Zhgënjimi i Shpëtim Saraçit dhe largimi i tij

Shpëtim Saraçi dhe bashkëshortja e tij, Mira Konçi, janë dy nga ikonat e muzikës së lehtë shqiptare, emrat e të cilëve janë gdhendur jo vetëm në mendjen e artdashësve shqiptarë, por edhe historisë së muzikës dhe skenës në Shqipëri. Pas largimit të tenorit shqiptar me famë botërore, Agim Hushi, një tjetër lajm mbushi gjithë portalet e agjencitë informative: Shpëtim Saraçi dhe Mira Konçi lënë Shqipërinë, nisin jetën në SHBA. Në një rrëfim të shkurtër mbi lajmin për largimin e tij, në fjalët e Shpëtim Saraçit dukshëm përcillet zhgënjimi i madh që ai ka marrë pas 30 vitesh pune të palodhur, përkushtimi e dedikimi për skenën dhe muzikën shqiptare. Ai shprehet se tashmë është duke e menduar largimin dhe se këtë hap, nëse do ta ndërmarrë, do ta bëjë për të ardhmen e fëmijëve, për shkollimin e tyre në një sistem të konsoliduar arsimor. “Ajo që është e sigurt, është që po mundohemi të ndihmojmë fëmijët të shkollohen në një sistem arsimor të konsoliduar dhe jemi në kohën kur çdo familje në botë e bën këtë gjë… Për të tjerat, çdo gjë është fakultative. Di që departamentin e punës në RTSH që drejtoja, na e shkrinë (një redaksi me traditë 55-vjeçare) në emër të krijimit të ca strukturave të reja që nuk ekzistojnë në asnjë vend të botës. Di që megjithëse punova me gjithë shpirt e pasion, për rreth 30 vite në Shqipëri (ku pësova edhe trauma shëndetësore, që mund të më kushtonin edhe jetën) prapë se prapë përfundova duke mbrojtur të drejtën time nëpër gjyqe. Megjithatë, njerëzit e vendit tim i dua dhe i respektoj pafund”, u shpreh Saraçi, teksa shpreh keqardhjen që i duhet të diskutojë të qëndrojë apo të largohet nga vendi i tij, ku ndërtoi një karrierë të gjatë e të suksesshme.

Artikulli paraprakSiguria në plazhe, Romeo Gurakuqi: Edhe sa njerëz duhet të vdesin që të ndërhyhet?
Artikulli tjetërIsh-drejtori i ALUIZNIT, 96.2 milionë lekë vjedhje dhe tjetërsim pronash