Pesë gra nga 8 propozimet e PD, kush janë ministrat e rinj

Parlamenti i hapi rrugën mbrëmë emërimit të gjashtë ministrave të rinj teknikë të propozuar nga opozita. Në një seancë të jashtëzakonshme të mbledhur pasditen e djeshme, opozita dhe mazhoranca kanë miratuar gjashtë ministrat e rinj teknikë, përfshirë edhe zëvendëskryeministrin, bazuar në marrëveshjen Basha-Rama me qëllim garantimin e zgjedhjeve të 25 qershorit. Të dielën, Basha i prezantoi propozimet e PD për ministrat teknikë Kryeministrit Rama, i cili dakordësoi emërimet e prezantuara nga opozita. Rama i dërgoi propozimet e dakordësuara me opozitën për dekretim në Presidencë. Paraditen e djeshme, Presidenti Nishani dekretoi të gjitha propozimet e qeverisë, duke shkarkuar zëvendëskryeministrin Niko Peleshi, si dhe gjashtë ministrat, për të cilat në marrëveshje ishte rënë dakord që të shkarkoheshin për t’u zëvendësuar me ministra teknikë të propozuar nga opozita. Risi në emërimet e kreut të PD, Lulzim Basha ishte dhe respektimi i kuotave gjinore, ku në shtatë emrat e ministrave teknikë ai propozoi tri zonja ministre, një zonjë në postin e zëvendëskryeministrit ashtu siç edhe në rastin e postit të Avokatit të Popullit, propozoi sërish një grua. Për herë të parë, Shqipëria do të ketë një zëvendëskryeministre femër, ashtu si edhe një zonjë në krye të institucionit të Avokatit të Popullit. Të panjohura për publikun, por të njohura si eksperte profesioniste në fushën ku ato ushtrojnë profesionin e tyre, tashmë, tre ministri, zëvendëskryeministri, si dhe Avokati i Popullit do të udhëhiqen prej tyre, respektivisht në postet e emëruara. Kandidatura e propozuar nga PD-ja për postin e zv.kryeministrit është Ledina Mandia, e lindur në Shkodër. Ajo ka mbaruar Fakultetit Juridik në qytetin e Shkodrës. Më pas ka punuar si pedagoge në Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Më pas në karrierën e saj, Mandia ka qenë Avokate e Shtetit. Pas ardhjes në pushtet të qeverisë Rama, Mandia, u largua nga kjo detyrë dhe u emërua në Presidencë, si këshilltare juridike. Ndërsa në krye të Avokatit të Popullit është emëruar Erinda Ballanca, avokate me përvojë në njohuritë dhe profesionalizmin në fushën e jurisprudencës. Drejtimi i gjashtë ministrive kyçe në procesin zgjedhor, siç është Ministria e e Brendshme, e cila ka në ngarkesë procesin e listave zgjedhore, dhe shumë pika kyçe të administrimit të zgjedhjeve do të kalojnë të gjitha nën drejtimin e ekspertëve.  Emërimi i Ministrave të rinj teknikë do garantojë eliminimin e çdo lloj mundësie apo hapësire të përdorimit të këtyre dikastereve në funksion të procesit zgjedhor. Kalimi i këtyre ministrive nën drejtim teknik do të garantojë po ashtu mos përdorimin me urdhër përmes shantazheve dhe presioneve administratën publike për të tjetërsuar vullnetin e tyre në ditën e votimit. Përmes marrëveshjes së 18 majit, palët kanë konfirmuar angazhimin e tyre për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Opozita dhe mazhoranca kanë konfirmuar vullnetin e tyre për dialog të drejtpërdrejtë si shprehje e domosdoshmërisë për një nivel të ri të dialogut politik në vend. Në këtë kuadër, palët angazhohen për institucionalizimin e dialogut mes kryetarit të mazhorancës dhe kryetarit të opozitës. Gjithashtu, angazhimi i palëve për zgjedhje me standarde demokratike do të jetë pjesë thelbësore e kontributit të përbashkët dhe të vazhdueshëm të palëve në kuadër të çeljes së negociatave dhe përparimit të vendit në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Arben Beqiri, kirurgu i njohur në krye të Shëndetësisë

Është një nga doktorët më të njohur në vend, me një eksperiencë të gjatë në shëndetësi e me kontribut të vyer në profesionin e tij si kirurg. Beqiri njihet në rrethin e mjekëve si një figurë tejet e respektuar dhe me një eksperiencë të gjatë e tejet pozitive, veçanërisht në fushën e kirurgjisë. Ai është specializuar në Kirurgji të Përgjithshme, gastrohepatologji. Ai është diplomuar për mjekësi në Universitetin e Tiranës dhe ka një sërë kualifikimesh profesionale në universitetet më të mira të botës si në SHBA, Belgjikë, etj. Beqiri ka publikuar gjithashtu dhe një sërë botimesh mjekësore. Ai ka qenë profesor i kirurgjisë në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, ndërsa në vitin 2013 zëvendësrektor në Universitetin e Mjekësisë Tiranë. Beqiri ka ushtruar profesonin e tij që nga vitit 1993, duke punuar si kirurg në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Gjithashtu nga viti 1993 e deri tani ai ushtron edhe profesionin e tij si pedagog në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, Fakulteti i Mjekësisë. Është diplomuar si Mjek i Përgjithshëm në vitet 1983-1988. Menjëherë pas diplomimit, pas një viti, më 1989 deri më 1990 ai ka ushtruar profesionin e tij si Mjek i Përgjithshëm në Prekal, Dukagjin, Shkodër. Më pas, në vitet 1990-1993 është specializuar si kirurg i përgjithshëm pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë. Në vitet 1994 deri 1995, fellowship në endoskopinë gastrointestinale nën udhëheqjen e Prof. William G. Hardison VA Hospital UCLA San Diego, një lektor Fulbright në Fakultetin e Mjekësisë, Departamenti i Kirurgjisë Digjestive, Universiteti i Tiranës. Grante dhe eksperiencë kërkimore FULLBRIGHT Grant, i administruar nga Departamenti i Shtetit SHBA. Fusha e Studimit: Laparocsopic Surgery of the Colon and Rectum. National Naval Medical Center, Bethesda, MD. Tetor 2004-shkurt 2005 Catholic University of Leuven U. Z. Gasthuisberg, Catholic University of Leuven, Belgium.

Helga Vukaj, një doktore shkencash në krye të Ministrisë së Financave

E diplomuar në jurisprudencë dhe me titullin doktore e shkencave juridike, Helga Vukaj, e cila nga sot do të mbajë postin e ministres së Financave ka një karrierë të gjatë në administratën publike duke mbajtur poste kyçe në fushën ligjore dhe atë financiare. Me 10 vjet eksperiencë pune, Vukaj ka ushtruar profesionin e saj si juriste në Presidencë, ajo ka mbajtur gjithashtu postin e drejtorit të Drejtorisë në Ministrinë e Brendshme, zv.drejtorit të Përgjithshëm në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, si dhe drejtoreshë e Përgjithshme në Kontrollin e Lartë të Shtetit. Në KLSH ajo ka qenë drejtor i Përgjithshëm Drejtimi dhe Mbikëqyrja e Veprimtarisë së Departamentit të Auditimit të Buxhetit të Pushtetit Vendor, Kontrollit të Territorit, Administrimit të Aseteve të Qëndrueshme dhe Departamentit të Auditimit të Investimeve dhe Projekteve me Financime të Huaja, Shoqërive Publike dhe Mbrojtjes së Mjedisit. Vukaj ka një karrierë të pasur edhe në fushën akademike. Ajo ka qenë pedagoge e jashtme në kursin e masterit “Menaxher i Emigracionit”, në ciklin e leksioneve “Sistemi i vizave, rasti i Shqipërisë” dhe “Legjislacioni komunitar për trafikimin e qenieve njerëzore dhe riatdhesimi i të miturve të pashoqëruar” pranë Universitetit “Luigi Bocconi”, Milano, Itali. Ndërkohë që nga viti 2004 e në vazhdim ajo ka qenë pedagoge pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë pedagoge e jashtme në Departamentin e së Drejtës Publike. Shkolla e Magjistraturës, Tiranë, eksperte e jashtme në Shkollën e Magjistraturës, cikli i leksioneve “Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës”.

Gazmend Bardhi, eksperti i Reformës në Drejtësi

Ekspert i Reformës në Drejtësi e me një përvojë profesionale në fushën ligjore, Gazmend Bardhi do të jetë ministri i ri teknik që do të drejtojë dikasterin e Drejtësisë. Bardhi ka kryer studimet pranë Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës. Aktualisht ai punon pranë Kuvendit të Shqipërisë në pozicionin e këshilltarit ligjor, ndërsa prej një viti, përkatësisht më 2015-2016 ai ka qenë një nga ekspertët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi. Gjithashtu Bardhi ka një eksperincë profesionale në Ministrinë e Drejtësisë, ku përreth pesë vite, ai ka mbajtur pozicionin e drejtorit të Oponencës në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit. Gjithashtu, Bardhi ka ushtruar profesionin e tij si këshilltar i ministrit të Drejtësisë. Gjithashtu ai ka punuar edhe si specialist në Drejtorinë e Përgjithshme të Kodifikimit. (Sektori i Analizës dhe Rekomandimeve Institucionale, Sektori i Oponencës Ligjore, Sektori i Mendimit Juridik) anëtar i bordit drejtues të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme shkurt-shtator 2013. Anëtar i Komisionit Disiplinor të Avokatisë, tetor 2012–shtator 2013. Korrik 2010–korrik 2012: Përfaqësues i Shqipërisë në Projektin e Bashkëpunimit Rajonal në Drejtësinë Kriminale “Forcimi i Kapaciteteve në Luftën kundër Krimit Kompjuterik”, BE dhe Këshilli i Europës përfaqësues i Shqipërisë në konferencat e realizuara nga Këshilli i Europës mbi aspektet ligjore dhe praktike në luftën kundër krimit kompjuterik, të realizuara me të gjitha vendet e rajonit. Shtator 2010: Konferencë Ndërkombëtare kundër Terrorizmit. Përfaqësues i Ministrisë së Drejtësisë në Konferencën Ndërkombëtare mbi Luftën kundër Terrorizmit Ndërkombëtar, të organizuar nga OSCE.

Mirela Karabina, një akademike në krye të Ministrisë së Arsimit

Mirela Karabina vjen nga fusha akademike. E gjithë jeta e saj profesionale lidhet me mësimdhënien si pedagoge e Fakultetit të Shkencave Sociale. “Institucioni punëdhënës UT, Fakulteti i Shkencave Sociale. Albanian University Edukim Phd (kandidate, në mbyllje), UT, FSHS Titulli MSc, në edukim diplome si mësuese e lëndëve gjuhë-letërsi. Çertifikatë vlerësimi për drejtimin dhe menaxhimin e shkollës. Trajner europian. Çertifikatë trajner në Edukim. Çertifikatë pjesëmarrjeje për trajnimin e trajnerëve, metodat e mësimdhënies. Çertifikatë pjesëmarrjeje. Ngritja dhe funksionimi i qeverisë së nxënësve. Çertifikatë vlerësimi, plani vjetor i shkollës çertifikatë vlerësimi, objektivat e arritjes së nxënësve. Institucioni apo organizata në të cilën janë kryer trajnimet 1-Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Shkencave Sociale, Departamenti i Pedagogjisë dhe Psikologjisë”, thuhet në jetëshkrimin e Karabinës.

Xhuljeta Kërtusha në krye të Punës dhe Çështjeve Sociale

Me një eksperiencë të fortë profesionale në administratën publike, botën universitare, si dhe sipërmarrjen e huaj, Xhuljeta Kërtusha do të drejtojë Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale. “1997-2002 Universiteti Politeknik i Tiranës. 2009-2010 master në Menaxhim, master në Menaxhim Biznesi dhe Marketing Ndërkombëtar, master i nivelit të dytë 2006-2007 New Bulgarian University – Këshilli i Europë, National Democratic Institute NDI–USAID mars 2009. Platforma kompjuterike për analizën dinamike dhe statike të sistemit elektroenergjetik Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, Licensa TEMPUS Projekti JEP – 41154-2006 (SEECEN). Operimi i sistemeve elektrike të fuqisë në kushtet e tregut të energjisë. Universiteti Politeknik i Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike, Licenca TEMPUS Projekti JEP – 41154-2006 (SEECEN). Janar–tetor 2009 drejtoreshë e Shfrytëzimit dhe Monitorimit të Kaskadës së Drinit. Tetor 2009–gusht 2011 drejtoreshë e Divizionit të Furnizuesit publik me shumicë. Gusht 2010–dhjetor 2015 drejtoreshë e Njësisë së Blerjes së Energjisë dhe Zhvillimit Rajonal të Tregut. Janar 2016 në vazhdim Menaxhere Operimi Statkraft PContinent/UK/SE Europë”, thuhet në jetëshkrimin e saj.

Dritan Demiraj, dora e hekurt në Ministrinë e Brendshme

Karrierën ushtarake do e fillonte që në vitin 1983. Asokohe do të ishte vetëm 14 vjeç dhe do të regjistrohej në Shkollën e Mesme Ushtarake dhe më pas në Akademinë Ushtarake Skënderbej. E gjithë jeta i ka shkuar në shërbim të ushtrisë dhe ka provuar thuajse të gjitha repartet e Forcave të Armatosura. Dritan Demiraj, nga dita e djeshme do të jetë garanti i votës së lirë në krye të Ministrisë së Brendshme, një institucion aq i përfolur në këto katër vjet si kyçi i problemeve të trafikut të drogës dhe krimit të organizuar. Kolonel Dritan Demiraj ka udhëhequr 7 misione në Irak dhe Afganistan, duke marrë vlerësimet maksimale atje. Por jo të njëjtin vlerësim kishte për të Mimi Kodheli, ministrja e Mbrojtjes, e cila do e shkarkonte nga detyra që mbante në Ministrinë e Mbrojtjes me argumentimin se, “kishte dalë pa leje nga Shqipëria”. Një argumentim qesharak, që Demiraj do e hidhte poshtë, pasi lejen e kish marrë nga ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Dritan Hila dhe shefi i Doktrinës Ushtarake. Natyrisht shkarkimi i tij më shumë se për shkelje, ishte motivuar politikisht. “Pas rreth 15 viteve shërbim në njësitë më elitë të policisë dhe ushtrisë shqiptare si RENEA, Njësia Speciale 77 e Antidrogës, Gardës së Republikës dhe në Shkollën e Trupave Speciale të SHP, kam patur përgjegjësinë dhe privilegjin të drejtoj Regjimentin e Forcave Speciale dhe Komando dhe për 7 vite Forcat Speciale-BOS”, do të shprehej ai. “Pas largimit krejtësisht të padrejtë dhe në shkelje të të gjithë rregullave që normojnë punën në ushtri jetoj, punoj dhe kontribuoj fuqishëm në komunitetin shqiptar dhe jo vetëm në SHBA, në fushën e antiterrorizmit, mësimdhënies në universitete dhe së fundmi kam ngritur dhe një biznes ku zhvilloj stërvitje speciale me efektiva të ndryshme, pa anashkaluar asnjë moment dhe kontributin për vendin tim nëpërmjet takimeve dhe kontakteve të shumta në Kongresin amerikan dhe më gjerë”. Njeriu që nuk mori vlerësimin në vendin e tij, merr vlerësimin e ushtrisë më të madhe botërore, e cila i beson atij stërvitjen e ushtarëve të saj. Kolonel Demiraj mund të thuhet se i njeh në qelizë, format e luftës ndaj krimit dhe trafiqeve të çdo lloji. Ka një sërë botimesh dhe tituj në gazeta dhe revista prestigjioze.

Klement Zguri në krye të KQZ dhe Erinda Ballanca tek Avokati i Popullit

Zguri, njihet si një nga njohësit më të mirë të funksionimit të KQZ-së, kjo edhe për shkak të eksperiencës së tij të gjatë si anëtar i KQZ-së.Ai iu bashkua KQZ si anëtar në vitin 2000 kur përfaqësonte disa parti të vogla parlamentare, që ishin në aleancë me Partinë Demokratike. Prej 17 vitesh ai ka qenë pjesë e KQZ-së duke u propozuar sa herë i mbaronte mandati nga PD dhe aleatët e saj
Parlamenti miratoi dje dy emrat e propozuar nga opozita, Klement Zguri për postin e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si dhe Erinda Ballancën për postin e Avokatit të Popullit, avokate e njohur për njohuritë dhe profesionalizmin në fushën e jurisprudencës. Dy kandidaturat u miratuan më herët në Komisionin e Ligjeve e më pas ky i fundit ia propozoi Parlamentit për votim. Pak para nisjes së seancës plenare, Zguri e cilësoi emërimin në krye të KQZ si një sfidë dhe përgjegjësi, ndërsa kërkoi mbështetjen e të gjithë faktorëve në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. “Për mua ky rast sigurisht që është sfidë, vlerësim dhe kënaqësi. Kam 20 vjet që aderoj në KQZ. Besoj jam i vetmi me këtë eksperiencë. Është ekipi ai që ia del. Patjetër që kërkojmë mbështetjen e të gjithë faktorëve të tjerë, të partive politike, të medias”, tha Zguri. I pyetur në lidhje me numrat e votave të anëtarëve të KQZ, Zguri tha: “Të mos bëhemi pesimistë. Shpresoj që e gjitha trupa të gjejë arsyen që vendimet t’i marrin në zbatim të ligjit”. Klement Zguri është propozuar nga Partia Demokratike për postin e kreut të KQZ-së. Zguri është një nga anëtarët më të vjetër në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ai iu bashkua KQZ si anëtar në vitin 2000 kur përfaqësonte disa parti të vogla parlamentare, që ishin në aleancë me Partinë Demokratike. Prej 17 vitesh ai ka qenë pjesë e KQZ-së duke u propozuar sa herë i mbaronte mandati nga PD dhe aleatët e saj. Njihet si një nga njohësit më të mirë të funksionimit të KQZ-së, kjo edhe për shkak të eksperiencës së tij të gjatë si anëtar i KQZ-së. Sipas marrëveshjes së 18 majit mes kreut të PD, Basha dhe Kryeministrit Rama në seksionin mbi zgjedhjet, parashikohet regjistrimi i menjëhershëm i partive politike të opozitës. Regjistrimi i listave shumemërore të partive politike të opozitës brenda datës 26 maj 2017. Listat e zgjedhësve. Përfshirja në listat e zgjedhësve e zgjedhësve të rinj që votojnë në datën e re të zgjedhjeve. Dhënia e aksesit të opozitës në informacionin e mbledhur nga projekti i adresave dhe çështje të tjera të lidhura me zgjedhësit, nëpërmjet auditeve të KQZ-së. Mbështetje KQZ-së për përgatitjen e materialeve zgjedhore. Plotësimi i komisioneve zgjedhore dhe grupeve të numërimit. Zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kavajës, do të zhvillohen në të njëjtën ditë me zgjedhjet e përgjithshme. Pezullimi i çdo iniciative për kontrata të përkohshme në nivel qendror dhe vendor. Mbështetje ndërkombëtare për forcimin e monitorimit të listës së zgjedhësve. Mbështetje ndërkombëtare për KQZ, për ngritjen e linjave telefonike të ndihmës për vëzhgimin dhe shqyrtimin e ankesave mbi ligjin e shërbimit civil dhe blerjen e votës.

Ndryshohen katër zëvendësministra

Pas ndryshimit të 6 ministrave dhe zv/kryeministrit, kabineti i qeverisë Rama ka pësuar të tjera ndryshime. Në mbledhjen e qeverisë paraditen e kësaj të hëne është marrë vendimi për shkarkimin e 4 zëvendësministrave dhe emërimin në këto poste të 4 emrave të tjerë. Kështu, Këshilli i Ministrave ka vendosur që në vend të zv.ministrit të Financave, Ervin Mete të emërojë këshilltaren e Kryeministrit për ekonominë, Irena Beqiraj. Ajo konsiderohet person teknik dhe ka mbajtur së fundmi detyrën e këshilltares së Kryeministrit për ekonominë dhe më herët edhe postin e zv/ministres së Financave dhe drejtores së Përgjithshme të Doganave. Sakaq nga detyra e zëvendësministrit të Drejtësisë është liruar Erdian Salianji dhe është emëruar Etilda Gjonaj. Në postini e zëvendësministres së Brendshme nuk do të jetë më Elona Gjebrea, ajo të zëvendësohet nga Rovena Boda. Ndërsa Mira Kapizyzi me vendim të Këshillit të Ministrave do të mbajë postin e zëvendësministres së Shëndetësisë. Më herët ajo ka mbajtur postin e shefes së Shërbimit Neurovaskular në Spitalin Universitar “Nënë Tereza”. Këto ndryshime pasojnë emërimin e 6 ministrave teknikë dhe zv/kryeministrit propozuar nga Partia Demokratike dhe konfirmuar nga kryeministri Edi Rama.

Artikulli paraprakFund financimeve private dhe pagesat për reklamat në TV
Artikulli tjetërBlerja e votës deri 7 vite burg, ndërhyrja e policisë 5 vite burg