Tabela si janë dyfishuar tarifat e pastrimit për bizneset e mesme e të mëdha

Bizneseve të mesme e të mëdha po u shkojnë faturat e Bashkisë Tiranë me tarifat e pastrimit për vitin 2016, duke i zënë shumë prej tyre në surprizë, pasi nuk ishin të informuar për rritjen e tyre. Në fakt, biznesi i mesëm dhe ai VIP në Tiranë do të paguajnë tarifa për pastrimin sa dyfishi i vitit të shkuar, ndërsa për biznesin e vogël këto tarifa nuk kanë ndryshuar. Vendimi i Këshillit Bashkiak nr. 59 i datës 30 dhjetor 2015 i ka rritur me plot 100 për qind tarifën e pastrimit për të gjitha linjat e biznesit për kategorinë në fjalë. Për bizneset e vogla tarifa nuk ka ndryshuar, ajo është 3500 lekë në vit.

Sa do paguajnë bizneset e mesme e të mëdha

Një njësi fruta perimesh i kategorizuar si biznes i mesëm do të paguajë 80 mijë lekë taksë pastrimi në vit nga 40 mijë lekë që paguante në vitin 2015. Një biznes i madh në këtë linjë do të duhet të paguajë me tarifat e reja për pastrimin 100 mijë lekë në vit nga 50 mijë që paguante më parë. Bar-kafetë të kategorizuara si biznes i mesëm do të duhet të paguajnë si tarifë pastrimi 60 mijë lekë nga 30 mijë lekë që paguanin më 2015. Magazinat, dyqanet, etj., të cilat realizojnë shitje me shumicë do të paguajnë me tarifat e reja 74 mijë lekë në vit për pastrimin nga 37, 000 lekë më 2015, ndërsa bizneset VIP në këtë fushë do të paguajnë 94,000 lekë nga 47,000 lekë që ishte tarifa e vjetër.
Njësitë e prodhimit do të paguajnë 170 mijë lekë në vit, nëse janë të listuara si biznes i mesëm nga 85 mijë lekë që paguanin më parë dhe ato VIP do të paguajnë 360 mijë lekë nga 180 mijë që paguanin me tarifën e vjetër. Subjektet e ndërtimit të regjistruara si biznes i mesëm do të paguajnë 300 mijë lekë në vit nga 150 mijë që paguanin më parë si taksë pastrimi, ndërsa ndërtuesit VIP do të paguajnë 45,000 mijë lekë në vit nga 225 mijë lekë që paguanin më parë. Ndërsa për biznesin e vogël me xhiro deri në 8 milionë lekë tarifa për pastrimin nuk ka ndryshuar. Bashkia e Tiranës e ka argumentuar dyfishimin e tarifave të pastrimit për këtë kategori të biznesit me faktin se bizneset e mëdha ndotin më shumë e për pasojë do të duhet të paguajnë më shumë.

Ndikimi i taksave vendore tek rritja e çmimit të apartamenteve

Çmimet e banesave në qytetin e Tiranës janë rritur me ritme dyshifrore në tremujorin e parë të vitit 2016. Banka e Shqipërisë referoi sot se, indeksi i çmimit të banesave, pas rënies së shënuar në tremujorin e katërt, iu rikthye normave rritëse në tremujorin e parë të vitit 2016. Indeksi i rregulluar edhe me efektin e inflacionit, u rrit 11.3% në këtë tremujor. Burimet nga tregu pohojnë se, rritja e çmimeve nuk po vjen nga kërkesa për banesa, por nga ngarkesa fiskale. Hajredin Fratari një nga ndërtuesit më të hershëm në vend dhe njëkohësisht presidenti i Konfidustrisë tha se, çmimet e apartamenteve në këtë periudhë janë ndikuar nga kostot e larta që kanë krijuar taksat. Në fillim të këtij viti, taksa e ndikimit në infrastrukturë është rritur në 8% nga 4% që ishte më parë. Fratari shpjegoi se, kosto nga taksa e infrastrukturës është rritur edhe për shkak se tani vilet mbi çmimin e objektit dhe jo mbi vlerën e investimit.
Kostot janë rënduar edhe nga aplikimi i taksës së banesës mbi inventarët. Tani ndërtuesit paguajnë tatimin për objektet e përfunduara, të cilat ende nuk janë shitur. Në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë ndërtuesit disponojnë inventarë për shkak të kërkesës të dobët ndaj tatimin e kanë përfshirë në çmimet finale të banesave. Sektori i ndërtimit vijoi të zgjerohet me ritme të larta edhe gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015, megjithëse tendenca e ndjekur tregon për ngadalësim të aktivitetit. Vlera e shtuar e sektorit u rrit me 12.7% në terma vjetorë në tremujorin në analizë, pas zgjerimit me 24.7% dhe 16.7% përkatësisht gjatë tremujorëve të dytë dhe të tretë të vitit.
Banka e Shqipërisë tregon se, analiza e të dhënave të tërthorta të vlerës së përafërt të lejeve të ndërtimit tregon për rritje të tyre, të drejtuar kryesisht nga shtimi i punimeve inxhinierike, me kontribues kryesor sektorin publik, si edhe në një masë më të vogël nga ndërtesat për qëllime banimi. Niveli ndjeshëm më i ulët i treguesit të besimit në ndërtim, si edhe rënia e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve sugjerojnë ngadalësim me ritme më të shpejta të aktivitetit në sektorin e ndërtimit gjatë tremujorit të parë të vitit 2016.

Artikulli paraprakInteresat zbresin në minimumet historike, humbasin qytetarët, përfiton qeveria
Artikulli tjetërFMN: Shqipëria me rritjen më të ulët ekonomike në rajon