Miqtë e Ballës gjakosin me revole biznesmenin për tenderin e kromit

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Prrenjas dy ditë më parë, por është mbajtur e fshehtë nga policia. Dy njerëz të afërt të deputetit të PS, Taulant Balla, të dalë nga burgu para zgjedhjeve, i kanë vënë pistoletën në kokë një biznesmeni në Prrenjas për t’i marrë tenderin për shfrytëzimin e mineralit në minierën e Katjelit. Policia është njoftuar për këtë ngjarje, por nuk ka ndërhyrë për shkak të lidhjeve që ata kanë me deputetin dhe kryetarin e Grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.
Denoncimi është bërë ditën e djeshme nga një qytetar nga Prrenjasi, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. “Ja sesi banditët e pushtetit fitojnë tenderat me qytë të revoles! Lexoni denoncimin e qytetarit dixhital!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Doktor të përshëndes! Parmbrëmë miqtë e Taulant Ballës, Leonard Llapushi nga Prrenjasi, i dalë nga burgu para zgjedhjeve dhe Fadil Tërnava nga Bulqiza, edhe ky i dalë nga burgu para ca vitesh, i dënuar për vrasje, kërcënojnë dhe godasin duke gjakosur me qytë pistolete biznesmenin Gëzim Balla, për t’i marrë këtij të fundit tenderin për shfrytëzimin e mineralit në zonën e Katjelit, tashmë të fituar nga ky”, shkruan qytetari.
Kjo ngjarje ka ngjallur reagime të ashpra tek qytetarët në Prrenjas, por policia nuk ka ndërhyrë për të ndaluar dy personat që gjakosën biznesmenin me pistoletë në kokë. Këta njerëz kanë bërë fushatë për Taulant Ballën në zgjedhjet e qershorit dhe u është premtuar nga Balla për marrjen e tenderit të shfrytëzimit të kromit në minierën e Katjelit. Për këtë arsye, ata kanë mbrojtjen e policisë.
Taulant Balla është akuzuar nga mediat për kontrabandën e lëndës drusore. Njerëzit e Ballës prenë pyjet në Stravaj dhe zhvilluan kontrabandë të lëndës drusore edhe gjatë fushatës elektorale të qershorit nën hunën e policisë.
Në Librazhd, Taulant Balla i ka dhënë mbrojtje nga ligji kushëririt të tij Shaqir A. I gjithë druri që shikoni ju me kamiona shkon në pikën e grumbullimit në Laknas. Drurët priten pa leje dhe jo pak raste kanë ndodhur përplasje fizike deri në përdorimin e armëve me banorët që nuk i lejonin të hynin. Shaqir A., së bashku me 3 vëllezërit e tij po pret pyjet e Librazhdit pa iu trembur qerpiku se të gjithë kamionat shoqërohen me makina civile, të cilat janë të armatosur me armë nga më të ndryshmet.
Prerja e pyjeve dhe kontrabanda e lëndës drusore vijon pa ndërprerje në Librazhd. Më datën 16 shtator kamionë me dru kaluan mes për mes Librazhdit në mesantë, ndërsa policia nuk i ndaloi. “Nisma Thurrje” publikoi foton e kamionit plot me dru të prera, kaloi para furgonit të Tatimeve dhe të Antikontrabandës dhe nuk u ndalua fare.
“U shua Librazhdi nga pyjet. Na rroftë moratoriumi. Këtu zbatimi i ligjit është një shaka. Këtu ligji është për të vobektit. Edhe moratoriumin mos kujtoni se e kanë vendosur për të ndaluar prerjen e pemëve. Moratoriumi është vendosur që pemët të priten, por jo nga të gjithë, por vetëm nga një njeri. Që ai personi të kontrollojë gjithë tregtinë e drurit dhe që të rritet çmimi i drurit. U vendos moratoriumi për ta kthyer drurin monopol në duart e një deputeti. E kuptoni pse ligji është shaka? Këta duan hedhur në kazan plehrash dhe t’ju mbyllësh kapakun. Dhe siç po sillen po e afrojnë momentin”, shprehej një qytetar për “Nisma Thurrje”. Po ashtu u publikua edhe videoja ku kamioni me dru kalonte para Policisë së Rendit dhe asaj Tatimore në Librazhd dhe nuk u ndalua.

Enton DOÇI

Artikulli paraprakTrafiku i drogës nga Shqipëria, kapen dy drejtuesit shqiptarë
Artikulli tjetërPazaret e drogës, plagoset me armë një person në Gjirokastër