Takimi problematik me avokaten ruse

Donald Trump Jr., djali i presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se nuk i ka treguar babait të tij për takimin me avokaten ruse, e cila ka pretenduar se ka informacione që mund të ndihmojnë fushatën e presidentit të tanishëm.
Në një intervistë për “Fox News”, Trump Jr., tha se takimi ka qenë “thjesht asgjë”, porse “ka mundur ta trajtojë ndryshe”.
“Ka qenë thjesht asgjë; nuk ka pasur çfarë t’i thuhet babait tim. Ka qenë humbje e 20 minutave”, tha Trump Jr.
Ai publikoi disa e-mail-e që tregojnë se ka mirëpritur një ofertë për të takuar Natalya Veselnitskayan, për të cilën i është thënë se është avokate e qeverisë ruse dhe posedon material dëmtues për ish-kandidaten demokrate për presidente, Hillary Clinton.
Por, Trump Jr., insistoi se nuk ka bërë përpjekje të koordinohet me rusët për të ndikuar zgjedhjet.
“Në retrospektivë, ndoshta do t’i bëja gjërat pak më ndryshe. Por, kjo ka ndodhur përpara manisë ruse”, tha Trump Jr. për “Fox News”.
Vetë Veselnitskaya u tha gazetarëve në Moskë se ajo nuk është e interesuar për politikën dhe se takimi me Trump Jr., ka qenë privat.
“Nuk përfaqësoj interesat e askujt tjetër përveç vetes, në këtë situatë”, tha Veselnitskaya. Disa anëtarë të Kongresit thanë se takimi me Veselnitskayan mund të llogaritet si “bashkëpunim me Rusinë”. Senatori demokrat, Ron Wyden, tha se e-mail-et tregojnë se djali i Trumpit “ka bërë përpjekje të bashkëpunojë me një pushtet të huaj armiqësor, për të shkatërruar demokracinë e Amerikës”.
Ngjarjen e vlerësoi si shqetësuese edhe senatori republikan, James Lankford. “Të takohesh me një qeveri të huaj është krejt ndryshe nga takimi me një individ. Më duhet t’i zbuloj të gjitha faktet në lidhje me këtë, por natyrisht se është një shqetësim”, tha Lankford.
Presidenti Trump i cilësoi këto akuza si “qesharake” dhe “të tepruara”. Në një postim në TWitter, Trump tha se djali i tij është një person i shkëlqyeshëm, i cili e do vendin e tij. Takimi me Veselnitskayan dhe e-mail-et shtojnë provat për, siç thuhet, përpjekjen aktive të Rusisë për t’u përzier në zgjedhjet në SHBA.
Në muajin janar, komuniteti i inteligjencës amerikane ka lëshuar një raport, i cili ka akuzuar Moskën për përpjekje propaganduese dhe kibernetike, me qëllim ndërhyrjen në zgjedhje.
Që atëherë, disa komisione të Kongresit amerikan kanë hapur hetime për ndërhyrjen ruse. FBI, ndërkaq, ka hapur hetime qysh në korrik të vitit 2016, për të parë nëse bashkëpunëtorët e Trumpit kanë pasur ndërveprime të papërshtatshme me zyrtarët rusë.
Por, njeriu që i ka mbikëqyrur këto hetime, James Comey, është shkarkuar nga Trump në muajin maj.
Departamenti i Drejtësisë ka emëruar pastaj një këshilltar të posaçëm për t’i mbikëqyrur hetimet.

Informacion komprometues për zonjën Clinton

Djali i madh i presidentit Donald Trump publikoi të martën një shkëmbim e-mail-esh, nga të cilët del se ai kishte biseduar rreth planeve për të dëgjuar informacione që dëmtonin kandidaten demokrate, Hillary Clinton gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.
Në e-mail-e, dhënia e këtyre informacioneve përshkruhet si pjesë e mbështetjes së “Rusisë dhe të qeverisë së saj për zotin Trump” dhe sipas njoftimeve informacioni ishte sensitiv.
Këto e-mail-e janë prova e parë dokumentare që tregojnë se një bashkëpunëtor i lartë i zotit Trump ishte angazhuar me vetëdije me atë që besohej se ishte një përpjekje e qeverisë ruse për të ndihmuar kandidatin Trump në zgjedhje.
“New York Times” tha se Donald Trump Jr., i publikoi e-mail-et në Twitter, pasi gazeta e njoftoi se do të botonte ato.
Sipas njoftimit, një nga partnerët e biznesit të Presidentit Trump ishte kontaktuar nga një zyrtar i lartë i qeverisë ruse dhe po ofronte t’i jepte fushatës së zotit Trump informacion komprometues për zonjën Clinton.
Sipas gazetës “The New York Times”, ai ishte përgjigjur brenda pak minutash “Nëse është ashtu siç thoni ju, më pëlqen shumë, sidomos nga fundi i verës”.
Donald Trump Jr., nuk kishte dhënë shenja se origjina e informacionit ose nga fakti që kjo ishte pjesë e përpjekjes ruse për të ndihmuar fushatën e të atit, e kishte shqetësuar.
Në njërin nga e-mail-et dërguar djalit të zotit Trump, Don Trump Jr., një publicist me emrin Rob Goldstone përpiqet të rregullojë një takim me një avokate, të cilën ai e përshkruan si “avokate të qeverisë ruse”.
Zoti Trump Jr., ishte mjaft i angazhuar në fushatën presidenciale të babait të tij.
Ai i publikoi e-mail-et të martën në Twitter dhe lëshoi një deklaratë, ku thoshte se po e bënte këtë për të qenë “tërësisht transparent”.
Disa orë pasi i biri bëri publike e-mail-et, Presidenti Trump nxori një deklaratë ku shprehej se “im bir është një person me cilësi të larta dhe unë e përshëndes transparencën e tij”.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, iu shmang pyetjeve për e-mail-et, duke i drejtuar gazetarët tek avokati i Donald Trump Jr.
E-mail-et me publicistin Rob Goldstone tregojnë se zotit Trump Jr., i ishte thënë se qeveria ruse kishte informacione që mund të “inkriminonin” zonjën Clinton dhe marrëdhëniet e saj me Rusinë.
Goldstone i shkruante zotit Trump Jr., se informacioni që do të merrte “do të ishte shumë i dobishëm” për të atin e tij, kandidatin Trump. Goldstone po punonte për ta lidhur zotin Trump Jr., me avokatin rus Natalia Veselnitskaya, e cila më vonë u takua me zotin Trump Jr., në Nju Jork, në Kullën Trump. Veselnitskaya mohon se ka punuar ndonjëherë për qeverinë ruse.
“Nëse kjo është e vërtetë, e dua këtë informacion, sidomos më vonë gjatë verës”, iu përgjigj publicistit Goldstone zoti Trump Jr., në një nga e-mail-et, që zoti Trump postoi të martën në Twitter. Mesazhet datojnë në fillim të qershorit 2016.
Të shtunën, Trump Jr., e përshkroi takimin me avokaten si një “takim të shkurtër fillestar”, i përqendruar te birësimet amerikane të fëmijëve rusë.
Një ditë më vonë, Trump Jr., e ndryshoi versionin e tij, duke pranuar se i ishte thënë paraprakisht se Veselnitskaja mund të kishte informacion “të dobishëm” për fushatën Trump dhe gjatë takimit iu tha se ajo kishte diçka për kandidaten Clinton.

Artikulli paraprakShtyhet gjykimi për tradhti i Janukoviç
Artikulli tjetërErdogan nuk pranon të heqë gjendjen e jashtëzakonshme