Kryeprokurorja e Ramës i trembet drejtësisë, nuk shkon në gjyq

Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, nuk pranoi të paraqitet personalisht në përballjen gjyqësore mes saj dhe Rovena Gashit në Gjykatën Administrative. Pas kësaj, kërkesa e Gashit u refuzua edhe nga Gjykata. Ndërsa avokati i ish-drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, Çlirim Gjata, tha se kryeprokurorja ka frikë të përballet me sallën e gjyqit, ndërsa theksoi se shkarkimi i klientes së tij nga detyra erdhi pas dorëzimit në KQZ të kërkesës për heqjen e mandatit të dy deputetëve.
“Prandaj unë e kërkova. Se e ka ligji në bazë të kërkesave ligjore, qoftë ligji për gjykimet administrative, qoftë Kodi i Procedurës Civile, që kur ka paqartësi thirret vetë Prokurorja e Përgjithshme, personalisht të vijë t’i sqarojë gjërat”, u shpreh avokatiÇlirim Gjata.
Kjo kërkesë e bërë nga avokati i Rovena Gashit në seancën e 31 janarit 2018 u kundërshtua nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Përmes përfaqësueses së saj në Gjykatën Administrative, Pranvera Gruda, Marku shprehu mungesën e vullnetit për t’u paraqitur në gjyq. Juristja e Prokurorisë e cilësoi kërkesën të pabazuar në ligj, pretendim që u miratua në vijim edhe nga Gjykata.
Pas këtij vendimi, kryesuesi i seancës deklaroi të mbyllur fazën përgatitore dhe caktoi datën 27 shkurt për seancën e shqyrtimit në themel të padisë. “E çuditshme ku ka përfunduar Prokuroria ku vet Prokurorja e Përgjithshme ka frikë sallën e gjyqit. Po nuk shkoi në sallën e gjyqit, nuk e di për çfarë duhet kryeprokurorja.

Ky është një intimidim i keq për gjithë prokurorët. Le të vijë të sqarojë gjërat, sepse jemi në një proces pa motivacion, pa procedurë, pa kompetencë. Është mbështetur në një dispozitë, që ka të bëjë me strukturimin e Prokurorisë së Përgjithshme. Struktura ka dalë pas një muaji dhe struktura është copy-paste me atë të Adriatik Llallës. Nuk ndryshon asgjë, të paktën në sektorin, ku është larguar nga detyra e përfaqësuara prej meje. Kjo ndodhi fiks sapo ish-drejtorja dërgoi në KQZ emrat e dy deputetëve që prekeshin nga ligji i dekriminalizimit”, u shpreh avokati Gjata.
Duke rikujtuar se Rovena Gashi u lirua, pasi dërgoi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve emrat e dy deputetëve që prekeshin nga dekriminalizimi, Gjata bëri një sfidë publike për Prokurorinë e Përgjithshme. “Fakti që u ndërrua Drejtorja e Marrëdhënieve me Jashtë nuk është kot. Nuk ka qenë thjesht një lajthitje ligjore. Ajo ka një qëllim. Unë e thashë. Jam gati të djeg licencën time nëqoftëse Drejtoria e re e Marrëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme do dërgojë qoftë edhe një emër të nëpunësit të kriminalizuar sot e tutje”, tha avokati Çlirim Gjata.
Urdhri administrativ për lirimin nga pozicioni drejtues i Rovena Gashit u firmos nga kryeprokurorja Marku në 29 dhjetor 2017.

Artikulli paraprakPD, votë për anëtarësim në BE, problemi Rama
Artikulli tjetër“Peng” për një firmë, bllokohet Hipoteka e Lezhës