FMN: Shqipëria me rritjen më të ulët ekonomike në rajon

Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka dhënë një shuplakë të fortë propagandës se qeverisë shqiptare për suksese ekonomike, duke vlerësuar se Shqipëria do të jetë edhe për këtë vit një nga vendet me rritjen më të ulët ekonomike në rajon. Në raportin e fundit mbi zhvillimet ekonomike të Europës Lindore dhe asaj Qendrore, FMN vlerëson se për 2016-ën ekonomia shqiptare do të rritet me 3.4 për qind, por shumica e vendeve të tjera do të përjetojnë një rritje me të shpejtë se kjo.
Sipas FMN, vendi me rritjen më ta lartë ekonomike në rajon do të jetë Mali i Zi, ku prodhimi kombëtar këtë vit do të zgjerohet me 4.7 për qind. Në vendin e dytë vjen Turqia, ku rritja ekonomike pritet të jetë 3.8 për qind, ndërsa më pas Maqedonia me 3.6 për qind. Sipas raportit Shqipëria dhe Kosova do të rriten me 3.4 për qind, ndërsa dy vendet e vetme që do të kenë një rritje më të vogël se kjo janë Bosnja dhe Serbia, e cila po përballet me një krizë të thellë financiare.

Sërish të fundit

Ky është viti i tretë me radhë, ku Shqipëria shënon rritjen më të ulët ekonomike në rajon. Edhe vitin e kaluar Shqipëria dhe Serbia ishin sërish dy ekonomitë me rritjen më të ulët në rajonin e Ballkanit perëndimor. Sipas FMN, në 2015-ën, rritjen më të lartë e kanë shënuar Mali i Zi dhe Maqedonia, përkatësisht me 4.1 dhe 3.7%. Ekonomia e Kosovës u rrit me 3.3% dhe ajo e Bosnje-Hercegovinës me 3%. Shqipëria renditet në vendin e pestë me 2.6%, duke lënë pas Serbinë, që gjatë vitit të shkuar shënoi në rritje me vetëm 0.7%.

Ekonomia në përkeqësim

Por tendenca tjetër shqetësuese është se përveçse mbetet ndër ekonomitë me rritjen më të ulët në rajon, Shqipëria është e vetmja që po përballet me përkeqësimin e pritshmërive ekonomike, ndërsa në vendet e tjera rritja ekonomike është rishikuar për lart. Në Turqi, rritja ekonomike për 2016 u rishikua nga 2.9 për qind që vlerësohej në tetor në 3.8 për qind. Në Maqedoni shifra u korrektua nga 3.2 në 3.6%, ndërsa në Serbi parashikimi për rritjen ekonomike u përmirësua nga 1.5 në 1.8 për qind. Shqipëria ishte i vetmi vend i rajonit ku vlerësimi për rritjen ekonomike të 2016-ës mbeti i pandryshuar krahasuar me parashikimin e tetorit të vitit të kaluar, pra 3.4 për qind. Por edhe kjo shifër tashmë është e pasigurtë. Pak ditë më parë, Banka e Shqipërisë deklaroi se e rishikoi me ulje rritjen ekonomike të këtij viti dhe tashmë pret një normë rritje rreth nivelit 3 për qind.

Këshilli i Investimeve: Taksat po penalizojnë ekonominë

Këshilli i Investimeve i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të heqë tatimin për fitimet e riinvestuara, pasi sipas tij kjo po pengon zgjerimin e bizneseve dhe ardhjen e investitorëve të huaj në vend. Në një raport të posaçëm për nxitjen e investimeve, Këshilli vëren se ekonomia shqiptare po penalizohet nga taksat e larta mbi kapitalin. “Shqipëria paraqet disavantazh ndaj vendeve të rajonit, për sa i përket ri-investimit të fitimit, duke e tatuar me 15%, ndërkohë disa vende, e kanë më të ulët si normë ose nuk e aplikojnë ndaj pjesës së fitimit të ri-investuar, si rasti Maqedonisë dhe Serbisë kundrejt disa garancive paraprake për investime kapitale dhe hapjen e vendeve të reja të punës”, thotë raporti. Këshilli i Investimeve është një platformë e ngritur nga autoritetet shqiptare me mbështetjen e BERZH-it për të rritur dialogun midis qeverisë dhe sektorit privat, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të nxitur qeverisjen e mirë. Qëllimi kryesor i këtij institucioni është t’i rekomandojë qeverisë politika për nxitjen e investimeve. “Tatimi mbi fitimin e riinvestuar, është konsideruar edhe nga bizneset, si një element që kombinuar me klimën e biznesit frenon investimin e fitimeve në vend, dhe motivon transferimin e tyre jashtë për investitorët e huaj”, thotë raporti.

Taksat e rënda

Fondi Monetar Ndërkombëtar bën të ditur se, Shqipëria është një nga tre vendet e vetme në Europë që ka rritur taksat direkte mbi biznesin gjatë krizës ekonomike. Në një raport të fundit mbi politikën fiskale në Europë pas krizës, FMN vëren dy vendet e tjera që kanë rritur taksat e drejtpërdrejta mbi biznesin dhe individët janë republika Sllovake dhe Serbia. Në të gjithë vendet e tjera, pas vitit 2008, taksat mbi fitimin e biznesit apo ato mbi të ardhurat e individëve janë ulur ose mbajtur të pandryshuara për të mos dëmtuar ekonomitë. Taksimi i fitimeve të biznesit në normën 15 për qind e bën Shqipërinë vendin me taksat më të larta në rajon, së bashku me Serbinë. Në të gjithë vendet e tjera të Ballkanin Perëndimor si Mali i Zi, Maqedonia, Kosova dhe Bosnja, kjo taksë është 10 për qind. Sipas FMN, vendet e Ballkanit perëndimor janë ato me taksat më të ulëta në Europë. Në ekonomitë e avancuara të zonës euro, norma mesatare e tatim fitimit është 25 për qind, ndërsa në ekonomitë e tjera në zhvillim ajo luhatet nga 15 në 20 për qind. Por edhe pse krahasuar me ekonomitë e zhvilluara europiane, Shqipëria mbetet një vend me taksa të ulëta, sipërmarrësit ankohen se konkurrentët tanë të drejtpërdrejtë janë vendet e Ballkanit, të cilat e kanë më të vogël tatim fitimin. Ndaj në më shumë se një rast, shoqatat e biznesit i kanë kërkuar qeverisë të rishikojë politikën e taksave për të mos e bërë vendin jokunkurrues çka mund të devijonte investimet në vende fqinje.

Artikulli paraprakTabela si janë dyfishuar tarifat e pastrimit për bizneset e mesme e të mëdha
Artikulli tjetërManaj titullar në Sassuolo-Inter