PD, votë për anëtarësim në BE, problemi Rama

Vota pro e PD-së për miratimin konsensual të deklaratës së Komitetit të Stabilim-Asociimit me Bashkimin Europian është kontribut për avancimin e integrimit europian të vendit. Në deklaratën e përbashkët janë përfshirë disa nga shqetësimet kryesore të opozitës që nga marrja e masave për shitblerjen e votës deri tek hetimi i politikanëve të lartë si njerëzit e zakonshëm, pa mbrojtje nga Parlamenti.
Votëblerja dhe presioni kriminal ndaj votuesve, kanabizimi i vendit, përdorimi i imunitetit parlamentar, koncesionet e aferat kanë shqetësimet e ngritura nga opozita gjatë takimit të Komitetit të MSA. Deputeti demokrat, Genc Pollo, i pranishëm në punimet e Komitetit të MSA tha se, ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga opozita ishte dhe është përdorimi i imunitetit parlamentar për të mbrojtur zyrtarët e lartë, kur ata përballen me akuza penale. Ai tha se, nuk mund të kenë mbrojtje legjislative më të lartë se sa qytetarët e thjeshtë. Po ashtu ai tha se, shqetësim ishte jo vetëm kanabizimi, por kalimi i drogave të rënda, si kokaina.
“Kjo deklaratë u miratua edhe me votat e opozitës. Është kontributi i vetëm që ne mund të kemi për të ndihmuar në avancimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Për të ndihmuar në çeljen e negociatave, të cilën shpresojmë të ndodhë në qershor. Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë edhe pse qeveria mund të vazhdojë me refrenin e saj se, fajtore është opozita për gjithçka, përfshi edhe votimin e Integrimit Europian.

Faktet flasin më shumë se deklaratat dhe do të thoja që ky sot është një test, i cili përfshin shumë nga shqetësimet tona, i cili mori votat edhe të Partisë Socialiste dhe të gjithë partive të Parlamentit Europian, të përfaqësuara nga eurodeputetët, duke nisur nga shqetësimi për blerjen e votave, në zgjedhjet e fundit parlamentare, nga presioni mbi votuesit, siç e parashikon ligji penal shqiptar. Është një tekst që parashikon që politikanët e lartë, përfshirë ish-ministrat e Brendshëm dhe deputetët aktualë, të mos kenë mbrojtje ndryshe nga qytetarët e këtij vendi. Këto rekomandime njohin shqetësimin e madh të ngritur nga opozita në tre vitet e fundit për kanabizimin e madh të vendit. Dhe fakti që kjo pranohet nga i gjithë spektri i europarlamentarëve, tregon që BE është i ndërgjegjshëm për këtë. Mund të mos jenë dy ose tre nëpunës të tij, por çka është e rëndësishme është theksi i këtij dokumenti i avancimit të grupeve kriminale të kanabisit dhe kokainës”, u shpreh Pollo.
Nga ana tjetër, ai preku edhe çështjen e azilkërkuesve si një tjetër dramnë e shoqërisë shqiptare e shkaktuar nga mazhoranca.

“Tjetër shqetësim i opozitës që reflektohet në këtë dokument janë partneritetet private-publike. Bëhet thirrje që të ketë kontroll dhe vlerësim të investimeve publike dhe PPP-ve, pasi ato janë shqetësim në shumë drejtime. Çështja e azilkërkuesve dhe shkaqet që qytetarët shqiptarë lënë vendin janë bërë një problem jo vetëm për Europën, por edhe për Shqipërinë dhe thirrja për qeverinë është të marrë masa për këtë gjë.
Liria e medias është një temë që ne gjerësisht po e debatojmë dhe problemi i ndërhyrjes politike është aktuale, dhe e pasqyruar në rekomandimet e sapomiratuar.
Është një dokument me të cilin të gjithë jemi të kënaqur. Më vjen mirë që shqetësimet tona, ndryshe nga ç’ndodh në seancë plenare, morën votat e mazhorancës dhe të gjithë eurodeputetëve të pranishëm”, tha Pollo.

 

Artikulli paraprakPedagogët, 10 ditë afat Ramës, ndryshe grevë e përgjithshme në universitete
Artikulli tjetërKryeprokurorja e Ramës i trembet drejtësisë, nuk shkon në gjyq