Fund financimeve private dhe pagesat për reklamat në TV

Në zgjedhjet e 25 qershorit nuk do të ketë më shpenzime të shfrenuara nga partitë politike, qoftë për reklama, qoftë dhe për reklama televizive. Kuvendi miratoi dje një shtesë në Ligjin “Për partitë politike”, ku ndër të tjera ndalohet dhe dhënia e kontributeve nga individë të caktuar, vendas apo të huaj për qëllime elektorale. Burimet financiare të lejuara sipas ligjit, janë ato që parashikohen në Kodin Zgjedhor, që janë fondet e buxhetit të shtetit, kreditë që mund të marrin partitë ose vlera monetare nga individë që nuk e kalojnë shumën e 1 milion lekëve. Çdo donacion tjetër, që vjen nga individë të huaj ose vendas në përjashtim me këtë nen, do të konsiderohet si shkelje e ligjit zgjedhor dhe do të jetë subjekt i Kodit Penal. Në këtë rast, do të ndiqen penalisht financierët e partive që i pranojnë ato, por edhe personat që kanë bërë donacionin. “Ndalohet financimi i fushatave zgjedhore nga fonde, dhurata apo shërbime pa kundërshpërblim të dhëna nga persona fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, jashtë rasteve dhe rregullave të parashikuara nga Kodi Zgjedhor. Shkelja e këtij ndalimi sjell përgjegjësi ligjore për personin përgjegjës për financat në atë parti politike, si dhe për personin fizik ose juridik, vendas apo të huaj”.
Ndërpreja e reklamave në televizione
Një pikë tjetër në ligjin për partitë politike, që ka të bëjë me reduktimin e financimeve të fushatës është dhe ndërpreja e reklamave në televizionet kombëtare apo ato lokale. Në ligjin e ri, mediat audiovizive detyrohen të vendosin 90 minuta reklamë falas në ditë për dy partitë e mëdha të mazhorancës dhe opozitës, 45 minuta për partitë e tjera parlamentare dhe 10 minuta për partitë jo parlamentare. “Pavarësisht përcaktimeve të bëra në Kodin Zgjedhor, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e Kuvendit të vitit 2017, radiot dhe televizionet private kombëtare, vendore apo satelitore, detyrohen që të vendosin në dispozicion falas për subjektet zgjedhore për reklama politike, respektivisht vetëm 90 minuta për partinë më të madhe të shumicës parlamentare dhe partinë më të madhe të pakicës parlamentare, 45 minuta për partitë e tjera parlamentare dhe 10 minuta për partitë joparlamentare”, thuhet në shtesën që i është bërë nenit 24 të këtij ligji. “Në rast shkeljeje të detyrimeve të parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni apo transmetimit të reklamave politike kundrejt pagesës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjobit operatorin radioteleviziv vendor apo satelitor me 4,000,000 lekë, operatorin radioteleviziv kombëtar me 8,000,000 lekë dhe partinë politike me 3,000,000. Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përbën titull ekzekutiv dhe zbatohet nga zyra e përmbarimit gjyqësor. Ankimi ndaj vendimit nuk pezullon ekzekutimin e tij. Në rast shkeljeje, KQZ-ja urdhëron Autoritetit e Mediave Audiovizive të bëjë bllokimin e transmetimit të operatorit radioteleviziv për 48 orë. Bllokimi vendoset jo më vonë se ora 18.00 e ditës pasardhëse”, thuhet në ligj. Heqja e reklameve me pagesë pritet të ulë ndjeshëm ndikimin e qeverisë në media gjatë fushatës, një problem shqetësues që është ngritur dhe në raportet ndërkombëtare të vëzhgimit.

Asnjë material propagandistik në fushatë

Subjekteve garuese, qofshin forca politike apo kandidatë për deputetë, nuk u lejohet të vendosin postera dhe flamuj më shumë se 5 metra larg zyrës elektorale. Me këtë vendim i jepet fund mbushjes së rrugëve dhe mureve me postera dhe shpenzimeve marramendëse për postera dhe flamuj, që janë bërë të zakonshme në çdo fushatë elektorale, ku natyrisht terrenin e dominonin partitë që mbështeteshin nga biznesmenë kryesisht ose kandidatë që përfitonin nga fondet dhe tenderat qeveritare. “Në çdo rast është e ndaluar përdorimi i materialeve propagandistike, përfshirë flamuj dhe postera të çdo lloji apo madhësie, në një distancë më të madhe se 5 m larg zyrës elektorale të subjektit zgjedhor apo kandidatit. Mosrespektimi i rregullave të parashikuara në këtë nen, përveç parashikimeve në Kodin Penal, përbën kundërvajtje administrative dhe passjell dënimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të personit përgjegjës për financat, përkatësisht me gjobë nga 1 000 000 deri në 3 000 000 lekë”, thuhet shprehimisht në ligjin e miratuar dje.

Ndalohet përdorimi i materialeve propagandistike, përfshirë flamuj dhe postera

(Neni 24/2) Kufizimi dhe përcaktimi i shpenzimeve të domosdoshme për fushatën zgjedhore
1. Asnjë parti politike, që merr pjesë në zgjedhje nuk mund të tejkalojë si shpenzim për fushatën fondin financiar që përcaktohet në pikën 3, të nenit 90 të Kodit Zgjedhor.
2. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në përputhje me fondin maksimal të parashikuar në pikën 1 të këtij neni, përcakton maksimumin e shpenzimeve për çdo fushatë zgjedhore, nisur nga gjendja e përgjithshme ekonomike në vend, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar në listën e zgjedhësve, aktivitetet, shërbimet dhe materialet e nevojshme për realizimin e një fushate zgjedhore.
3. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton me udhëzim mënyrën e përllogaritjes së kostos financiare të çdo aktiviteti, shërbimi apo materiali që do të përdoret për qëllime zgjedhore ose politike, nga partitë politike gjatë fushatës zgjedhore.
4. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton me udhëzim llojet dhe numrin e aktiviteteve, veprimtarive, shërbimeve dhe materialeve të lejuara për t’u përdorur nga një parti politike gjatë fushatës zgjedhore.
5. Në çdo rast, është e ndaluar përdorimi i materialeve propagandistike, përfshirë flamuj dhe postera të çdo lloji apo madhësie, në një distancë më të madhe se 5 m larg zyrës elektorale të subjektit zgjedhor apo kandidatit.
6. Mosrespektimi i rregullave të parashikuara në këtë nen, përveç parashikimeve në Kodin Penal, përbën kundërvajtje administrative dhe passjell dënimin nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të personit përgjegjës për financat, përkatësisht me gjobë nga 1 000 000 deri në 3 000 000 lekë.

Reduktimi i shpenzimeve të partive politike për reklama politike

(Neni 24/5)
1. Pavarësisht përcaktimeve të bëra në Kodin Zgjedhor, gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e Kuvendit të vitit 2017, radiot dhe televizionet private kombëtare, vendore apo satelitore, detyrohen që të vendosin në dispozicion falas për subjektet zgjedhore për reklama politike, respektivisht vetëm 90 minuta për partinë më të madhe të shumicës parlamentare dhe partinë më të madhe të pakicës parlamentare, 45 minuta për partitë e tjera parlamentare dhe 10 minuta për partitë joparlamentare. Partitë politike dhe çdo subjekt tjetër e ka të ndaluar bërjen e reklamave politike kundrejt pagesës gjatë fushatës zgjedhore. Kostoja për vënien e kohës në dispozicion falas subjekteve zgjedhore llogaritet si shpenzim i plotë i zbritshëm për efekte tatimore. Ngarkohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe ministri i Financave të nxjerrin udhëzimin përkatës.
2. Në rast shkeljeje të detyrimeve të parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni apo transmetimit të reklamave politike kundrejt pagesës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjobit operatorin radioteleviziv vendor apo satelitor me 4,000,000 lekë, operatorin radioteleviziv kombëtar me 8,000,000 lekë dhe partinë politike me 3,000,000. Vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përbën titull ekzekutiv dhe zbatohet nga zyra e përmbarimit gjyqësor. Ankimi ndaj vendimit nuk pezullon ekzekutimin e tij. Në rast shkeljeje, KQZ-ja urdhëron Autoritetit e Mediave Audiovizive të bëjë bllokimin e transmetimit të operatorit radioteleviziv për 48 orë. Bllokimi vendoset jo më vonë se ora 18.00 e ditës pasardhëse.
3. Monitorimi i zbatimit të rregullave të parashikuara në këtë nen, bëhet nga Bordi i Monitorimit të Medias, i cili njofton brenda ditës Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, në rast se vlerëson shkelje të detyrimeve të parashikuara në këtë ligj. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, vendos sanksionet sipas pikës 2 brenda 24 orëve, nga momenti i njoftimit nga Bordi i Monistorimit të Medias apo kërkesës së ndonjë subjekti zgjedhor.

Financimi i fushatës zgjedhore

(Neni 24/1)
1. Burimet e vetme të lejuara të financimit të fushatës zgjedhore për partitë politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, janë ato të parashikuara në nenin 87/1 të Kodit Zgjedhor.
2. Ndalohet financimi i fushatave zgjedhore nga fonde, dhurata apo shërbime pa kundërshpërblim të dhëna nga persona fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, jashtë rasteve dhe rregullave të parashikuara nga Kodi Zgjedhor. Shkelja e këtij ndalimi sjell përgjegjësi ligjore për personin përgjegjës për financat në atë parti politike, si dhe për personin fizik ose juridik, vendas apo të huaj.
3. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përcakton rregullat e detajuara për monitorimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore të partive politike të regjistruara si subjekte zgjedhore, për të verifikuar respektimin e ndalimit të parashikuar në pikën 2 të këtij neni, si dhe mënyrën e shpenzimit të fondit financiar të përfituar nga partia politike. Buxheti për zgjedhjet duhet të parashikojë edhe fondin e nevojshëm për auditimin e subjekteve zgjedhore, si dhe për monitorimin e shpenzimeve të fushatës zgjedhore.

Artikulli paraprakBE paralajmëron Ramën për koncesionet e borxhet e bashkive
Artikulli tjetërPesë gra nga 8 propozimet e PD, kush janë ministrat e rinj