Erdogan nuk pranon të heqë gjendjen e jashtëzakonshme

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka përjashtuar mundësinë e largimit të gjendjes së jashtëzakonshme, e cila është shpallur pas përpjekjeve të dështuara për grusht shteti, vitin e kaluar.
Ai ka thënë se kjo masë mund të hiqet kur të përfundojë luftimi kundër terrorizmit.
Autoritetet turke gjatë ditës së djeshme kanë ndaluar 14 persona ushtarakë dhe kanë lëshuar urdhër për ndalimin e 51 personave, duke përfshirë 34 ish-punonjës të televizionit shtetëror “TRT”, kanë raportuar mediat lokale.
“Nuk vihet në diskutim heqja e gjendjes së jashtëzakonshme pas gjithë këtyre ndodhive”, ka thënë Erdogan në një fjalim para investitorëve në Ankara.
“Ne do të heqim urdhrin për gjendjen e jashtëzakonshme vetëm kur të mos kemi më nevojë për luftimin e terrorizmit”.
Ai nuk ka përmendur ndonjë datë specifike se sa do të zgjasë kjo gjendje.
Ankaraja ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme pak kohë pas përpjekjeve të dështuara për grusht shteti, në korrikun e vitit të kaluar, pasi një grup i ushtarëve e sulmuan Parlamentin me qëllim të rrëzimit të qeverisë.
Nga këto përleshje u vranë 240 persona.
Që nga ajo kohë rreth 150,000 persona janë shkarkuar ose suspenduar nga ushtria, shërbimet civile dhe sektori privat.
Kritikët thonë se Ergodan po përdor këto masa për të shuar mospajtimet, derisa qeveria deklaron se këto masa janë të nevojshme për të siguruar Turqinë, nga kërcënimet me të cilat po përballet.

Artikulli paraprakTakimi problematik me avokaten ruse
Artikulli tjetërKE: Në Shqipëri, papunësia në rritje, ekonomia e ngadaltë