Orellana drejt largimit nga Valencia

Trajneri Marcelino Garcia Torral ia ka bërë të qartë kilianit se nuk bën pjesë në planet e tij dhe për këtë arsye ish-lojtari i Celta Vigos ka vendosur t’i japë lamtumirën klubit nga Mestalla. E ardhmja e Orellanas do të jetë në Turqi te Fenerbahçe, që në këtë merkato ka firmosur me një tjetër lojtar të La Ligas, pikërisht me sulmuesin spanjoll Roberto Soldado.
Arsene Wenger ka ndezur dritën jeshile për largimin e tij nga “Emirates Stadium” dhe tashmë Lucas Perez është shumë pranë rikthimit në Riazor. Për të bërë të mundur afrimin në skuadër të sulmuesit, drejtuesit e Deportivo la Corunas janë gati të bëjnë një sforco ekonomike dhe kanë gati një ofertë prej 12 milionë eurosh për të bindur Arsenalin të lejojë largimin e lojtarit.
Atletico e Madridit nxjerr në shitje Luciano Viettos, për kartonin e sulmuesit argjentinas, i cili sezonin e fundit luajti në formë huazimi te Sevilla, Los Colchoneros kërkojnë 20 milionë euro, të njëjtën shifër që shpenzuan për ta blerë nga Villareali dy vite më parë. Për Vietton interesohet sërish nëndetësja e verdhë, por së fundmi në garë për të firmosur me sulmuesin ka hyrë edhe Valencia.
Deri përpara disa javësh emri i tij u lakua si një përforcim i mundshëm i Barcelonës në këtë merkato, ndërkohë që interes për lojtarin shfaqi edhe Interi. Megjithatë në fund Inigo Martinez vendosi të qëndrojë te Real Sociedadi. Qëndrimi i mbrojtësit mund të konsiderohet si goditja e madhe e klubit bask në merkato, megjithatë Sociedadi për arsye dëmtimi nuk do ta ketë në dispozicion lojtarin e përfaqësueses spanjolle për sfidën e parë të kampionatit ndaj Celta Vigos.
Diego Costa përjashton çdo mundësi për t’u riintegruar te Chelsea, pasi objektivi i tij i vetëm është të transferohet te Atletico e Madridit. Sulmuesi i kombëtares spanjolle po i shtyn drejtuesit e Bluve të Londrës ta lejojnë të rikthehet te Los Colchoneros. Por që kjo të ndodhë duhet që oferta e Atleticos t’i afrohet disi shumës që kërkon Chelsea, për shërbimet e lojtarit.
Mathiew Debuchy mund të rikthehet në Francë. Mbrojtësi i krahut është nxjerrë në shitje nga Arsenali pasi trajneri Wenger nuk e konsideron më një kandidat potencial për një vend titullari dhe Debuchy është në kërkim të një destiancioni të ri. Ish-lojtari i Lille pëlqehet nga Marseja e Rudi Garcias.

 

Artikulli paraprakTelashe te Barça
Artikulli tjetërRënia e ndjeshme e pagave më 2016