Kosovë, hapet fushata elektorale

Ambasada amerikane në Prishtinë bëri thirrje të mërkurën për shmangien e çdo forme të dhunës e frikësimit gjatë fushatës dhe ditën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Në mesnatë partitë politike hapën edhe zyrtarisht fushatën dhjetëditëshe për zgjedhjet e 11 qershorit, ndonëse fushata në terren ka filluar që me shpalljen e këtyre zgjedhjeve në fillim të këtij muaji. 26 subjekte politike nga të cilat 5 koalicione, 19 parti politike dhe dy nisma qytetare, do të konkurrojnë për Parlamentin 120 vendesh të Kosovës, ndërsa mbi një milion e 900 mijë votues kanë të drejtë vote. Ambasada amerikane nëpërmjet një komunikate bëri thirrje që të gjithë kandidatët politikë të përkushtohen për zgjedhje të lira, të besueshme e të qeta. “Në këto zgjedhje, ne do t’i ndihmojmë Kosovës në përmbushjen e standardeve evropiane duke vendosur ekipe vëzhguese anekënd vendit në ditën e votimit. Fatkeqësisht, tanimë ka pasur deklarime të besueshme lidhur me frikësimet që ndërlidhen me zgjedhje. Kandidatët politikë, gazetarët dhe familjet e tyre gjithashtu janë kërcënuar nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës. Dënojmë fuqishëm këdo që tenton të ndikojë procesin zgjedhor apo përzgjedhjen e votuesit nëpërmjet këtyre veprimeve. Presim që të gjithë qytetarët, përfshirë këtu edhe ata që aspirojnë të jenë udhëheqësit e ardhshëm të Kosovës të ngritin zërin fuqishëm kundër sjelljeve të tilla”, thuhet në komunikatë. Ambasada thekson se “qytetarët meritojnë një proces të hapur dhe transparent zgjedhor ku të gjithë kandidatët kanë të drejtë të dëgjohen nga votuesit, ku përfaqësuesit e mediave pa dhunë ose kërcënime kanë të drejtë të shpërndajnë informacione lidhur me zgjedhjet dhe të gjithë votuesit kanë të drejtë të vendosin vetë pa ndonjë trysni nga jashtë. Ambasada shpreson që kandidatët do t’u përmbahen këtyre standardeve përgjatë gjithë periudhës së fushatës dhe votuesit do ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votojnë dhe të zgjedhin me vëmendje ata kandidatë, të cilët më së miri do t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve dhe të shtetit, i cili synon të vazhdojë drejt rrugës së integrimeve euro-atlantike”, përfundon komunikata e ambasadës amerikane. Që nga shpallja e zgjedhjeve, krahas përgatitjeve teknike, kanë filluar edhe thirrjet për një proces të lirë e demokratik dhe shmangien e parregullsive. Bashkimi Evropian tashmë ka filluar vendosjen e një misioni prej rreth 100 vëzhguesve për zgjedhjet e 11 qershorit, ndërsa për vëzhgimin e tyre janë zotuar edhe diplomatët europerëndimorë të akredituar në Prishtinë. Policia e Kosovës dhe mekanizmat e tjerë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor thonë se janë duke bashkërenduar planet e përbashkëta të veprimit për të siguruar një mjedis të qetë në ditën e zgjedhjeve, përfshirë edhe veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Pesë subjekte politike nga radhët e komunitetit serb janë regjistruar për të marrë pjesë në këto zgjedhje, ndonëse autoritetet në Serbi janë vënë në përpjekje për të bashkuar serbët e Kosovës në një listë të përbashkët. Por, kësaj radhe serbët e Kosovës janë të ndarë. Një pjesë e mbledhur rreth Listës serbe, ka përkrahjen e Beogradit zyrtar, ndërsa pjesa tjetër akuzon Serbinë për manipulim me qytetarët serb që jetojnë në Kosovë.

Artikulli paraprakDe Rossi te Roma deri në vitin 2019
Artikulli tjetërAlket Hyseni, mbrojtës i abuzimeve me tokat e bregut dhe i parave të drogës!