Beteja e humbur e Ramës me pronarët në Strasburg

Gjykata e Strasburgut ka kthyer kërkesën e qeverisë shqiptare për të paktën pesë dosje dhe nuk ka pranuar versionin e saj për kompensimin duke sjellë shumë pranë një kolaps fiskal. Vlera e 82 dosjeve që po trajtohen është mbi 550 milionë euro, një faturë kjo e papërballueshme për arkën e shtetit.
Qeveria shqiptare rrezikon të paguajë një faturë të kripur për kompensimin e 82 dosjeve për kompensim prone në Gjykatën e Strasburgut. Myrshit Vorpsi, nga Shoqata Pronësi me Drejtësi pohoi se, Gjykata e të Drejtave të Njeriut nuk ka pranuar kërkesën e qeverisë shqiptare për të kompensuar dosjet në proces në bazë të zërit kadastral 1944, ku toka truall kompensohet si tokë bujqësore.
Gjykata ka kthyer kërkesën e qeverisë shqiptare për të paktën pesë dosje dhe nuk ka pranuar versionin e saj për kompensimin duke sjellë shumë pranë një kolaps fiskal. Vlera e 82 dosjeve që po trajtohen është mbi 550 milionë euro, një faturë kjo e papërballueshme për arkën e shtetit.
Rasti Rista (çështja nr. 24468/10) është ilustrimi i asaj që pritet të ndodhë me kompensimin e ish-pronarëve. Duke pasur parasysh faktin se në kohën e konfiskimit ngastra e tokës kishte qenë bujqësore, qeveria propozoi që çmimi i referencës për tokën bujqësore dhe në bazë të hartave të vlerësimit të vitit 2014 që duhet të zbatohet, vlera e tokës është 230 lekë për metër katrorë.
Vlerësimi i gjykatës përsa i përket aplikimit nr. 24468/10 dhe 39495/10, vëren se autoritetet kishin njohur të drejtën e ankuesve për kompensim në lidhje me tokën ndërtimore dhe jo të tokës bujqësore apo kullota si të kontestuara nga qeveria.
Vendimi i njëjtë është marrë edhe për tre dosjet e tjera, si rasti Karagjozi kundër Shqipërisë, Halimi kundër Shqipërisë etj.
Ish-pronarët nisur nga këto raste komentojnë se nëse një gjykatë ndërkombëtare konstaton se Republika e Shqipërisë ka shkelur detyrimin që rrjedh nga një marrëveshje ndërkombëtare dhe si rrjedhojë, janë cenuar të drejtat dhe liritë themelore të një personi fizik ose juridik nëpërmjet një ligji ose akti normativ, Gjykata Kushtetuese, me kërkesë, mund të shfuqizojë ligjin ose aktin normativ nëse konstaton se nuk ka mjet tjetër efektiv për të vënë në vend të drejtat e cenuara.
Teksa qeveritë shqiptare kanë dështuar në kthimin e kompensimin e pronës, ish-pronarët panë si zgjidhje Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg dhe buxheti i shtetit është para një rreziku serioz.
Sipas Avokaturës së Shtetit, 106 çështje që janë në pritje të shpalljes së vendimit, që i përkasin periudhës pas vitit 2014, kanë një vlerë prej 556.524.809 euro, shumë kjo sa rreth 20% e të ardhurave të pritshme të buxhetit vjetor të shtetit.

Nishani denoncoi në Strasburg cenimin e të drejtave të pronarëve

Pak kohë më parë, Presidenti Bujar Nishani i shprehu në Strasburg Presidentit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi shqetësimin e tij në lidhje me ligjin e qeverisë për pronat. Ligji që në thelb synon mohimin e të drejtës së pronësisë pronarëve. Një vëmendje të veçantë Presidenti Nishani ia kushtoi çështjes së pronave dhe kompensimit të pronarëve të shpronësuar gjatë regjimit komunist në Shqipëri, si një e drejtë fondamentale dhe një nga prioritetet për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kreu i shtetit e njohu Raimondin me këndvështrimin e tij për ligjin e miratuar nga Parlamenti shqiptar për kompensimin dhe trajtimin e pronës, si dhe evidentoi ankimimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese, duke theksuar se, “përmes këtij ligji është prekur standardi i vendosur përmes Kushtetutës dhe jurisprudencës së saj, por edhe standardi i vendosur nga Konventa dhe jurisprudenca e saj, si dhe janë anashkaluar edhe mesazhet e dhëna nga GjEDNj jo vetëm përmes vendimit pilot, por edhe çështjeve më të fundit të trajtuara prej saj”. Presidenti Nishani e përshëndeti rolin e GjEDNj, si promotore e demokracisë dhe lirisë në Evropë, të cilat po sfidohen sot në mënyrën më ekstreme nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm. Kreu i shtetit e siguroi zotin Raimondi për solidaritetin dhe vendosmërinë e Shqipërisë për të qenë krah aleatëve të saj në luftën kundër ISIS¬-it dhe terrorizmit ndërkombëtar. Më pas, Presidenti Nishani vlerësoi rolin dhe kontributin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut në mbarë kontinentin evropian, si dhe theksoi rëndësinë që ka për qytetarët evropianë të përfitojnë nga garancitë që i jep Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut në rast shkeljeje të të drejtave të tyre. Kreu i shtetit vlerësoi rezultatet e arritura në kuadër të reformës në sistemin e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të Gjykatës, si dhe shprehu mbështetjen e Shqipërisë për këtë reformë. Presidenti i Republikës e siguroi Presidentin e Gjykatës Raimondi për angazhimin e Shqipërisë, si shtet palë në Konventë, për t’i njohur dhe garantuar çdo personi nën juridiksionin e vet të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Konventë. Duke vlerësuar zgjidhjen që shumë qytetarë shqiptarë kanë gjetur në GjEDNj, Presidenti Nishani u shpreh se: “qytetarët shqiptarë besojnë shumë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut”. Presidenti Nishani theksoi gjithashtu se Shqipëria ka qenë dhe është e angazhuar që në të ardhmen të realizojë zbatimin e Konventës (KEDNJ) në nivel kombëtar, në mënyrë të tillë që aplikantët të mos i drejtohen vetëm dhe në çdo rast GjEDNj-¬së, por të marrin zgjidhje nga institucionet e larta shqiptare të drejtësisë. Kreu i shtetit e informoi zotin Raimondi mbi ecurinë e Reformës në Drejtësi, si dhe theksoi se kjo reformë është prioritare, pasi është e vetmja mundësi për të krijuar një sistem drejtësie, të pavarur, profesional dhe të pakorruptuar.

“Monitor”

Artikulli paraprakFluturojnë çmimet e gazit, trefishohen një muaj pas akcizës
Artikulli tjetërRaporti: Shqipëria ka humbur 11 vende për shkak të korrupsionit