Shpenzimet e parealizuara buxhetore janë keq, jo mirë

Gjergj EREBARA

Me një gjuhë jopolitike, thuajse të pandjeshme në diskursin publik, Banka e Shqipërisë tashmë ka mbi një vit që në disa raste ka shprehur shqetësimin se buxheti i shtetit nuk po shpenzohet, e për rrjedhojë, ekonomia po dëmtohet.
Herën e fundit kur u dha ky rekomandim qe 3 maji i këtij viti: “Banka e Shqipërisë vazhdon të tërheqë vëmendjen mbi nevojën për një shpërndarje më të njëtrajtshme të shpenzimeve dhe të deficitit buxhetor përgjatë vitit”, deklaroi guvernatori Gent Sejko pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Kjo është e disata herë që Banka e Shqipërisë shpreh një shqetësim të tillë, por zëri i saj dukshëm është tepër i dobët për t’u dëgjuar në mjedisin e opinionit publik ku dominon debati politik. Atë që BSH e konsideron si shqetësim për të tërhequr vëmendjen, në fakt qeveria e konsideron si akt për t’u mburrur. “Ky është viti i parë elektoral me suficit buxhetor”, deklaroi ministri në ikje Arben Ahmetaj pak ditë më parë.
Parë ngushtësisht nga pikëpamja statistikore, kjo është mëse e vërtetë. Gjatë zgjedhjeve të viteve 2001, 2005, 2009 e 2013, deficiti i madh buxhetor para zgjedhjeve ka qenë problemi kryesor i vendit. Tani problemi është në krah të kundërt.
Gjatë vitit 2016, qeveria pati planifikuar një deficit total prej 34 miliardë lekësh, me një suficit të vogël në katër muajt e parë dhe me deficit në rritje në pjesën e mbetur të vitit. Por ajo që ndodhi në fakt qe që suficiti buxhetor vijoi në nivele të pabesueshme deri në muajin nëntor 2016, ndërsa në dhjetor, qeveria shpenzoi një sasi të stërmadhe parash për të mbyllur vitin me 27 miliardë lekë deficit.
E njëjta situatë u përsërit edhe në tre muajt e parë të këtij viti. Ndërsa plani i buxhetit parashikonte një suficit prej 2.3 miliardë lekësh deri në prill, suficiti real qe 6.4 miliardë lekë.
Suficiti dhe deficiti janë një statistikë në buxhetin e shtetit, por një statistikë që ka pasoja të gjera, pozitive apo negative në ekonominë reale të shqiptarëve. Deficiti i lartë, për shembull, shkakton rritje të kostos së borxhit publik dhe njëkohësisht rritje ekonomike, ndërsa suficiti i lartë, shkakton rënie të kostos së borxhit publik dhe njëkohësisht penalizon ekonominë, e cila nuk rritet aq shpejt sa duhej të rritej. Në total, ekonomia e mirë nuk është suficit i lartë dhe as deficit i lartë, por një balancë mes rezultatit final të bilancit publik dhe kontributit në ekonominë e vendit të këtij bilanci.
Për rrjedhojë, suficiti i lartë dhe i palogjikshëm aktual është po aq i dëmshëm sa edhe deficiti i lartë dhe i palogjikshëm i viteve të tjera zgjedhore.
Që të dyja fenomenet, deficiti i zakonshëm i zgjedhjeve të kaluara dhe suficiti i pazakonshëm i zgjedhjeve aktuale kanë shpjegimet e veta politike dhe jo ekonomike. Dhe që të dyja janë të dëmshme për ekonominë.
Gjatë viteve të shkuara zgjedhore, qeveritë zakonisht u angazhuan në atë që njihet si “fuçia e derrit”, shpenzime të fryra buxhetore për të krijuar përshtypjen e gënjeshtërt te elektorati që gjërat po ecin mirë dhe që qeveria po punon. Paralelisht, këto shpenzime buxhetore shërbejnë jo vetëm për të gënjyer elektoratin, por edhe për të ushqyer makineritë elektorale klienteliste pasi në Shqipëri tenderët i fitojnë kompanitë pranë qeverive dhe këto kompani bashkë me qeveritarët përkatës përpiqen të vjedhin sa më shumë pak para zgjedhjeve për të financuar fushatat e veta elektorale apo për shkak se parashikojnë humbjet e zgjedhjeve. Shqiptarët kanë krijuar një term për të shpjeguar këtë situatë: “Asfalt elektoral”. Ky është një term që nënkupton pak a shumë një asfaltim rruge të kryer keq, sa për sy e faqe para zgjedhjeve dhe që me gjasa, shkatërrohet si investim menjëherë pas zgjedhjeve.
Suficiti aktual ka gjithashtu një shpjegim, i cili është mosqeverisja e vendit. Përgjatë katër viteve të fundit, qeveria nuk ka shprehur interes të kujdeset në kryerjen e kurrfarë investimi publik të rëndësishëm. Rrugët kombëtare kanë mbetur të papërfunduara, me punime të bllokuara dhe të zvarritura për vite me radhë. Ujësjellësat, kanalizimet e ujërave të zeza etj., gjithashtu kanë mbetur në vendnumëro. E vetmja gjë që ka ecur është programi i ashtuquajtur “Rilindja Urbane”, program që nënkupton ndërtim sheshesh e lyerje fasadash pa ndonjë rol të qartë ekonomik, por që gjithashtu synon të krijojë përshtypjen e ndryshimit për mirë te votuesit.

Artikulli paraprakKosovë, rikthehen mashtruesit e aviobiletave
Artikulli tjetërParatë e prindërve mbajnë hapur kopshtet publike të Tiranës