Thellohet afera, koncesioni i hemodializës i kalon kompanisë guaskë në Amsterdam

Besar Likmeta

Me datë 10 nëntor 2016 paketa maxhoritare e aksioneve të Evita Sh.p.k, e cila zotërohej nga biznesmeni kontrovers i faramaceutikëve Rasim Hamzaraj, i është shitur kompanisë hollandeze Arimo B.V. Nëpërmjet kontratës të nënshkruar midis Hamazarajit dhe kompanisë holandeze, 1 kuotë e barabartë me 72.5% të aksioneve të Evita sh.p.k, i është shitur Arimo B.V për shumën e 160 mijë eurove, ndërkohë që pjesa tjetër mbetet në duart e aksionerit në minorancë Ertel Kërçuku. Vetë biznesmeni Hamzaraj dhe aksioneri në minorancë, Kërçuku i patën blerë aksionet e Evita sh.p.k, në 21 shtator 2016 për 30.1 milionë lekë. Vlera me të cilën Hamzaraj e ka shitur paketën e tij të aksioneve kompanisë hollandeze Arimo B.V është gati e njëjtë me shumën prej 21 milionë lekësh që ai kishte paguar për t’i blerë ato nga vajza e xhaxhait të Klodian Allajbeut – drejtor i Spitalit Amerikan në Tiranë. Transferimi i aksioneve të Evita B.V. drejt një kompanie guaskë të regjistruar në Amsterdam nuk përbën një shkelje ligjore; megjithatë, ky transaksion ngre pikëpyetje se kush është pronari i vërtetë i kontratës së hemoldializës, e cila vlerësohet në 8.6 miliardë lekë (73 milionë USD) në një periudhë 10-vjeçare. Koncesioni i hemodializës është një nga katër kontratat koncesionare të tenderuara në fushën e shëndetësisë nga qeveria e qendrës së majtë e kryeministrit Edi Rama, pas ardhjes në pushtet në vitin 2013 me një premtim për shëndetësi falas. Ky premtim nuk u mbajt, ndërkohë që qeveria e thelloi rolin e kompanive private në sistemin shëndetësor, duke dhënë tre koncesione me vlerë 250 milionë USD dhe është në procesin e tenderimit të një kontrate të katërt me vlerë 100 milionë USD për menaxhimin e laboratorëve. Përveç koncesionit të hemodializës, shumë të debatuar kanë qenë dhe kontratat për partneritet publik-privat për kontrollin bazë “check-up”-in dhe sterilizimin e instrumenteve dhe seteve kirurgjikale. Sipas opozitës së udhëhequr nga Partia Demokratike, këto kontrata koncesionare janë korruptive dhe qëllimi i tyre ka qenë të shpërblejnë ‘klientët’ e Partisë Socialiste. Ndërkohë, qeveria i ka përshkruar koncesionet ose partneritetin publik-privat si të vetmen mënyrë për të sjellë shërbime të munguara në një kohë të shkurtër për qytetarët në mungesë të fondeve buxhetore për investime të mëdha publike. Ajo i ka hedhur poshtë akuzat e opozitës si ‘baltë’ e hedhur për përfitim politik. Në total vetëm gjatë vitit 2017, koncesionet pritet t’i kushtojnë buxhetit të shtetit 7.3 miliardë lekë. Gjatë vitit 2015, Evita Sh.p.k ka pasur të ardhura vjetore prej 300 milionë lekë dhe një fitim prej 42.8 milionë lekë. Kur kjo kompani fitoi kontratën koncesionare për hemodializën në tetor 2015, ajo ishte pak e njohur për publikun. Për menaxhimin e koncesionit, EVITA Sh.p.k dhe Spitali Amerikan Sh.a themeluan kompaninë Dia Vita Sh.p.k, ku Evita Sh.p.k zotëron 85% të aksioneve. Rasim Hamzaraj është administrator dhe aksioner i kompanisë farmaceutike Megapharm, e cila është një nga kontraktorët më të mëdhenj të qeverisë për barna. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti Shqiptar i Shkencave, në 9 muajt e parë të vitit 2016, Megapharm sh.p.k ka  lidhur 352 kontrata me qeverinë me një vlerë totale prej 452 milionë lekë. Gjatë vitit 2015, kjo kompani ka regjistruar me shumë se 1.2 miliardë lekë shtije. Në të kaluarën Hamzaraj ka qenë në qendër të akuzave politike për përfitime nga tenderët me barnat dhe lidhjet e saj me kreun e LSI-së, Petrit Vasili – gjatë kohës që ky i fundit shërbeu si ministër Shëndetësie në vitin 2011. Megapharm i ka hedhur poshtë akuzat si të motivuara politikisht, dhe ka deklaruar se do ndërmarrë padi për shpifje kundër politikanëve që i kanë artikuluar. Në vitin 2010, Hamzaraj ka qenë gjithashtu pjesë e një hetimi të Inspektoriatit të Lartë për Deklarimin e Pasurisë dhe Konfliktin e Interesit, ILDKPKI, në lidhje me një seri transaksionesh të dyshimta për shit-blerjen e aksioneve të kompanisë Fortis 2, nga bashkëshortja e ish-ministrit të Ekonomisë Dritan Prifti.
Kompania holandeze Arimo B.V është e regjistruar në një ndërtesë 5-katëshe me zyra në rrugën Paasheuvelweg  nr.16 në periferi të Amsterdamit. Adresa përkon me zyrën e kompanisë Capita Asset Services, e cila ka përfaqësuar dhe blerësin në transaksionin e shitjes së aksioneve të Evita Sh.p.k. Capita Assets Services B.V është një kompani shërbimesh financiare ndërkombëtare. Jogchum Beetsma, jurist i kësaj kompanie i profilizuar në ndërtimin e kompanive financiare në formë trusti, fondacioneve dhe shërbimeve për korporatat, ka udhëhequr negociatat e Arimo B.V. me Hamzarajin për blerjen e aksioneve të Evita Sh.p.k. Arimo B.V, sipas të dhënave të paraqitura në kontratën e shitjes së aksioneve është e regjistruar në emër të dy drejtorëve të nominuar të Capita Assets Services-Jules de Kom si mbajtës i aksioneve “proxy” dhe H.J.A Kool si menaxher drejtues i kompanisë.
Jules de Kom shfaqet si mbajtës në formën “proxy” i paketave aksionesh për kompani të ndryshme të regjistruara në Holandë.

Artikulli paraprakParatë e prindërve mbajnë hapur kopshtet publike të Tiranës
Artikulli tjetërMosmarrëveshjet brenda koalicionit qeveritar