Guardia di Financa: 24 ton drogë nga Shqipëria në Itali në 8 muaj

Viti 2017 ka shënuar një sasi rekord të trafikimit të drogës nga Shqipëria në Itali. Guardia di Financa italiane informoi dje se prej fillimit të vitit 2017 janë sekuestruar përmes detit rreth 24 tonë marijuanë e Policia Financiare e Puglias ka arrestuar 32 skafistë. Ndërkohë përgjatë vitit 2016, janë sekuestruar rreth 22 tonë marijuanë.
Policia Financiare italiane ka shpërndarë dje deklaratën e shtypit me detaje të hollësishme mbi gomonen me drogë e nisur nga Shqipëria dhe e kapur në afërsi të brigjeve të provincës së Leçes.
Gomonia e drejtuar nga dy skafistët nga Vlora, R.L. 30 vjeç e D.H. 23 vjeç, është ndaluar nga Roja bregdetare e Barit ROAN, natën e së shtunës duke u gdhirë e diela (20 gusht 2017) në ujërat e komunës së San Kataldos në Leçe.
Gomonia që trafikantët po përdornin për trafikun e drogës ishte e gjatë 7 metra dhe me një motor shumë të fuqishëm. Ndërkohë, marijuana e sekuestruar në det ishte konfeksionuar në 22 koli të madhësive të ndryshme me peshë totale 633, 85 kg e cila nëse do të hidhej në treg trafikantët do të përfitonin 6 milionë euro. Në gomone kanë qenë rreth 1 ton drogë, por një pjesë e saj ka humbur në det, pasi u hodh nga skafistët në momentin që po ndiqeshin nga policia italiane.
Ndaj dy skafistëve korrierë R.L 30 vjeç e D.H 23 vjeç nga Vlora është ngritur akuza e trafikut ndërkombëtar.
Operacioni i sekuestrimit të gomones me drogë nga Shqipëria e të arrestimit të 2 skafistëve nisi në det të hapur. Skafistë, pasi nuhatën se po ndiqeshin nga roja bregdetare italiane hodhën drogën në det me qëllim që të fitonin shpejtësi për t’i shpëtuar ndjekjes së financës italiane. Pak milje larg gjirit të San Kataldos në provincën e Leçes, Guardia di Financa e Roja Bregdetare italiane ka mundur të ndalojë gomonen me drogë e të arrestojë dy skafistët vlonjatë.
Ky operacion është kryer në bashkëpunim me grupin operativ të Financës italiane me seli në Durrës dhe me policinë shqiptare.
Po ditën e djeshme u kapën rreth 700 kg marijuanë në brigjet e Vlorë gati për t’u trafikuar në Itali. Lënda narkotike u gjet pranë “hidrovorit” në Akërni të Novoselës, e fshehur në një zonë pyjore. Droga ishte paketuar në 29 pako të mëdha me peshë 20 deri në 25 kilogramë secila. Gjithashtu janë gjetur dhe sekuestruar 48 bidona me benzinë me nga 60 litra secili, si edhe një mjet tip furgon i markës “Iveko”, bosh.

Artikulli paraprakPolicia arreston Ilir Gjuzin, dhunuesi i gazetarit, Fundo
Artikulli tjetërDel video e bandës Ndoka në Lezhë ditën e zgjedhjeve