SHBA: Vërejtje të reja ndaj Iranit

Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, ka paraqitur vërejtje të reja për Iranin dhe militantët shiitë të lëvizjes Hezbollah në Liban.
Këto komente ai i bëri dje në Uashington, gjatë shënimit të 34-vjetorit të sulmeve me bomba kundër kompleksit të marinës së Shteteve të Bashkuara në Bejrut të Libanit, me ç’rast ishin vrarë 241 ushtarë amerikanë dhe 58 ushtarë francezë.
Për këtë sulm, Uashingtoni e fajëson Hezbollahun dhe mbështetësit iranianë të kësaj lëvizjeje.
“Para 34 vitesh, Amerika ishte tërhequr në luftë me një armik të ndryshëm nga të gjithë me të cilët ne jemi ballafaquar”, tha Pence dhe ka shtuar se, “bombardimi i kazermave në Bejrut ishte hapje e breshërisë së luftës, që ne e kemi udhëhequr prej atëherë, e kjo është lufta globale kundër terrorit”.
Mike Pence tha se administrata e Presidentit amerikan, Donald Trump, i ka dyfishuar përkushtimet për “ta shkatërruar rrjetin terrorist të Hezbollahut dhe për t’i sjellur liderët e tij para drejtësisë”.

Artikulli paraprakSHBA: Sanksione kundër ushtrisë së Birmanisë
Artikulli tjetërPërbërja e Bundestagut të ri