Thirrja e Erjon Veliajt në SPAK rrëzon shumë alibi!

Nga Namir Lapardhaja

Erjon Veliaj u fut në politikë me pretendime të mëdha dhe po del prej saj me bëma të mëdha.

Ai nuk “ngjiti” asnjëherë te socialistët dhe te komunikimi i tij me publikun, si një figurë e stisur, jo origjinale dhe duke manifestuar një hipokrizi dhe shtirje që në vend t’i shërbenin për t’i kuruar imazhin, e bënin edhe më të papëlqyer te njerëzit.

Fitoret elektorale të Veliajt i atribuohen më shumë “kalit politik që ka kalëruar” dhe gjendjes së alternativës përballë se sa vetë figurës politike që ai ka krijuar, për shkakun se produkti i vërtetë dhe i vetëm elektoral i tij është G-99 e dikurshme, që dihet se sa vota mori në të gjithë vendin.

Skandali me inceneratorin e Tiranës, por edhe skema korruptive e “drejtorëve” me kompaninë 5D duket se janë vetëm “qershia mbi tortë” që do ta çojnë Veliajn në përballjen e tij me drejtësinë, ndaj së cilës për një kohë të gjatë ka shfryrë dhe ka hedhur romuze.

Thirrja e Veliajt në SPAK është një lajm i mirë dhe rrëzon shumë alibi që kanë qarkulluar deri më sot.

Së pari, bie alibia e kundështarëve dhe hallexhinjve të tjerë të drejtësisë që i fryjnë idesë se SPAK-u është i njëanshëm, i kapur nga pushteti dhe punon vetëm kundër “opozitës”, duke e pasur Veliajn si shembull të pretendimeve të tyre.

Së dyti, rrëzon mashtrimin e madh se pas disa goditjeve brenda radhëve të PS-së qëndron Erjon Veliaj, duke hedhur poshtë retorikën e luftës brenda llojit dhe të konsipracionit, sa herë që ndodhin gjëra që logjika e deritashme e gjërave nuk arrin t’i interpretojë, dhe praktikisht e vendos Veliajn në listën e atyre që do ta kenë të afërt përballjen reale me drejtësinë.

Së treti, pas kryetarit të Bashkisë së Tiranës praktikisht i vetmi politikan i nivelit të lartë që ngelet për t’u paraqitur në Prokurorinë e Posaçme është Kryeministri i vendit.

Së katërti, SPAK-u jep mesazhin që përpara drejtësisë janë të gjithë të barabartë, pavarësisht pozicionit apo krahut politik, duke “justifikuar” arsyen për të cilën është krijuar dhe është investuar në të.

Së pesti, thirrja e Veliajt në SPAK, ndonëse ai si “mashtues publik” i rafinuar që përpiqet të jetë e interpretoi si një vajtje për t’i çuar dosjet e nevojshme Prokurorisë, është tregues se korrupsioni nuk dënohet me protestë të një grupi të vogël militantësh, me molotov apo duke vendosur në ballë të protestuesve disa të korruptuar dhe të ngjashëm të Veliajt, sepse Veliaj, Rama dhe pushteti pikërisht këtë dot, sidomos të organizosh protesta “të dhunshme” në ditën e paraqitjes së tij në prokurori.

Si përfundim, e vetmja rrugë që ngelet për t’u përballur me politikanët e korruptuar është mbështetja e pakushtëzuar publike që duhet dhënë ndaj Prokurorisë së Posaçme, si i vetmi institucion që mund të bëjë diçka në këtë drejtim, duke pastruar “lojën” politike nga politikanët e korruptuar dhe që kanë lidhje patronazhimi me botën e krimit, nëpërmjet të cilës kontrollojnë votën, dhe duke i ofruar qytetarëve në të ardhmen një garë të padeformuar dhe të patrysnuar nga elementë të jashtëligjshëm.

Artikulli paraprak“Plaku dhe deti”, Santiago dhe sfida për të kuptuar kohën
Artikulli tjetërNe budallejt