Rënia e ndjeshme e pagave më 2016

Të dhënat e publikuara nga INSTAT tregojnë se shqiptarët morën mesatarisht paga 2.1 për qind më të ulëta në 2016, ndërkohë që çmimet e mallrave të konsumit u shtrenjtuan me 1.3 për qind.
Paga mesatare mujore bruto për të gjithë të punësuarit në ekonominë shqiptare ra në 45,845 lekë në vitin 2016- nga 46,829 lekë që qe në vitin 2015, me një rënie neto prej 2.1 për qind, bëhet e ditur nga të dhënat e reja statistikore të publikuara nga Instituti i Statistikave.
Sipas të dhënave të INSTAT, rëniet më të mëdha në paga vërehen në profesionet e vështira si “shërbimet në shtëpi”, “bujqësia”, “industria përpunuese” dhe “art, argëtim e zbavitje”.
Paga bruto nënkupton pagën netoplus sigurimet shoqërore e shëndetësore si dhe tatimin mbi të ardhurat, të cilat të punësuarit i paguajnë në mënyrë indirekte, pasi u mbahen nga paga nga ana e punëdhënësit, i cili ka për detyrë t’i derdhë ato në degën e thesarit. Shqipëria nuk ka aktualisht tatim mbi të ardhurat personale për pagat deri në 30 mijë lekë, ndërsa për pagat nga 30 mijë deri në 130 mijë lekë paguhet TAP në masën 13 për qind.
Aktualisht është e pamundur që të shikohet ecuria e pagave në periudha para vitit 2015 për shkak se kjo është hera e parë që INSTAT publikon të dhëna të kësaj natyre. Të dhënat e publikuara mbështeten në deklarimet tatimore të subjekteve tatimpaguese si dhe përpunimeve statistikore të INSTAT.
Sipas këtyre të dhënave, akomodimi dhe shërbimi i ushqimit është profesioni më i keqpaguar në Shqipëri. Gjatë vitit të kaluar, paga bruto në këtë sektor qe vetëm 25 mijë lekë.
Shërbimet në shtëpi janë profesioni i dytë më i keqpaguar në ekonominë shqiptare. Paga në këtë sektor qe vetëm 29 mijë lekë në vitin 2016 dhe është ulur me 12 për qind në krahasim me vitin 2015.

Paga mesatare 2015-2016 sipas INSTAT

Industria përpunuese është sektori tjetër me paga më të ulëta. Më 2016, paga mesatare në këtë sektor ku përfshihen fabrikat e veshjeve e të tjera qenë bruto në masën 31,400 lekë.
Aktiviteti ekonomik me paga mesatare më të larta është “Aktivitete të organizatave ndërkombëtare”, ku punonjësit marrin mesatarisht 125 mijë lekë.
Sektori tjetër i mirëpaguar është “Aktivitetet Financiare dhe të Sigurimit”, ku përfshihen bankat, kompanitë e sigurimit e shërbime të tjera financiare. Gjatë vitit 2016, paga mesatare bruto në këtë sektor qe 97,962 lekë dhe u rrit me 2.5 për qind në krahasim me vitin 2015.
Sektori i “Informacionit dhe Telekomunikacionit” shënon gjithashtu paga të larta, ku paga mesatare bruto gjatë vitit 2016 qe 70 mijë lekë. Megjithatë, ky sektor ka pësuar rënie 2 për qind në krahasim me vitin 2015.
Sektori me rritjen më të lartë të pagave gjatë vitit të kaluar qe sektori i “Aktiviteteve Profesionale, Shkencore dhe Teknike”, ku pagat u rritën me 11 për qind. Paga mesatare në këtë sektor, ku përfshihen edhe universitetet, arriti në 69 mijë lekë nga 61 mijë që qe më 2015.
Sektori tjetër, “Furnizimi me Energji Elektrike, Gaz e Avull dhe me Ajër të Kondicionuar”, i cili përbëhet në praktikë nga ndërmarrjet shtetërore KESH, OST e OSHEE, mori një rritje page prej 8 për qind në vitin 2016.
Të ndara sipas pronësisë së ndërmarrjes, të dhënat e INSTAT tregojnë se në ndërmarrjet shtetërore paga mesatare aktuale është 55 mijë lekë, ndërsa në ndërmarrjet private shqiptare është 34 mijë lekë. Pagat më të larta gjenden te ndërmarrjet nën pronësi të huaj prej 69 mijë lekësh.

Vendi edhe me pensionin më të ulët në rajon

Pensioni mesatar në vendin tonë, në fund të vitit të kaluar, arriti në 86 euro. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, pensioni mesatar në qytet arriti në 14,873 lekë më 2016, ndërsa në fshat ishte 8,556 lekë. Pensioni mesatar në rang vendi ishte 11,714 lekë ose 86 euro më 2016. Sipas një studimi që Bashkimi Europian ka bërë për reformat e pensioneve në Ballkan pas viteve 2011 ka referuar se pensioni mesatar në rajon (Serbi, Mali i Zi, Maqedoni, Bosnje) ishte 240 euro në fillim të 2012, shifër kjo 2.5 herë më e lartë se e Shqipërisë pa marrë në konsideratë indeksimet e mëvonshme që mund të kenë thelluar edhe më tej këtë diferencë. Nivelin më të lartë të pensionit mesatar e ka Mali i Zi me 323 euro, ndërsa më të ulëtin e ka Bosnja, me 178 euro, raporton “Monitor”. Edhe pse ekonomia e vendit është futur në një trend rritës me një ritëm më të lartë se rajoni dy vitet e fundit, mbrojtja e shtresave më vulnerabël lë shumë për të dëshiruar. Pensionistët shqiptarë shihet të jenë shumë të keqpaguar në raport me fqinjët tanë, por të marrim në konsideratë se skemat mbrojtëse ndaj tyre nuk funksionojnë si në rajon. Në këndvështrimin e integrimit në BE për sa i përket nivelit të jetesës për pensionistët, Shqipëria paraqitet shumë poshtë vendeve të rajonit, teksa ato të BE duken të pakapshme. Pensioni mesatar i një gjermani i kalon të 41 mijë eurot në vit, në Itali mbi 27 mijë euro, në Norvegji 58 mijë euro, në Poloni 11 mijë euro etj. Por perspektiva e pensionistëve shqiptarë duket shumë e zbehtë për shkak se, numri i pensionistëve po rritet me shpejtësi, përkundrejt plakjes me ritme të shpejta. Reduktimi i forcës së punës do të vërë në vështirësi arkën e shtetit për të ardhurat e pensioneve dhe rritja e numrit të pensionistëve do të rrisë pagesat. Reforma e pensioneve që qeveria ndërmori në vitin 2014 ka dështuar të vërë nën kontroll financat e skemës së sigurimeve. Tri vite nga zbatimi i saj, reforma e pensioneve po goditet nga emigracioni i të rinjve dhe rënia e produktivitetit në sektorin bujqësor. Nga ana tjetër, numri në rritje i pensionistëve po ushtron presion mbi shpenzimet. Në 6 vjet, numri i pensionistëve u rrit me mbi 698 mijë persona, teksa raporti i varësisë kontribues-përfitues ka mbetur në vend 1 me 1.17 dhe deficiti i skemës në rritje. Të dhënat zyrtare nga Instituti i Statistikave tregojnë se vetëm në dy vitet e fundit, deficiti i skemës është zgjeruar me 10 miliardë lekë ose gati 85 milionë dollarë. Kjo e ka detyruar qeverinë që të rrisë subvencionin nga paratë e taksapaguesve për të mbajtur në këmbë skemën, edhe pse pensionet për të moshuarit thuajse nuk janë rritur fare prej gati tre vjetësh, por vetëm sa janë indeksuar. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore, në 6 vitet e fundit numri i pensionistëve në Shqipëri është rritur me 12.8 për qind. Të dhënat zyrtare tregojnë se shqiptarët po plaken dhe kjo ka pasoja të drejtpërdrejta mbi skemën e pensioneve. Sipas ISSH, vitin e kaluar shpenzimet totale të sigurimeve shoqërore arritën në 109 miliardë lekë. Të dhënat historike tregojnë se në vetëm 6 vjet fatura e pensioneve është rritur me mbi 43 për qind, një ritëm dukshëm më i lartë se sa ai i të ardhurave që shteti mbledh nga kontributet.

Rritje ekonomike dhe rënie pagash

Zyrtarisht, Shqipëria përjetoi rritje ekonomike më të lartë në vitin 2016 se në 2015-ën, një tregues ky që shërben për të argumentuar se ekonomia po rimëkëmbet dhe punët po ecin për mbarë. Në vlerësimin e vet paraprak, INSTAT deklaroi se në vitin 2016, ekonomia u rrit me 3.5 për qind, një rritje krahasimisht më e lartë se sa vitet e mëparshme. Megjithatë, në të njëjtën periudhë, inflacioni shënoi nivelin 1.3 për qind, më i ulëti në afro dy dekada.
Rënia nominale e pagave në ekonomi tregon nga njëra anë vështirësitë e mëdha ekonomike të përjetuara nga ndërmarrjet gjatë vitit 2016, ndërsa shpjegon nga ana tjetër normën shumë të ulët të inflacionit gjatë këtij viti si dhe aspektin disfunksional të rritjes ekonomike.
Ndonëse rritja ekonomike mund të jetë pak a shumë 3.5 për qind, kjo rritje ekonomike nuk është përkthyer në paga më të larta për të punësuarit për shkak se konsiderohet rritje ekonomike e përqendruar në pak aktivitete masive ndërtimi si gazsjellësi TransAdriatik apo hidrocentrali i Devollit, projekte që kanë pak ndikim në ekonominë reale të shqiptarëve.
Norma shumë e ulët e inflacionit gjatë vitit 2016 zyrtarisht nuk konsiderohet të jetë shkaktuar nga rënia e konsumit të brendshëm, por argumentohet se në një masë të konsiderueshme është shkaktuar nga rënia e çmimeve të importit. Megjithatë, për një ekonomi të re dhe të varfër si Shqipëria, rënia nominale e pagave është një fenomen i pazakontë që tregun me vështirësi të konsiderueshme ekonomike. Mungesa e analizës për shkaqet reale të kësaj vështirësie ekonomike dhe fshehja pas shifrës boshe të rritjes së PBB-së me 3.5 për qind me gjasë e mbyll shtegun për marrjen e masave reale për zgjidhjen e problemeve./BIRN

Artikulli paraprakOrellana drejt largimit nga Valencia
Artikulli tjetërDemiraj thirrje Akuzës për të korruptuarit në polici