Blerja e votës deri 7 vite burg, ndërhyrja e policisë 5 vite burg

Kushdo që do të guxojë të përfshihet në veprën penale të shitblerjes së votës do të përballet me burg, deri në shtatë vjet heqje lirie. Parlamenti miratoi me shumicë të cilësuar votash ndryshimet të reja në Kodin Penal, të cilat sanksionojnë për herë të parë masat më të rrepta të ndëshkimit për cilëndo që përfshihet në shitblerjen e votës.
Ashpërsimi i masave parashikon heqjen e gjobës, si në rastin e mëparshëm dhe zëvendësimin e saj me heqje lirie në rast të kryerjes së kësaj vepre penale. Miratimi i kësaj mase vjen pas marrëveshjes së arritur Basha-Rama për garantimin e zgjedhjeve.
Reforma Zgjedhore është një nga çështjet më të rëndësishme të marrëveshjes politike PS-PD të 18 majit. Amendimi i Kodit Penal lidhet me kundravajtjet elektorale, që do të konsiderohen “krime zgjedhore” ndaj dhe parashikohet një ashpërsim i masave për rastet e shitblerjes së votës.
Më herët nga nisja e seancës plenare, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha mblodhi grupin parlamentar, ku bëri një përmbledhje të rezultatit të marrëveshjes politike të 18 majit.
Duke folur për ndryshimet që janë bërë në Kodin Penal, në Ligjin e Medias dhe në Ligjin e Financimit të Partive, Basha u ndal në pikat kryesore që kanë të bëjnë me garantimin e votës së lirë.
Shitblerja e votës do të dënohet në mënyrë taksative nga 1 deri në 7 vite burg. Nuk do të ketë masa ndëshkimore si gjoba, por vetëm burg për ata që do të tentojnë tjetërsimin e vullnetit të lirë të votuesve shqiptarë. Kjo vepër penale do të jetë e paamnistueshme.
Do të dënohet nga 1 deri në 7 vite burg marrësi dhe dhënësi i kartave të identitetit.
Shpërdorimi i autoritetit policor për të influencuar në mbështetjen e një partie politike do të jetë vepër penale dhe të dënohet deri në 5 vjet burgim.
Përdorimi i mjeteve publike, veprimtarisë shtetërore apo i burimeve financiare ose njerëzore, për zgjedhje, do të dënohet vetëm me burgim, nga 1 deri në 4 vjet.
Ashpërsim të dënimeve për të gjitha veprat e tjera penale në fushën e zgjedhjeve, duke i parashikuar të gjitha si krime.
Gjithashtu, do të forcohen rregullat për të mbikëqyrur financimin e partive dhe ndalimin e financimeve të paligjshme.
Të gjitha këto masa dhe ndërhyrje, bëhen për të garantuar qytetarët shqiptarë nga presionet dhe shitblerja e votës dhe garë të ndershme për partitë politike në fushatën zgjedhore.
Këto ndryshime, së bashku me ministrat teknikë, kreun e ri të KQZ dhe Avokatin e Popullit, rezultat i marrëveshjes politike të 18 majit, u miratuan dje në seancën e pasdites në Kuvend.
Konkretisht marrëveshja e 18 majit parashikonte ndryshimin e Kodit Penal për forcimin e politikës penale nëpërmjet ashpërsimit të sanksioneve, krijimit të veprave të reja penale, kthimin e shitblerjes së votës në vepër korrupsioni.
Forcimi i kuadrit ligjor të financimit të partive politike nëpërmjet rregullimit dhe kufizimit të shpenzimeve zgjedhore, përfshirë ato materiale, kostove dhe transparencës në lidhje me to.
Përmirësimi i standardeve të pasqyrimit të fushatës elektorale në media.
Një tjetër pikë e rëndësishme është ndryshimi i ligjit për financimin e partive. Sipas propozimit të PD-së, partitë politike nuk duhet të përfitojnë më financime nga subjektet private, por vetëm nga financat publike. Megjithatë, kjo çështje është ende në diskutim mes palëve politike. Pas miratimit të kësaj pakete në Parlament, që do të jetë në funksion të zgjedhjeve të afërme, reforma zgjedhore do të pasohet nga një ndërhyrje më e thellë në legjislacionin elektoral, që pritet të nisë në muajin shtator dhe që synon rritjen e standardeve zgjedhore në Shqipëri.

Artikulli paraprakPesë gra nga 8 propozimet e PD, kush janë ministrat e rinj
Artikulli tjetërVetëm 22 bashki bëjnë transparencë me vendimet