Alket Hyseni, mbrojtës i abuzimeve me tokat e bregut dhe i parave të drogës!

Kur vjen puna tek rekrutimet e personave që mund t’i shërbejnë për të mbuluar abuzimet e tij, Edi Ramës i duhet njohur aftësia e përzgjedhjes së tyre. Sa më shumë abuzivë të jenë me detyrën, sa më shumë servilë aq më shumë ai i afron. Kështu është për shembull rasti i Alket Hysenit, kandidatit të tij numër 3 në Qarkun e Vlorës, të cilin e ka lënë për të mbuluar zonën e Konispolit dhe Ksamilit, krahina që në legjislaturën e mëparshme i mbulonte Koço Kokëdhima. Alket Hyseni, ish-drejtori i Parandalimit të Pastrimit të Parave ka një marrëdhënie jo fort korrekte me pushtetet që ka mbajtur. Që nga viti 2007, ai është përgjegjësi për ndryshimet në statutin e PS që çimentonin pushtetin e Ramës. Ideja e tij ishte dhe ajo e janarit të 2016, që garën për kreun e PS-së e ktheu në një referendum në favor të Edi Ramës.

Abuzimi me pronat

Por marrëdhëniet brenda PS-së janë çështje e kryetarit të asaj partie. Alket Hyseni ka bërë më shumë se aq. Për shembull, në vitin 2014 ai u emërua në krye të një Task Force për tokat e bregdetit të Jugut. Qëllimi sipas asaj çka doli në publik ishte që Hyseni të merrej me verifikimin e tjetërsimit të titujve të pronësisë në këto zona. Por nga ai grup pune nuk doli asgjë dhe nuk u publikua asnjë raport. Megjithëse nga Vlora dhe zonat e tjera Prokuroria ka hapur mjaft çështje në lidhje me përvetësimin e pronave me anë të dokumenteve të falsifikuara siç ishte rasti i Karaburunit apo rasti i tokave të Vunoit dhe Jalës. Mesa duket Hyseni u emërua në këtë post nga Rama për të mbuluar abuzimet me pronat që kanë bërë të zgjedhurit socialistë, sidomos në Ksamil dhe Sarandë ku sot ai kandidon për deputet. Dhe nuk mbaron me kaq. Po atë vit, Hysenit do i plaste një tjetër skandal për uzurpim prone, këtë herë në një fshat turistik në Golem. Partia Demokratike akuzoi asokohe se kryetari i Task Forcës së Pronave ishte personi që pasi kish blerë një vilë në një fshat turistik në Golem, kishte uzurpuar dhe parcelën që ishte ngjitur me të. “Një shef i Task Forcës së INUK, Alket Hyseni, ka zaptuar pronën private të një qytetari në Golem, në mes të ditës dhe nën hundën e të gjithë institucioneve. Historia është kjo. Fatmir Musaj ka ndërtuar një fshat turistik. Shefi i INUK-ut të Edi Ramës ka blerë më parë aty një vilë. Jo vetëm që nuk ia ka shlyer të gjithë pagesën investitorit të fshatit turistik, por tani që ka marrë detyrën e rëndësishme, i thotë pronarit se ka ndërmend t’i marrë edhe parcelën ngjitur me vilën e tij, ende të papaguar. Dhe ashtu bën, e rrethon, e betonon dhe e bën të tijën. Investitori ankohet në polici. Ankohet tek INUK. Ankohet kudo, po nuk gjen zgjidhje. Punimet vazhdojnë”, do të denonconte në atë kohë Partia Demokratike.

Pastrimi i parave

Menjëherë pas zgjedhjeve në PS, Alket Hyseni do të emërohej në krye të Drejtorisë së Pastrimit të Parave. Ishte 4 prilli i vitit 2016 dhe vendi sapo kish dalë nga “të korra të mbara” të hashashit të një viti më parë. Me miliona euro që vinin nga ky aktivitet duheshin pastruar dhe mesa shihet Rama e kish gjetur njeriun e duhur. Shqipëria e vitit 2017 u bë vendi kryesor i Europës për prodhimin dhe trafikimin e kanabisit. Me miliarda euro kalonin nëpër kompani off shore, investitorë të dyshimtë hynin e dilnin në Shqipëri, njerëz që blinin nga 10 apo 12 shtëpi për të justifikuar paratë, por nga ana e zotit Hyseni kishte vetëm heshtje. Kjo sepse kështu i duhej kryetarit të partisë së tij. Emri i Alket Hysenit do të dilte sërish në skenë në kohën që bëhej debate për reformën në drejtësi, që përkon vetëm pak muaj pasi ai u zgjodh në krye të këtij dikasteri. Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave ishte ndër institucionet kyç që do të bënte vettingun dhe kontrollin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve, një hallkë jashtëzakonisht e rëndësishme e procesit. E ku do të gjente më mirë Rama se personi, i cili i siguroi shmangien e garës në parti për ta përdorur në këtë institucion kyç. Opozita do të bënte presionin e saj, por dorëheqja e Hysenit do të vinte vetëm më datë 16 shkurt 2017, disa ditë pasi opozita kish paralajmëruar një protestë masive në Tiranë, atë të 18 shkurtit. E megjithatë Rama nuk do e linte me kaq, të preferuarin e tij nga Tepelena. Më 28 prill të këtij viti emri i tij do të shfaqej si prurje e re e Ramës në listën e deputetëve në Qarkun e Vlorës, në zonën e bregut si një tallje tjetër që i bëhet këtij komuniteti.

Abi Bank ose banka ku Rama emëroi bashkëshorten për pastrimin e parave

Një arsye se përse Rama e mbajti për një vit Hysenin në krye të Parandalimit të Pastrimit të Parave mendohet që të jetë dhe transaksioni i aksioneve të Credit Agricole tek Abi Bank. Në shtator të 2015-ës ishte miratuar blerja e kapitaleve të ish-Credit Agricole tek Tranzit SHPK, e cila e emërton Abi Bank dhe në janar të vitit 2017 bashkëshortja e kryeministrit zgjidhet anëtare e bordit drejtues të kësaj banke. Në media është akuzuar se qëllimi i vërtetë është për të pastruar paratë e drogës. Ja çfarë shkruan portali “exit.al” për këtë çështje. “Pronësia, e cila të çon tek drejtori ekzekutiv, Andi Ballta dhe dy fondet e regjistruara në Ishujt Kajman, e bënë të pamundur të përcaktohet përfituesi përfundimtar dhe ndikimin kryesor në vendimmarrjen e bankës e kanë aksionerët e këtyre fondeve. Por ligji i Ishujve Kajman nuk lejon të njihet se kush janë aksionerët, të cilët janë në gjendje ta detyrojnë bankën të kryejë praktika ‘jo të përshtatshme’, përfshirë ato me qëllim riciklimin e parave të pista. Madje, pikërisht fakti që fondet janë të regjistruara në një parajsë të njohur fiskale, pra të mbikëqyrur nga një autoritet lokal të interesuar për të ruajtur fshehtësinë e aksionerëve dhe veprimeve të kompanive, ushqen dyshimin se banka mund të jetë vërtet e kontrolluar nga para të pista dhe që mund të përdoret për veprime të ndërlikuara të riciklimit të parave. Ndërkohë, si për ligjin shqiptar mbi shoqëritë tregtare, si për politikat e zakonshme të përqafuara nga autoritetet mbikëqyrëse të ‘botës normale’, fakti se CEO i një banke është titullari, qoftë edhe në mënyrë indirekte, i një të tretës të së drejtës së votës në asamblenë e aksionerëve dhe është njëkohësisht administrator i shoqërisë (Tranzit shpk) që zotëron 100 për qind të së drejtës së votës në asamble, duket krejtësisht i pazakontë dhe përtej kufirit të parashikuar nga ligji. Është qetësisht e sigurtë që një strukturë e tillë kontrolli nuk mund të ishte pranuar në asnjë vend europian, për motive të qarta të transparencës dhe politikave kundër riciklimit”.

Skandali tjetër, 148 miliardë lekë pushtetarësh të pahetuar nga Hyseni

Por dorëheqja e Alket Hysenit nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave duket se ka të bëjë dhe me mbulimin e një skandali tjetër që ka përgjegjësi pikërisht atë kur ishte në krye të Drejtorisë së Parandalimit të Parave. Duke iu referuar titujve të shtypit, shkruhet se pas vjedhjes së parave që ndodhi në Qafën e Kasharit, Prokuroria ka evidentuar jo pak, por 148 miliardë lekë ose rreth 1.2 miliardë euro të funksionarëve të shtetit të depozituara në 7 banka të nivelit të dytë për të cilat nuk është hetuar asnjëherë. Ja se çfarë shkruan gazeta “Telegraf” e datës 21 shkurt 2017, vetëm pesë ditë pas dorëheqjes së Hysenit nga detyra e tij. “Vjedhja e 3.2 milionë dollarëve të një banke, kryer më 9 shkurt 2017 në Kashar, përveçse është një krim, shërbeu edhe për diçka të dobishme për dekriminalizmin e financave, të siguruara me krim prej shtetarëve dhe të zgjedhurve lokalë e qendrorë në Shqipëri. Në hetim e sipër brenda bankës së grabitur dhe bankave të tjera të nivelit të dytë, për të zbardhur llogaritë e personave të skeduar si grabitës, të Kasharit, Prokuroria dhe zyra e Antikrimit Ekonomik Financiar, kanë zbuluar një krim tjetër financiar kolektiv, që lidhet me vjedhje miliardash, të bëra jo me grabitje bankash, por nëpërmjet abuzimeve me detyrat shtetërore, kryesisht me tendera. Burime nga shërbimi i Antikrimit Ekonomik Financiar, informojnë se gjatë hetimit të llogarive bankare ‘VIP’, domethënë me vlera të mëdha, ka rezultuar se në 7 banka janë evidentuar 148 miliardë lekë depozita nga 79 kryetarë bashkiakë e komunash, që kanë qenë në detyrë në 10 vitet e fundit. Por informacioni vazhdon edhe me një detaj tjetër, që në bankat e hetuara, janë zbuluar edhe llogari bankare me vlerë mbi 105 miliardë lekë, të drejtuesve aktualë të bashkive. Pas këtij konstatimi, ka nisur hetimi për ‘rrugët’ nëpërmjet të cilave i kanë siguruar këto miliarda, këta drejtues e ish-drejtues të pushtetit lokal në bashki e komuna! Se çfarë do të rezultojë nga hetimi i burimeve prej të cilave janë ‘prodhuar’ këto miliarda, ende nuk dihet. Ajo që dihet është fakti, se ky informacion u është dërguar edhe strukturave ndërkombëtare të hetimit që po monitorojnë procesin e dekriminalizimit. Madje flitet, se shkaku i dorëheqjes së ish-drejtorit të Pastrimit të Parave në Kryeministri, Alket Hyseni, ka lidhje me faktin që është konstatuar se ka fshehur këto llogari të pista bankare në miliarda lekë, që kanë depozituar ish-drejtues dhe drejtues aktualë të pushtetit lokal, të cilët vërtet nuk kanë grabitur makina bankash në rrugë, por kanë zhvatur fondet publike duke përdorur funksionet zyrtare gjatë administrimit të buxheteve lokale shtetërore, të të ardhurave lokale nga taksat dhe qiratë e pasurive vendore, si dhe vjedhjes së donacioneve me letra false investimesh e shërbimesh”.

Artikulli paraprakKosovë, hapet fushata elektorale
Artikulli tjetërInjoranti që Rama e kandidon për Kavajën: “Populli ka sy në badhë”