Në fushatë për Ramën, pushohet drejtoresha

Vazhdojnë shkarkimet nga ministrat teknikë të Bashës për përfshirjen e administratës në fushatë zgjedhore. Ministria e Shëndetësisë ka vendosur dje të pezullojë drejtoreshën e Qendrës Shëndetësore numër 1 Lushnjë, e cila jo vetëm që ka marrë vetë pjesë në fushatën zgjedhore të PS, por ka detyruar edhe mjekët e infermierët që të dalin në fushatë. Pezullimi është bërë deri në sqarimin e plotë të situatës. Shkarkimi është bërë nga ministrii Shëndetësisë Arben Beqiri pas emisionit investigativ “BOOM”, në RTV “Ora News”.
Në njoftimin për shtyp thuhet se, Ministria e Shëndetësisë, pasi ka ndjekur emisionin investigativ “BOOM”, në RTV “Ora News” që paraqet dëshminë e përdorimit të administratës publike (personelit të Qendrës Shëndetësore numër 1 në Lushnjë) në fushatën zgjedhore, ka vendosur:
1- Pezullimin e drejtoreshës së Qendrës Shëndetësore numër 1, deri në sqarimin e plotë të situatës.
2- Ngritjen e një grupi pune për verifikimin e situatës në terren (përkatësisht në Qendrën Shëndetësore numër 1, Lushnjë).
Po dje ministri i Shëndetësisë, Arben Beqiri, ka thirrur në një mbledhje të gjithë drejtorët e spitaleve rajonale dhe të Tiranës për risjelljen në vëmendje të respektimit të urdhrit të Kryeministrit për mospjesëmarrjen në fushatë elektorale. “Marrë shkas nga kjo ngjarje ministri i Shëndetësisë, z. Arben Beqiri ka thirrur sot në një mbledhje të gjithë drejtorët e spitaleve rajonale dhe të Tiranës për risjelljen në vëmendje të respektimit të urdhrit të Kryeministrit nr. 65, datë 12.05.2017”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Shëndetësisë.
Emisioni investigativ “BOOM”, në RTV “Ora News” ka bërë një vëzhgim të pjesëmarrjes së administratës në fushatën zgjedhore. Grupi i xhirimit ishte në Qendrën Shëndetësore nr.1 në Lushnje, ku ditën e premte stafi i këtij institucioni brenda orarit të punës kishte shkuar në një takim elektoral të Partisë Socialiste në qytetin e Fierit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama. Në fakt, jashtë orarit të punës kjo është një gjë mëse e pranueshme dhe normale, por ajo që është shqetësuese është se, drejtoresha ka urdhëruar mjekët dhe infermierët të shkojnë në fushatë brenda orarit të punës.
Orari zyrtar i punës në këtë Qendër Shëndetësore është deri në orën 20:00 të mbrëmjes, por në orën 18:00 aty nuk kishte asnjë punonjës. Ndërkohë, kryeministri Rama ka nxjerrë një urdhër, sipas të cilit ndalohen burimet njerëzore të administratës publike të çdo niveli të marrin pjesë në fushatën zgjedhore të qershorit. Por nga një kërkim i bërë në rrjetet sociale, rezulton se disa prej titullarëve të institucioneve kanë postuar disa nga aktivitetet elektorale, një pjesë e të cilave janë zhvilluar në orarin zyrtar të punës.
Të shtunën, gazeta publikoi një lajm se si punonjësit e Spitalit të Lushnjës dhe punonjësit e shkollave me urdhër nga lart ishin nxjerrë për t’u transportuar drejt Fierit, ku Rama kishte hapjen e fushatës elektorale të PS. Kryetari i degës së PD Lushnjë publikoi në rrjetin social Facebook edhe fotot e autobusëve që transportonin mjekë e infermirë nga Lushnja për të marrë pjesë në mitingun e Ramës.
Parlamenti miratoi para pak ditësh me shumicë të cilësuar votash ndryshime të reja në Kodin Penal, të cilat sanksionojnë për herë të parë masa të rrepta të ndëshkimit për cilëndo që përfshihet në fushatë. Përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, me ndryshimet e reja në Kodin Penal, dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri në 4 vjet. Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime.

Ministri Beqiri takim me të gjithë drejtorët e spitaleve

Ministri i Shëndetësisë, Arben Beqiri thirri dje në një mbledhje të gjithë drejtorët e spitaleve rajonale dhe të Tiranës për risjelljen në vëmendje të respektimit të urdhrit të Kryeministrit për mospjesëmarrjen në fushatën zgjedhore.
Pas takimeve me drejtuesit e spitaleve, ministri i Shëndetësisë po dje zhvilloi rreth mesditës në Elbasan një mbledhje me të gjithë shefat e “Qendrës Spitalore “-“Dr.Xhaferr Kongoli” ku u ka rikujtuar se duhet të repsektojnë urdhrin e Kryeministrit për mospjesmarrjen në fushatën zgjedhore.
Sipas njoftimit për shtyp, ministri Beqiri “i ka inkurajuar drejtuesit e reparteve të QS të Elbasanit për të punuar sa më shumë në shërbim të nevojave të pacientëve”. Gjithashtu ministri i Shëndetësisë ka kërkuar që të ketë angazhim të jashtëzakonshëm në çdo orë dhe çdo kohë për nevojat e pacientëve.
Ndërkohë, jashtë kamerave ministri Beqiri komentoi edhe pezullimin e drejtoreshës së Qendrës Shëndetësore numër 1 në Lushnje. “Kemi kërkuar ngritjen e një grupi pune për verifikimin e situatës në terren (përkatësisht në Qendrën Shëndetësore numër 1, Lushnje) dhe shumë shpejt gjithçka lidhur me këtë rast do t’i përcillet publikut me transparencë të plotë në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë”, ka sqaruar Beqiri.

R.POLISI

Artikulli paraprakSulmi kimik ndaj opozitës, Prokuroria dërgon analizat në Gjermani
Artikulli tjetërPS sfidon ligjin, postera dhe flamuj partiakë në Elbasan