PS sfidon ligjin, postera dhe flamuj partiakë në Elbasan

PS ka vendosur një poster gjigant në qendër të qytetit të Elbasanit me logon dhe slloganin e Partisë Socialiste, duke sfiduar ligjin për partitë. Ligji për partitë ndalon flamujt dhe posterat partiakë për fushatën e 25 Qershorit dhe u miratua në bazë të marrëveshjes mes kryeministrit Rama dhe liderit të opozitës, Basha. Postera gjigantë të PS janë vendosur edhe në rrugët kryesore të qytetit të Elbasanit. Vendosja e posterave ka ngjallur reagime të ashpra jo vetëm nga partitë politike, por edhe nga qytetarët, ndërsa policia nuk guxon të ndërhyjë edhe pse vendosja e posterave të partive politike në qytet dhe rrugë është e ndaluar me ligj.
Por PS nuk është e vetmja që shkel ligjin, duke ekspozuar slloganet dhe simbolet e partisë në qytet. Flamujt e Partisë për Drejtësi, Integrim Unitet të Shpëtim Idrizit valëviten anës një prej rrugëve, prej disa ditësh, por pavarësisht ankesave të partive të tjera, policia nuk guxon të ndërhyjë.
Bëhet e ditur se edhe në disa qytete të tjera janë vendosur postera gjigantë të Partisë Socialiste. Vendosja e posterave të Partisë Socialiste bëhet në ato bashki që drejtohen nga e majta. Ndonëse në kundërshtim me ligjin, drejtuesit e Bashkisë lejojnë vendosjen e posterave të PS, ndërsa policia jo vetëm që nuk ndërhyn, por është vënë në ruajtje të tyre. Për vendosjen e posterave janë përdorur mjetet e Bashkisë, edhe në këtë rast është shkelur ligji.

Makina e Bashkisë e mbushur me flamujt e “Rilindjes”

Administrata qendrore dhe vendore vazhdon të jetë aktive në fushatën e PS. Edhe pse ka një VKM të Qeverisë për mospërdorimin e mjeteve shtetërore dhe burimeve njerëzore në fushatën e partive si dhe janë vendosur 7 ministra teknikë pikërisht për këtë gjë, administrata po përdoret nga Rama për fushatë.
Dje në disa portale u publikua një foto që tregonte kamionçinën e Bashkisë së Kavajës të mbushur plot e përplot me materiale propagandistike të PS-së. Bëhet e ditur se, materialet propagandistike janë shpërndarë nëpër fshatra me makinat e Bashkisë së Kavajës. Ndërkohë punonjësit e Bashkisë kanë vendosur postera me logon dhe slloganin e Partisë Socialiste, në qytet dhe në disa rrugë. Bashkia e Kavajës po bën gati mitingun e PS në shkelje flagrante të ligjit. Më 25 Qershor kavajasit votojnë për deputetëtm por edhe për kryetarin e ri të Bashkisë.
Parlamenti miratoi para disa ditësh një paketë ligjore që ashpërson në Kodin Penal shit-blerjen e votës, vendos rregulla të reja në ligjin e partive për financimin e tyre dhe përcakton me saktësi transmetimin mediatik të fushatës. Përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, do dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri ne 4 vjet. Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime.
Të gjitha këto masa dhe ndërhyrje, bëhen për të garantuar qytetarët shqiptarë nga presionet dhe shitblerja e votës dhe garë të ndershme për partitë politike në fushatën zgjedhore.

R.POLISI

Artikulli paraprakNë fushatë për Ramën, pushohet drejtoresha
Artikulli tjetërPse Rama i trembet debatit me Bashën?