Del video e bandës Ndoka në Lezhë ditën e zgjedhjeve

Mediat publikuan dje videon e terrorit të bandës së ish-deputetit të PS, Arben Ndoka ditën e zgjedhjeve të 25 qershorit në Shëngjin të Lezhës. Ngjarja e rëndë ku përfshinë nipat e Arben Ndokës, në Shëngjin u denoncua atëherë në polici, por policia jo vetëm që nuk ndërhyri, por mori në mbrojtje nipat e ish-deputetit të PS.
Megjithëse la mandatin e deputetit, Arben Ndoka, i njohur si një mbështetës i Ramës, nuk e la Partinë Socialiste dhe ditën e zgjedhjeve nipat e tij kanë lëvizur me armë në Lezhë dhe Shëngjin. Siç shihet nga pamjet filmike të publikuara dje nga mediat vizive, ata sulmojnë një person, që më pas u identifikua si Florian Dushku, militant i LSI-së janë nipat e ish-deputetit socialist. Një burim i policisë tha se, pamjet ishin të vështira për t’u gjetur edhe nga vetë policia, për shkak se bizneset e fshehën videon, nga frika e të akuzuarve.
Zyrtari i policisë tha se, personat që sulen me pistoleta dhe qëllojnë me grushta janë Don dhe Samuel Ndoka, nipat e ish-deputetit të PS, të njohur në Lezhë për disa ngjarje të tjera kriminale. Tjetri është Genc Sakica. Të tre janë të akuzuar për ngjarjen ku është plagosur Florian Dushku. Plagosja shenjoi ditën e zgjedhjeve.
Pamje janë filmuar nga një kamera sigurie e një biznesi aty pranë, ku Florian Dushku, personi i veshur me këmishë të bardhë është duke qëndruar në këmbë kur në drejtim të tij vijnë agresorët. Ata e godasin direkt me grushte, ndërsa përleshja merr të tjera përmasa, pasi përfshihen disa persona, për t’i ndarë palët.
Autorët kanë edhe pistoletë dhe me qytën e saj godasin Florian Dushkun, eksponent i LSI-së, ndërkohë që qëllojnë edhe në ajër. Përleshja zgjat disa minuta, ndërsa më pas agresorët largohen në drejtim të rrugës, ku kanë parkuar makinën. Policia në vendin e ngjarjes gjeti edhe gëzhoja, të cilat i sekuestroi, ndërsa ende nuk ka rënë në gjurmët e agresorëve. Ditën e zgjedhjeve drejt vendit të ngjarjes u nis edhe Presidenti aktual Ilir Meta, i cili akuzoi si përgjegjës të këtij incidenti, Edi Ramën, pasi sipas tij, ka nxitur bandat kriminale në Lezhë.
Ilir Meta u nis drejt Lezhës për të takuar të plagosurin, ndërsa akuzoi policinë se ka bashkëpunuar me elementë kontigjentë, që njihen si mbështetës të Partisë Socialiste në Shëngjin.
Arben Ndoka vazhdon të jetë një nga eksponentët kryesorë të PS në Lezhë, duke organizuar bandat për vjedhjen e votave. Banda e Ndokës ka lëvizur e armatosur përgjatë gjithë ditës së votimeve nëpër qendrat e votimit, duke ushtruar presion tek zgjedhësit që të votojnë për Partinë Socialiste.
Banditët janë futur në qendrat e votimit në Shëngjin dhe në Lezhë dhe u kanë bërë presion komisionerëve. Ata u kanë kërkuar komisionerëve që të lejojnë votimin në grup për Partinë Socialiste.
Bandat e PS u mblodhën kartat e identitetit zgjedhësve kundrejt pagesës për të mos votuar. Kjo maskaradë zgjedhore u denoncua dy ditë para votimeve të 25 qershorit si dhe gjatë ditës së votimeve, ndërsa policia nuk ndërhyri në asnjë rast, ndonëse kishte fakte dhe prova.
Bandat e PS vepruan në të gjithë vendin gjatë ditës së zgjedhjeve më 25 qershor, duke blerë votat me paratë e drogës. Kartat u blenë masivisht në Tiranë dhe në të gjitha qytetet e tjera të vendit, sidomos atyre njerëzve që ishin në gjendje të rënduar ekonomike. Bandat e drogës paguanin 50 euro për një kartë identiteti, vetëm që zgjedhësi të mos dilte ditën e dielë për të votuar.

Artikulli paraprakGuardia di Financa: 24 ton drogë nga Shqipëria në Itali në 8 muaj
Artikulli tjetërShkrumbohen parqet kombëtare në Theth, Voskopojë dhe Velipojë