Meta poshtë Ballkonit të Berishës, gazetari: Tregon se nuk ka vend ku të fusë kokën, do ndikojë në listën e deputetëve të grupimit të Rithemelimit

I ftuar në “Report TV” gazetari dhe analisti Namir Lapardhaja ka komentuar edhe vajtjen e Metës poshtë Ballkonit të Berishës dy ditë më parë, duke u shprehur se një gjë e tillë tregon hallin e madh që Meta ka, duke kërkuar një vend për të futur kokën.

Gjithashtu, ai u shpreh se një lëvizje e tillë, nëse do të kemi këtë konfigurim politik, do të ndikojë në listën e deputetëve të grupimit të Rithemelimit, për shkak se Meta i ka shprehur më shumë se një herë preferencat dhe mospreferencat e veta në atë grupim.

“Vajtja e tij poshtë ballkonit të Berishës, pas një periudhe shumë të gjatë heshtjeje dhe hezitimi, duke mos e përmendur asnjëherë dhe duke u munduar për të dhënë mesazhe ndryshe nga ato të Berishës, tregon hallin e madh të Metës dhe humbjen e tij të shpresës se mund të ketë të ardhme politike, ndaj vajtja atje më shumë se sa për të treguar forcë, tregon që edhe Meta do një vend ku të fusë kokën. Zgjodhi ta fusë poshtë Ballkonit të Doktorit. Në fakt, bëri zgjedhjen më të papërshtatshme të mundshme, sepse SPAK-u po tregon se nuk po pyet për asnjë tani.” – u shpreh ai.

“Gjithashtu, një gjë e tillë, nëse do të kemi këtë rikonfigurim politik dhe pa e marrë në konsideratë se çfarë do të veprojë SPAK-u me palët, do të krijojë mjaft konflikte dhe përplasje në listën e deputetëve të vitit të ardhshëm, sepse Meta ka qenë mjaft i ashpër dhe i qartë me grupimin e Gaz Bardhit, duke thënë disa herë se ai do të bashkëpunojë vetëm me Doktorin dhe me asnjë tjetër. Mos të harrojmë, gjithashtu, se Rithemelimi vijon të jetë një grup ilegjitim, i paregjistruar në Gjykata, gjë që do të detyrojë të futen nën umbrellën e Metës, me rregullat e lojës që do të diktojë ai. Dihet se oreksi dhe ambicia e Ilir Metës do të lërë shumë jashtë liste nga ata që kanë parë ëndrra me deputetë përgjatë këtyre viteve.” – përfundoi Lapardhaja.

Artikulli paraprakMasakra e Srebrenicës, mund të njihet si gjenocid nga Kombet e Bashkuara pas gati 30 vitesh! Propozim-rezulotua nxeh Vuçiçin e Dodikun
Artikulli tjetër“Sulmet e Metës i rrisin pikët Bashës”/ Muça: Berisha nisi djegien e mandateve