De Rossi te Roma deri në vitin 2019

Dashuria e Daniele de Rossit për Romën nuk ka fund. Një muaj para skadimit të kontratës, kapiteni i ri i verdhekuqve firmosi zgjatjen e bashkëpunimit deri në vitin 2019. Zyrtarizimi u bë nga vetë klubi nëpërmjet Facebook-ut, kur De Rossi iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve të tifozëve.
“Jam i mbushur me tatuazhe, por duart i kam të lira për të firmosur qetësisht kontratat”, ishte një nga batutat e futbollistit të kombëtares italiane.
“Firmosa në këtë moment, por marrëveshjen e kishim arritur prej kohësh. Nuk doja ta ndaja me ju këtë lajm të dielën për të respektuar një tjetër histori që po mbyllej apo që mund të mos përfundojë kurrë. Po t’i jepja edhe unë lamtumirën, do të ishte shumë e rëndë për tifozët”, u shpreh De Rosi.
Fjala është për lamtumirën e Francesco Tottit, që ndaj Genoas në “Olimpico” zhvilloi ndeshjen e tij të fundit me Romën. Një ditë më parë kishte rinovuar kontratën me verdhekuqtë edhe Strootman, të cilin De Rossi e konsideroi pasuesin ideal të Tottit. Më tej kapiteni verdhekuq shtoi se ka zhvilluar një nga tre sezonet më të mirë dhe kjo është meritë edhe e trajnerit Spalletti.

Artikulli paraprakManchester City kërkon Sanchez
Artikulli tjetërKosovë, hapet fushata elektorale