Paratë e prindërve mbajnë hapur kopshtet publike të Tiranës

Ina Kasimati është nënë kryefamiljare që kujdeset e vetme për dy djemtë e saj. Për të voglin 4-vjeçar ka zgjedhur kopshtin publik nr. 22, pasi nuk e përballon dot privatin. Por kur kanë kaluar thuajse 6 muaj nga dita e parë e të birit në këtë kopsht, ajo tregon se një pjesë të rrogës si mësuese- e vetmja e ardhur për familjen e saj, “po ia ha” pikërisht ky institucion. “Në kohën e verës, kur po bëheshim gati për në kopsht, dëgjova mesazhet e kryetarit të bashkisë dhe po më dukej një nisje e mbarë. Por kur shkova në kopsht kam mbetur e surprizuar nga kërkesat e përditshme [dhe ato] mujore që ne duhet të plotësojmë”, shprehet Kasimati. Ajo tregon se në mbledhjen e parë që drejtoresha bëri me prindërit iu prezantuan nevojat që ka kopshti, ku përfshihen paketa e kancelarisë, pagesa prej 1 mijë lekësh të reja për rojen, nevoja për letra të lagura, letra të thata dhe sapun. Në të njëjtën mbledhje sipas Kasimatit, prindërve u është sugjeruar të sjellin edhe batanije, çarçafë dhe jorganë, pasi kopshti nuk i ka të asaj cilësie që mund të mbajnë ngrohtë fëmijën. “Unë jam e kënaqur me stafin e edukatorëve, por jo me atë që i paguaj taksat, bashkinë”, tha Kasimati. Ajo nuk është e vetmja. Shumë prindër përballen me pagesa ekstra në kopshtet publike. Këto kërkesa thuajse janë legjitimuar në të gjitha kopshtet nën administrimin e Bashkisë Tiranë, të cilat megjithë investimet e bëra, vazhdojnë të kenë mungesa në infrastrukturë, mobilje të amortizuara, mangësi mjetesh didaktike, ngrohje të papërshtatshme dhe paketë higjienike që le për të dëshiruar. Për të mbuluar këto mangësi, drejtuesit e kopshteve u drejtohen prindërve, të cilët janë të detyruar të marrin përsipër dhe faturën e kripur financiare që duhej të mbulohej nga Bashkia e Tiranës. Kjo situatë nuk është e re në Tiranë, ndërsa realiteti është në kontrast me fotografitë e shndritshme të publikuara si pjesë e nismës “Adopto një kopsht”, suksesi i të cilit u trumpetua me bujë nga kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj.

“Punë vullnetare”

Kopshti nr. 11 “Cicërimat” ndodhet në kryqëzimin e rrugës “Komuna e Parisit” me atë “Medar Shtylla” dhe është një ndër kopshtet me fluksin më të madh të kërkesave. Përveç zonës së vjetër, ky kopsht duhet të mbledhë edhe të gjithë fëmijët e zonës së mbipopulluar të “Komunës së Parisit” e deri lart te “Kodra e Diellit”, e ndërtuar pas viteve ’90. Kopshti nr. 11 u rikonstruktua gjatë verës së 2016-ës. Por edhe pas ndërhyrjes së bashkisë, vlen i njëjti rregull; paketën higjienike dhe atë didaktike duhet ta sigurojnë prindërit. Drejtoresha Katerina Grabova është nga ata lloj drejtuesish që e ka mbajtur me “thonj” këtë kopsht, e për të mbyllur “vrimat” ajo ka ndjekur një strategji tjetër. “Përpiqem të kuptoj se ku mund të më ndihmojnë prindërit”, thotë ajo. “Nëse kam një prind murator dhe kopshtit mund t’i ketë rënë suvaja në një cep muri apo brava ka dalë jashtë funksioni, ia kërkoj atij si nder. Dhe kështu e përjashtoj nga kërkesat që mund të ketë nga bordi i prindërve”, shpjegoi Grabova. Sipas Grabovës, në Bashkinë e Tiranës shkojnë me qindra kërkesa nga kopshtet dhe ata nuk mund t’u përgjigjen në kohë të gjithëve. “Duhet një bashkëpunim më i mirë me komunitetin e prindërve dhe unë ia kam dalë”, thotë ajo. Grabova është shumë e kënaqur që kopshti i saj përfitoi nga rikonstruksioni, por kjo nuk e ka bërë të heqë dorë nga kërkesat drejtuar Bashkisë së Tiranës, që synojnë përmirësimin e mëtejshëm të kushteve. “Në fillim, bashkia kishte parashikuar ndërhyrje vetëm në tri zëra, që ishte shtimi i tualeteve, shtrimi me parket dhe shtim mjedisi, por kur erdhën dhe e panë situatën nga afër dhe u tregova se çfarë problemesh kishim, kur u përfundua rikonstruksioni kishim ndërhyrë në plot 99 zëra”, kujton Grabova, e cila shton se në rikonstruksion kontribuan edhe prindërit. “A kemi nevoja të tjera? Sigurisht që po dhe shumë madje. Por ne jemi optimistë”, thotë drejtoresha. Manjola Ismailaj, kryetare e bordit të prindërve në kopshtin nr. 11 nuk e shikon problemin te dhurimet që duhet të bëjnë prindërit, por tek mbipopullimi i këtij kopshti. “Ne kemi kërkuar donacion vetëm për rojen. Edhe ne sjellim paketën higjienike dhe atë didaktike, por kjo nuk është me detyrim”, tha Ismailaj. “Ne kërkojmë vetëm të na ulet numri i fëmijëve nëpër grupe, ky për ne është shumë problem”, shtoi ajo. Në fakt, mbipopullimi është një tjetër gangrenë e kopshteve publike, ku numri i shtretërve është më i vogël se numri i fëmijëve që i ndjekin. Për të zgjidhur këtë ngërç, në shumë raste drejtuesit janë të detyruar t’u vënë kushte prindërve; ata që kanë gjyshërit në shtëpi të vijnë t’i marrin në drekë dhe të mos i lënë për gjumë në kopsht. Është pikërisht kjo zgjidhje “nga halli” që ka shfryrë disi ngarkesën, së paku në orarin e gjumit ku secili ka krevatin e vet. Pavarësisht fluksit të madh të kërkesave në kopshte duket se Bashkia e Tiranës ende nuk e ka ndarë mendjen për të ndërtuar ndonjë godinë të re. Pyetjes së “BIRN” se cilat janë projektet e bashkisë për të zbutur mbipopullimin, Bashkia e Tiranës i përgjigjet nëpërmjet Qendrës Ekonomike të Zhvillimit dhe Edukimit të Fëmijëve, QEZHEF. “Sigurisht që numri aktual i kopshteve nuk i plotëson kërkesat e qytetarëve për regjistrimin e fëmijëve. Tirana ka një dendësi popullsie, e cila kërkon hapjen e kopshteve të reja”, konstaton Zhaneta Beqiri, drejtore e QEZHEF.

Ngrohja e papërshtatshme

Në fillim të janarit, kopshtet qëndruan të mbyllur për dy javë për shkak të të ftohtit të pazakontë të këtij fillimviti. Kur hapën dyert, sërish problemi i ngrohjes nuk ishte zgjidhur. Pavarësisht reagimeve të forta që pati asokohe nga vetë qytetarët, fëmijët e të cilëve ndiqnin kopshtet dhe shkollat publike në Tiranë, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se vetëm 2% e institucioneve arsimore nuk kishte ngrohje. “Ditën e parë të këtij viti, kur shkuam dhe lamë fëmijët në kopshte ku nuk kishte ngrohje”, tregon Ina Kasimati. “Ditët më pas të janarit u përmirësua disi, por megjithatë nuk mund të them se kopshti i djalit është i ngrohtë”, shtoi ajo. Kasimati ankohet se për pushtetin vendor në Tiranë, fëmijët janë prioritet vetëm në fjalë, pasi ky prioritet jo gjithmonë përkthehet në investime dhe përmirësim të situatës. “Unë do të doja që në këtë situatë, të kishte dalë një raport nga bashkia, ku të renditej e gjithë problematika që ka pasur sistemi i ngrohjes. Të na thuhej në kaq shkolla dhe kopshte e çerdhe, sistemi ka funksionuar, në kaq institucione janë ngrohur me kondicioner, etj. Por gjithçka është në terr dhe ne nuk dimë asgjë”, tha ajo. E njëjta situatë raportohet edhe në kopshtet e tjera. Kaldajat mund të qëndrojnë hapur maksimumi katër orë në ditë, por duket se kaq orë nuk mjaftojnë për të krijuar një temperaturë optimale në grupet ku qëndrojnë të vegjëlit. Si pasojë, thuajse në të gjitha kopshtet, në sallat e ndenjes së fëmijëve qëndrojnë të hapur reflektorët që të ngrihen pak temperaturat. Pyetjes së “BIRN” se, a kanë ngrohje të vazhdueshme, me kaldajë apo kondicioner kopshtet publike dhe a funksionon gjatë gjithë kohës sistemi i ngrohjes, Bashkia e Tiranës është mjaftuar t’i japë një përgjigje rutinë dhe pa sqaruar aspak se në çfarë situate i lënë prindërit fëmijët e tyre. “Pjesa më e madhe e kopshteve kanë në funksion kaldajën të rikonvertuar me lëndë djegëse naftë, e cila ka rendiment më të lartë ngrohjeje”, thuhet në përgjigjen e Bashkisë Tiranë. Por vetë drejtuesit e kopshteve thonë nën zë se problem i vërtetë nuk është dimri, por vera. “Të gjithë mediat interesohen vetëm në dimër, por ta dini ju se ç’bëhet në verë? Atëherë është tmerr. Sepse tani kemi kaldajë, kurse në verë s’ka sistem ftohjeje dhe thuajse të gjitha kopshtet rrihen gjatë gjithë ditës nga dielli. Vera është një tmerr i vërtetë”, thotë njëra prej punonjësve të kopshteve publike.

Marrë me shkurtime nga “Reporter.al”

Artikulli paraprakShpenzimet e parealizuara buxhetore janë keq, jo mirë
Artikulli tjetërThellohet afera, koncesioni i hemodializës i kalon kompanisë guaskë në Amsterdam