Fluturojnë çmimet e gazit, trefishohen një muaj pas akcizës

Çmimi i gazit pas rritjes së akcizës ka thyer çdo parashikim, duke u rritur deri në tre herë. Kryeministri Sali Berisha, në një postim të shkurtër të tijin në rrjetin social Facebook, ka komentuar një foto të para dhe pas 1 janarit ku shihet ndryshimi i çmimit të gazit. Në rast se deri në dhjetor një litër gaz mund ta gjeje me 26 lekë, pas 1 janarit ai ka kapur shifrën e 75 lekëve ose tre herë më shtrenjtë. Kjo rritje ka prekur jo vetëm gazin për automjetet, por edhe atë për konsumin familjar, çka do të thotë një rritje tjetër arbitrare të kostos së jetesës për qytetarët. “Rekord tjetër i zi i piktorit dështak! Pas taksës së re, çmimi i gazit rritet me tre herë apo nga 26 rritet në 75 lekë litri”, shprehet në postimin e tij ish-Kryeministri Berisha. Por ç’do të thotë një rritje e tillë e shfrenuar e rritjes së çmimit të gazit? Një rritje e çmimit të gazit do të thotë një rritje e kostos së jetës për qytetarët, vetëm se në këtë rast është e paarsyetuar. Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për kostot direkte që rëndojnë në kurriz të qytetarëve, por dhe në rritjen e kostove të për të gjitha industritë që punojnë me gaz të lëngshëm. Natyrisht, efekti do të çojë dhe në rritjen e çmimeve të produkteve si buka, çmimet e transportit etj. Në rast se një familje deri para 1 janarit sipas përllogaritjeve harxhonte rreth 3 mijë lekë gaz në muaj për ngrohje, sot duhet të harxhojë dyfishin e kësaj shume. Në rast se harxhonte 1 mijë lekë në muaj për gatim atëherë sot do të harxhojë dy apo trefishin e kështu me radhë. Gazi natyror ishte parë si alternativë nga shqiptarët që filluan ta përdorin atë masivisht, por qeveria me një të rënë të lapsit ua hoqi dhe këtë alternativë, duke rënduar akoma më shumë buxhetin e tyre.

Rritja për familjarët

Por në rast se në pikat e karburantit vihet re një çmim prej 75 lekësh, në pikat e licencuara që duhet të ishte më lirë sipas logjikës ky çmim varion nga 85 në 90 lekë. Nga ana tjetër, pikat e karburantit e kanë të ndaluar të shesin për familjarët sipas vendimit të qeverisë, duke i detyruar kështu shumë familje ta marrin dhe më shtrenjtë se në pikat e karburantit. Në fakt, metodologjia e mbushjes nuk ndryshon nga pikat e karburantit tek ato të licencuara. Është bërë fakt tashmë se vendosja e akcizës së karburantit nuk ishte gjë tjetër vetëm se një mënyrë për të rritur arbitrarisht çmimin e tij. Kjo për dy arsye. E para, për t’i ardhur në ndihmë firmave që kanë monopolin e këtij produkti dhe e dyta, për të dekurajuar qytetarët, sidomos ata që kanë makina me impiante gazi. Në rastin e parë kemi të bëjmë me një strategji të djallëzuar pasi si pikat e karburantit dhe ato të licencuara për konsum familjar, gazin e marrin tek të njëjtët importues. Shteti nuk ka një sistem matës që ta kontrollojë se kujt i shitet gaz me akcizë dhe kujt jo. Një sistem i tillë mundësohet vetëm në vendet perëndimore, ku ka sistem matës për çdo familje dhe gazi shkon me anë të tubacioneve. Pra, një kompani fare mirë mund të vazhdojë të shesë gazin me çmimin e akcizës për automjete dhe ta regjistrojë për konsum familjar. Fitimet nga ky megamashtrim janë kolosale dhe natyrisht Rama, Ahmetaj dhe të tjerë kanë pjesën e tyre të fitimit.

Klientët e Ramës

Në rastin e gazit për karburantet, gazeta “RD” raportonte në dhjetorin e shkuar se kjo është mundësuar nga klientët e Ramës në qeveri, ku ndonjë prej tyre ka dhe importin e naftës dhe karburantit, por edhe të gazit. Pra, të alarmuar nga mbetja stok e pashitur e benzinës, u mendua me djallëzi të dekurajohet vendosja e impianteve të gazit. Ose në rastin e tanishëm është menduar që fitimi i munguar nga shitja e benzinës të kompensohet me shitjen e gazit. Kompanitë kliente të Ramës, sot me çmimin e ri të gazit fitojnë njësoj ose më shumë se nga shitja e benzinës apo e naftës. Po t’i shtosh këtu dhe koston e vendosjes së një impianti gazi për automjetet atëherë do të vërehet se vërtet qytetarët shqiptarë kanë dalë jo pak të humbur nga veprimi klientelist dhe abuziv i qeverisë shqiptare. “Në vendet e zhvilluara të tilla rritje bëhen për shkak të lëvizjes së mallrave në bursa, por në vendin tonë kjo bëhet me qëllim përfitimi, duke rënduar në kurriz të qytetarit. Edi Rama nuk po mbron konsumatorin familjar në këtë rast, i cili pas futjes së akcizës në janar ka rrezik t’i dyfishohet çmimi, por mbron interesat e kompanive importuese të karburanteve, ku një ndër ta është dhe Besnik Sula i Tajvanit, që operon me naftën dhe gazin e Ballshit. I njohur për ndikimin e tij tek vendimet e kryeministrit. Ahmetaj apo Gjiknuri janë vetëm vegla për të arritur qëllimin dhe grupi parlamentar i Rilindjes, i cili çertifikon me votë të gjitha vendimet abuzive që bëhen në kurriz të njerëzve. Vetëm nga rritja e paarsyetuar e akcizës, pritet të ketë një kosto konsumatori prej 647 milionë lekësh. Qeveria paraardhëse e demokratëve, enkas nuk vendosi akcizë për këtë mall, me qëllim që konsumatori ta shihte si alternativë energjie përdorimin e gazit natyror. Por mesa duket, sapo njerëzit gjetën një mënyrë për të kursyer diçka dhe duke parë rritjen e përdorimit, doli në skenë Rama, i cili kërkon ta rëndojë akoma më shumë xhepin e tyre. Siç bëri me energjinë, çmimin e ujit apo taksat e tjera”, gazeta “RD”, 3 dhjetor 2016.

Rrezikohet rritja e çmimit të bukës

Rritja e çmimit të gazit me mbi 18-20 lekë për litër, veç të tjerash, është shndërruar në një kosto të papërballueshme për industrinë e përpunimit dhe për disa biznese të mesme, sidomos linjat e prodhimit të bukës. Adi Haxhiymeri nga fabrika e miellit “Bloja”, tha se një pjesë e industrisë përdor si lëndë të parë gazin e lëngshëm. Rritja e menjëhershme gati me 20 lekë për litër ka rritur kostot dramatikisht. Rritja ishte më shumë se 25%. Ai pohoi se qeveria ka marrë vendimin që akciza të rritet vetëm për përdoruesit e automjeteve dhe jo për përdoruesit industrialë. Pas energjisë elektrike, gazi është lënda e parë që përdoret më së shumti edhe nga një pjesë e industrisë, e cila e përdor për ngrohje dhe funksione të tjera. Edhe furrat e bukës janë të prekura nga ky fakt. Shumë prej tyre kanë shmangur përdorimin e energjisë elektrike, duke përdorur furrat e pjekjes me gaz, për të shmangur kostot e larta të përdorimit të elektricitetit. Por tani duken pa zgjidhje, pasi edhe çmimi i gazit ka shënuar rritje drastike. Industria shqiptare e përpunimit për të tretin vit radhazi po përballet me kosto në rritje për shkak të keqfaturimit të energjisë elektrike, rritjes së taksave dhe rritjes së tarifave dhe taksave vendore.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërBeteja e humbur e Ramës me pronarët në Strasburg