Demiraj thirrje Akuzës për të korruptuarit në polici

Dritan Demiraj është larguar nga posti teknik i ministrit të Brendshëm duke i drejtuar një apel të fortë Prokurorisë së Përgjithshme, duke i kujtuar asaj sfidën e madhe që ka përpara në arrestimin e kokave të trafikut masiv të drogës që ka përfshirë gjithë vendin.
Demiraj, i cili ka lënë detyrën e tij, në përfundim të afatit si ministër teknik, i është drejtuar qytetarëve me një mesazh në rrjetet sociale e njëkohësisht edhe pasardhësit të tij.
Duke u ndalur me kujdes tek fenomeni i trafikut të drogës në Shqipëri dhe lufta kundër tij, Demiraj sjell në vëmendjen praninë e strukturave të korruptuara dhe të lidhura ngushtë me kokat e grupeve të trafikut brenda policisë, të cilët po lejojnë kanabizimin e vendit.
Ai i bëri thirrje organit të akuzës që t’i japë përparësi luftës kundër trafikut të drogës duke çuar përpara drejtësisë strukturat shtetërore të implikuara në lejimin e trafikut të drogës, ashtu si edhe krerët e këtij trafiku.
Demiraj evidenton sesa e rëndësishme është puna me përkushtim në Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit, fryt i së cilës kanë qenë rezultatet në luftën antikanabis: 37 tonë kanabis të sekuestruar në vetëm 12 javë.
“Prioriteti im për tolerancë zero ndaj drogës në bashkëpunim me Policinë e Shtetit prodhoi disa rezultate të dukshme: 37 tonë kanabis i sekuestruar, 40 mijë rrënjë kanabis të shkatërruara, 13 skafe të konfiskuara dhe mbi 75 vetë të arrestuar për kultivim dhe trafikim të lëndëve narkotike. Masat për të goditur fenomenin e kanabisit kanë qenë maksimale duke i drejtuar operacionet dhe arrestimet dhe personalisht në terren dhe jo masa prapagandistike.
Bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme, Shërbimin Informativ dhe të gjitha institucionet e përfshira në planin e masave ka qenë shumë i lartë, intensiv dhe smart.
Kontrolli absolut i territorit ka qenë dhe do të jetë detyrë që çdo individ me uniformë policore duhet të angazhohet maksimalisht.
Një falënderim të plotë për çdo efektiv të ndershëm të Policisë së Shtetit. Organizata e Policisë së Shtetit ka punonjës të përkushtuar, që janë në front të parë në luftën kundër drogës në përgjithësi dhe trafiqeve të paligjshme në veçanti, por sigurisht që ka dhe individë të korruptuar, të implikuar në lejimin e fenomenit të kanabizimit të vendit dhe kjo është sfidë në vazhdim e Prokurorisë që t’i dërgojë prapa hekurave këta individë të korruptuar”, thotë Demiraj.
Nga ana tjetër, Demiraj shprehet i nderuar për mundësinë që iu dha për t’i shërbyer vendit dhe interesave të qytetarëve shqiptarë. Demiraj ka falënderuar në veçanti për besimin që iu dha, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Bashën dhe garanton qytetarët se e ardhmja e tij nuk ka asnjë lidhje me këtë qeveri.
Ai vlerëson bashkëpunimin me kolegët e tjerë në qeverisë, konkretisht ministrat teknikë, si dhe institucionet si SHISH, Prokuroria e Përgjithshme, ajo e Krimeve të Rënda dhe Avokati i Popullit në përballimin e një sërë detyrash e përgjegjësish në mbarëvajtjen e zgjedhjeve, luftën ndaj drogës, prostitucionit, emergjencave civile, si dhe garantimin e sigurisë gjatë sezonit turistik.
“Këto 12 javë në detyrë si ministër i Punëve të Brendshme ka qenë një nder i jashtëzakonshëm t’i shërbeja vendit, qytetarëve dhe të gjithë shtetasve që jetojnë e punojnë në Shqipëri.
Dëshiroj që t’i shpreh mirënjohjen më të thellë kryetarit të Partisë Demokratike, z. Lulzim Basha për besimin për të kryesuar këtë dikaster në një moment të vështirë për vendin dhe për mbështetjen e tij të vazhdueshme shtetare për të realizuar detyrat tona kushtetuese.
Bashkëpunimi me kolegët në qeveri, znj. Mandija, Vukaj, Karabina, Kertusha, z. Bardhi dhe Beqiri, kolegët e shkëlqyer të MPB, Policisë së Shtetit, SHISH, Prokurorisë së Përgjithshme, Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Avokatin e Popullit dhe gjithë agjencive ligjzbatuese të vendit, kanë qenë në frymën institucionale dhe me këtë rast shpreh një falënderim të madh për përballimin e një sërë sfidash të mëdha siç ishin mbarëvajtja pa incidente e procesit zgjedhor, lufta pa kompromis ndaj kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, trafikimit të qenieve njerëzore, lufta kundër terrorizmit, emergjencave civile dhe sigurimi i një sezoni turistik të qetë”, shprehet Demiraj.
Në mesazhin e tij, ai shpreh mirënjohjen për mediat të cilat megjithëse siç thekson edhe kanë spekuluar mbi të ardhmen e tij kanë punuar me përkushtim me përcjelljen e mesazheve tek publiku. Demiraj e mbyll mesazhin e tij duke shprehur përkushtimin për të vijuar të japë me profesionalizëm kontributin e tij pranë agjencive ligjzbatuese që merren me sigurinë dhe mbrojtjen kombëtare.
“Kam dhe një falënderim të sinqertë për gazetarët dhe median e lirë, të cilat në të shumtën e rasteve kanë ndihmuar në përçimin e mesazheve të mia publike, por në disa raste dhe ka spekuluar për të ardhmen time.
Për lidershipin dhe punën time këto tre muaj janë thënë shumë të vërteta, por fatkeqësisht janë shkruar dhe disa të pavërteta për të ardhmen time që nuk ka asnjë lidhje me këtë qeveri.
Kam qenë dhe vazhdoj të jem i vendosur për të kontribuar në drejtimin e agjencive ligjzbatuese që merren me çështje të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare. Punë të mëdha e presin përpara Shqipërinë!”, shprehet ai.

Artikulli paraprakRënia e ndjeshme e pagave më 2016
Artikulli tjetërKeqmenaxhimi me hidrocentralet, 80% e energjisë po importohet