Shkrumbohen parqet kombëtare në Theth, Voskopojë dhe Velipojë

Shqipëria ndodhet në flakë prej rreth dy muajsh, ndërsa situata sa vjen e përkeqësohet. Vetëm ditën e djeshme janë shfaqur 13 vatra të reja zjarri në të gjithë vendin. Flakët, pasi përpinë mijëra hektarë me pyje dhe zona të mbrojtura, u janë afruar zonave të banuara, sidomos në Velipojë, ku për shkak të zjarreve janë larguar edhe turistët.
Shumica e zjarreve që po shkrumbojnë pyjet në të gjithë vendin janë të qëllimshme për të fshehur korrupsionin e strukturave shtetërore. Sipas dëshmive dhe hetimeve që tashmë janë në duart e organit të akuzës, nuk bëhet fjalë thjesht për ripërtëritje të kullotave, por edhe për mbulim të aferave korruptive.
Qeveritarët pasi e grabitën dhe plaçkitën këtë vend, i vunë edhe zjarrin për të mbuluar aferat korruptive. Pra, zyrtarët i kanë vënë zjarrin Shqipërisë për të mbuluar korrupsionin nëpërmjet granteve dhe biznesit të lëndës drusore dhe shfrytëzimit të pyjeve.

Digjet Parku i Velipojës

Prej ditës së djeshme, flakët po përpijnë sipërfaqet e pyllit në Parkun natyror të Pulajt në Velipojë. Të paktën 8 hektarë bimësi e ndryshme janë djegur në këtë rezervat, i cili është i njohur si vend ndalimi për shpendët shtegtarë. Shirat e rënë mesnatën e të dielës në territorin e vendit nuk e prekën zonën e Velipojës, kështu që zjarri ka vazhduar pa pushim. Ndërkohë, si pasojë e flakëve të zjarrit shumë pushues nga Kosova janë larguar nga frika e zjarreve. banorët kanë kërkuar ndërhyrjen e helikopterëve për shuarjen e flakëve, por kjo gjë nuk është bërë e mundur. Flakët vijojnë të përpijnë Parkun Kombëtar.

Zjarri në Delvinë shkrumbon ullishtat

Një tjetër zjarr ka shkrumbuar bimësi të ndryshme, si dhe ullishtat në rrethinat e qytetit të Delvinës. Flakët e zjarrit, që duket se ka rënë rreth mesditës së kësaj të hëne, janë lokalizuar pranë depos së ujit, ndërsa punonjësit e Shërbimit Zjarrfikës kanë shkuar në vendngjarje të ndihmuar edhe nga 3 automjete zjarrfikëse. Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët, flakët kanë shkrumbuar pemët e ullinjve, shkurre, ferra e barishte. Ende nuk ka një vlerësim të plotë të dëmeve të shkaktuara nga kjo vatër zjarri, por për shkak të rrezikut, ka tërhequr vëmendjen e shërbimeve zjarrfikëse që po luftojnë me flakët.

Shkrumbohet Parku Kombëtar në Lurë

Flakët e zjarrit kanë përpirë qindra hektarë pyje në Parkun Kombëtar të Lurës. Zjarri i rënë prej disa ditësh në afërsi të liqeneve në Lurë shkrumboi pyje e kullota. Banorët kërkuan ndihmë duke kërkuar një helikopter nga qeveria, por kjo gjë nuk u bë e mundur. Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha, pas dërgimit të një mesazhi nga një banor nga Lura. Banori shkruante se prej disa ditësh, tre vatra zjarri vijojnë të shkrumbojnë Parkun Kombëtar në Lurë, ndërsa qeveria nuk dërgon një helikopter për shuarjen e flakëve. Zjarri u shua mëngjesin e djeshëm falë rënies së shiut.

Digjen 1 mijë ha pyje në Voskopojë

Zjarri i rënë në masivin me pisha në zonën turistike të Voskopjës u shua mëngjesin e djeshëm falë shiut. Vatrat e zjarrit në zonën mes Voskopojës dhe Lekasit që vijuan prej disa ditësh iu afruan edhe fshatit, duke rrezikuar disa banesa. Banorët kërkuan ndihmë nga qeveria për të dërguar helikopterë, por askush nuk iu përgjigj thirrjes së tyre. Nëse nuk do të kishte rënë shi mëngjesin e djeshëm, atëherë do të kishim një katastrofë, pasi zjarri ishte fare pranë fshatit turistik. Pylli kryesisht me pisha, por edhe bimësi të ulët është dëmtuar në një pjesë të madhe, duke iu afruar edhe fshatit turistik.

Digjet “Qafa e Lalarit” në Patos

Po ashtu, një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë “Qafa e Lalarit” në Patos. Flakët e zjarrit që kanë përfshirë zonën pyjore po përhapen me shpejtësi, të favorizuara nga era. Bëhet e ditur se, vatra e zjarrit ka qenë mjaft aktive. Alket Halimi, shefi MZSH-së në Patos deklaron se, zjarrfikësit po luftojnë me flakët për t’i vendosur nën kontroll, por janë në kushte tepër të vështira. “Po punojmë jashtë mundësive tona, era favorizon zjarrin. Rrezikohen seriozisht zjarrfikësit. Terreni është shumë i thyer”. Zjarri rrezikon plantacione të mbjella me ullinj dhe dru frutorë.

Zjarr në fshatin e Ramës në Surrel, qeveria dërgon helikopterin

Flakët e zjarreve nuk kursyen as fshatin ku jeton kryeministri Rama. 18 hektarë me shkurre dhe ferra janë djegur nga flakët që do të përparonin më tej, nëse qeveria nuk do të merrte menjëherë masa duke dërguar një helikopter për t’i shuar.
Në një njoftim të Emergjencave Civile thuhet se, “në fshatin Surrel, të Bashkisë Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë me mjete për shkak të terrenit, prandaj është dërguar helikopteri, i cili ka shuar vatrat e ndezura. Nga zjarri është djegur rreth 18 ha shkurre dhe ferra”.
Ende nuk dihet çfarë është bërë shkak për rënien e zjarrit, por fatmirësisht, Edi Rama nuk ndodhet këto ditë në Surrel, sepse është duke pushuar në Dhërmi. Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë shënuar 10 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.

10 vatra të reja zjarri gjatë ditës së djeshme

Gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar 10 vatra zjarri në disa qarqe të vendit. Emergjencat Civile përcjellin numrin e vatrave të zjarrit që shkaktohen qëllimisht.
QARKU TIRANË
Në fshatin Surrel, të Bashkisë Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe pyjore me pisha. Zjarrfikësit nuk kanë mundur të ndërhyjnë me mjete për shkak të terrenit, prandaj është dërguar helikopteri, i cili ka shuar vatrat e ndezura. Nga zjarri është djegur rreth 18 ha shkurre dhe ferra.
QARKU LEZHË
Vazhdon zjarri pranë pyllit me pisha në fshatin Orosh, Bashkia Mirditë. Zjarrfikësit kanë punuar në vendngjarje me mjete, të mbështetur nga vullnetarë, forca të ushtrisë, si dhe nga helikopteri duke vënë situatën nën kontroll. Vatrat nuk kanë prekur banesa të shtetasve dhe as pyllin me pisha fare pranë. Operacioni vazhdon për të shuar plotësisht vatrat e fshehura. Zjarri ka djegur një sipërfaqe prej rreth 30 ha me kullotë dhe bimësi të shkurtër dhe ka përshkruar rreth 50 ha pisha.
QARKU DIBËR
Është riaktivizuar vatra e zjarrit në fshatin Gurë-Lurë, të Bashkisë Dibër. Forca të Pyjores dhe banorë të zonës kanë shkuar në vendngjarje për të shuar zjarrin, të mbështetur edhe nga një helikopter, duke vënë situatën nën kontroll. Operacioni është në vazhdim për shuarjen e vatrave të zjarrit të fshehura.
QARKU FIER
Në vendin e quajtur Qafa e Lalarit, të Bashkisë Patos, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, ferra dhe ullinj. Në vendngjarje kanë ndërhyrë zjarrfikësit të mbështetur nga vullnetarë, duke shuar flakët. Si pasojë e zjarrit u dogj një sipërfaqe rreth 5 ha me shkurre, ferra dhe ullinj.
Në fshatin Qokë, Gërmenj, të Bashkisë Divjakë ka rënë zjarr në një zonë të pyllëzuar me shkurre, dushqe dhe ullinj. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete, të mbështetur edhe nga vullnetarë, duke shuar flakët. Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 10 ha me shkurre, ferra, 100 rrënjë ullinj dhe 1 ha pyll dushku.
QARKU ELBASAN
Në Elbasan ka rënë zjarr në lagjen “5 Maj” në një sipërfaqe me shkurre e ferra. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete dhe kanë shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.2 ha me shkurre dhe ferra.
Në fshatin Vulçan, Hotolisht, të Bashkisë Librazhd ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre, e pisha. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 10 ha me shkurre, ferra dhe pisha.
Në fshatin Lisnaj, të Bashkisë Peqin ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre e ferra. Zjarrfikësit kanë ndërhyrë me mjete duke shuar zjarrin. Si pasojë e zjarrit u dogj rreth 0.5 ha me shkurre dhe ferra.

R.POLISI

Artikulli paraprakDel video e bandës Ndoka në Lezhë ditën e zgjedhjeve
Artikulli tjetërFaqjan e pare