Masakra në Lushnjë, për trafikun e drogës drejt Italisë e Holandës

Vrasja e dyfishtë mbrëmjen e të mërkurës në Lushnjë ishte e paralajmëruar, por Policia nuk mori masa për të parandaluar gjakderdhjen. Një ditë pas masakrës së Lushnjës, Policia bëri të ditur se ka identifikuar dy autorët. Sipas Policisë autorët e dyshuar të masakrës ku mbetën të vrarë janë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha janë Laert Haxhiu dhe Orges Bilbili. Policia bëri të ditur se, Laert Haxhiu është i shpallur në kërkim, pasi është dënuar në mungesë me 35 vjet burg për vrasjen e Gerti Lalës, në korrik të 2011-ës. Edhe pse ishte i shpallur në kërkim, ai lëvizte lirisht në qytet dhe i armatosur pa asnjë problem për Policinë. Dy bandat rivale zhvillonin trafikun e drogës drejt vendeve të BE dhe një nga shkaqet e luftës mes tyre ka qenë edhe zona e influencës për trafikun e drogës.
Burime nga grupi hetimor bënë të ditur se, po hetohet në dy pista, atë të pazareve të drogës dhe e konflikteve që lidhen me familjen e ish-kapobandës Aldo Bare. “Ndonëse autorët janë identifikuar, ngjarja e së mërkurës tregon se hesapeve të vjetra kriminale po i shtohen ato të reja, të lidhura me pazaret e drogës. E kjo, për fat të keq është premisë për ngjarje të tjera të rënda, e jo vetëm në këtë qytet”, bënë të ditur burime nga grupi hetimor. Sipas grupit hetimor, pista kryesore është përplasja për çështje droge në Itali dhe Holandë mes viktimave dhe ekzekutorëve të tyre.
Në fakt, dy autorët e krimit të rëndë janë të shpallur në kërkim policor prej një viti, pasi kanë tentuar të vrasin në shtator të 2016-ës nipin e Aldo Bares, Xhulio Shkurti. Dyshohet se edhe të mërkurën në mbrëmje shënjestër ka qenë nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti, por u vranë dy shokët e tij.
Në një njoftim për mediat Policia e Shtetit thotë: “Nga analiza e ngjarjes dhe informacioneve që ka mbledhur grupi hetimor, pjesë e të cilit ishin edhe drejtues nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, rezulton se ngjarja e djeshme ka lidhje me ngjarjen e datës 25.09.2016 ndodhur në qytetin e Lushnjës ku është tentuar të vriten me armë zjarri nipi i Aldo Bares, Xhulio Shkurti dhe shoku i tij, Sajmo Xhelili.
Po sipas Policisë: “Autorët e dyshuar të ngjarjes së shtatorit të 2016 janë shtetasit L.H dhe O.B të shpallur në kërkim për kryerjen e veprave penale “Vrasje e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municioneve”. Po këta dy persona dyshohet se janë autorët e mundshëm të ngjarjes së djeshme me dy viktima dhe dy të plagosur.
Ngjarja e rëndë ndodhi të mërkurën rreth orës 18:00 në mes të qytetit të Lushnjës. Dy të rinj mbetën të vrarë dhe 2 persona të tjerë u plagosën pranë shëtitores së qytetit të mbushur plot me kalimtarë për shkak të orarit të shëtitjes. Dëshmitarët thanë se, 3 persona hapën zjarr nga një makinë tip “Benz”, ndërsa një i katërt qëndronte në timon. Të gjithë ishin të maskuar. Nga ky atentat mbetën të vrarë Zamir Latifi 23 vjeç dhe Jurgen Hoxha 22 vjeç.
I plagosur rëndë ka mbetur edhe djali i pronarit të lokalit, Marjus Xhepexhiu 26 vjeç që është transportuar me urgjencë drejt Tiranës. Ngjarja ndodhi përpara lokalit që ka babai i Xhepexhiut.
Dy plumba ka marrë edhe një kalimtar 66-vjeçar i identifikuar si Bujar Turku, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Lushnjës.
Sapo është afruar makina nga ku u hap zjarr me kallashnikov është dëgjuar zëri i Zamir Latifit që thirri: çuna na vranë! Të gjithë u ngritën nga karriget, por pa shpëtim. Njëri nga autorët doli jashtë “Benz”-it dhe qëllonte me breshëri kallashi. Autori i dytë qëllonte nga brenda makinës.
Në trupin e Latifit u gjetën 35 plumba, kurse në trupin e Hoxhës, 7 të tillë. Në vendin e ngjarjes ekspertët mblodhën edhe 41 gëzhoja. Banorët u panë të largoheshin me vrap. Qyteti u përfshi në panik. Në Lushnjë, ishin rikthyer krismat vdekjeprurëse.
Masakra ndodhi vetëm në pak minuta dhe mjeti i autorëve u largua me shpejtesi për të përfunduar i djegur pranë fshati Çukas, në rrugën e vjetër Lushnjë-Berat. Dy policë, të parët në vendin e ngjarjes, nxorën jashtë tre automatikët. Ndoshta me idenë për të shpëtuar gjurmë.

Artikulli paraprakBasha: Të mërkurën Rama ndërsen cubat të kërcënojë opozitën, të enjten Ruçin ti mbyllë gojën
Artikulli tjetërTrafiku i drogës nga Shqipëria, kapen dy drejtuesit shqiptarë