zbatuar agjendën e tyre personale. Ata janë të gatshëm të dëmtojnë investimin më të vyer të shqiptarëve dhe partnerëve tanë, që është reforma në drejtësi dhe shpresën për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe barazisë para ligjit për çdo qytetar shqiptar. Ata i kanë ngulur thikën në zemër kësaj shprese dhe këtij premtimi. Është çështje shumë serioze, të cilën PD nuk do ta falë!”

Artikulli paraprak“Vitin e kaluar, 64 215 të rinj shqiptarë kërkuan azil në vendet e BE”, deputetja Andia Ulliri: Është tregues i frikshëm se çfarë ka bërë në një dekadë keqqeverisja e Edi Ramës
Artikulli tjetërDosja në gjyq/ BIRN: Si e mori Pëllumb Gjoka statusin e investitorit strategjik nga qeveria e Edi Ramës