Siguria në plazhe, Romeo Gurakuqi: Edhe sa njerëz duhet të vdesin që të ndërhyhet?

Deputeti i Partisë Demokratike në Qarkun Shkodër, Romeo Gurakuqi përmes një statusi në “Facebook” ngre disa pyetje rreth plazhit të Velipojës lidhur me sigurinë dhe praninë e autoritetit shtetëror. Ngjarjet e rënda në bregdetin shqiptar ku dhjetëra njerëz kanë humbur jetën kanë bërë Gurakuqin t’i kërkojë llogari shteti përmes pyetjes: Edhe sa njerëz duhet të vdesin që të ndërhyhet?
“Si dhe sa është i pranishëm autoriteti shtetëror, qendror dhe krahinor, në Plazhin e Velipojës: në respektimin e standardeve të sigurisë njerëzore? Në kontrollin e parametrave në shërbimet publike? Në kushtet e krijuara pas dhënies së lejeve, nga çadrat deri tek bizneset? Si monitorohet kontrolli i çmimeve nga monopolistët e çadrave, hotelerisë etj? A japin faturë “tagrambledhësit” çadravënës dhe dhomalëshues? A ka frena ambicja e tyre për çmime tej nivelit të arsyes dhe tregut? A plotësojnë kushtet etike dhe moshore shitësit e shërbimeve? Si respektohen kushtet e higjenës? Cili është niveli i ndotjes akustike në plazh?
A parashikohet një kod i respektimit të repertorit muzikor, tipit të muzikës, në momentin e dhënies së licencës?! Sinjalistika dhe vijëzimi i rrugëve, shtrimi i tyre dhe sheshet? A vazhdojnë të jenë të lira sheshet publike në Velipojë?  Cili është roli paraprirës edukativ qytetar i shtetit? Besoj se ky rregullim nuk duhet lënë për vitin e ardhshëm.  Thirrje për emergjencë në kthimin e autoritetit. Sa njerëz duhet të vdesin që të ndërhyhet për të vendosur rregullin civil?  Sa vite duhet të presim që Plazhi i Velipojës të operojë me standardet turistike të pjesës pararojë të Shqipërisë bregdetare? Edhe sa kohë duhet të kalojë dhe sa mijëra vota ë tjera duhet të tregtohen, që të ketë një përshkrim tipologjik dhe profesional të liderit biznesbërës që aplikon për licencë?!” shprehet deputeti demokrat.

Artikulli paraprakMë i madhi në Tiranë është Noriega, të tjerët janë më të vegjël se ai!
Artikulli tjetërZhgënjimi i Shpëtim Saraçit dhe largimi i tij