Trafiku i drogës nga Shqipëria, kapen dy drejtuesit shqiptarë

Shtatë persona, midis tyre katër shqiptarë, dy italianë dhe një rumun janë arrestuar nga policia italiane si pjesë e një bande që shpërndanin lëndë narkotike. Hetimi ka filluar 6 muaj më parë, kur policia u vu në ndjekje të Flori Gomës 36 vjeç dhe Ndec Prekës 32 vjeç që konsideroheshin si “truri” i bandës. Ata u vunë nën vëzhgimin e autoriteteve për shkak të lëvizjeve të tyre dyshuese drejt Xhenoas dhe Milanos.
Arrestimi i parë është kryer në qershor, kur në pranga ka rënë Xhuljo Prendi, me 57 kilogramë marijuanë që sipas autoriteteve vinte nga Shqipëria. Prendi ishte shofer i një kamioni dhe donte t’ia çonte sasinë narkotike Prekës, që e priste në autostradë dhe që arriti t’iu arratisej forcave policore në atë operacion.
Në hetimet e mëtejshme u zbulua se, Goma dhe Preka, përdornin disa të njohur të tyre për të transportuar drogën. Në këtë mënyrë Policia arriti në gjurmët e Kujtim Memës, që u arrestua me katër kilogramë marijuanë dhe Cristian Florz Rogoz, rumun që mbante 1.7 kilogramë marijuanë.
Rrjeti i shpërndarjes së drogës nga kjo bandë kishte kaluar edhe kufijtë e provincës Novi. Policia arrestoi Jars Stennaro dhe Daniele Picone që mbanin 2 kilogramë marijuanë.
Rreth 70 kilogramë marijuanë është sasia e lëndës narkotike që është bllokuar nga policia italiane gjatë operacionit të koduar “Back Hole 2”, ku fitimet mund të shkonin në mijëra euro.

Artikulli paraprakMasakra në Lushnjë, për trafikun e drogës drejt Italisë e Holandës
Artikulli tjetërMiqtë e Ballës gjakosin me revole biznesmenin për tenderin e kromit