SHBA: Sanksione kundër ushtrisë së Birmanisë

Shtetet e Bashkuara thonë se e përfundojnë ndihmën ushtarake për njësitë dhe oficerët e involvuar në dhunën kundër komunitetit mysliman Rohinxha në Birmani dhe i shqyrton masat e tjera lidhur me trajtimin e autoriteteve në këtë vend ndaj popullatës pakicë.
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Heather Nauert, tha mbrëmë se në aksionet e mëtejshme mund të përfshihen sanksione të shënjestruara sipas legjislacionit amerikan, Akti Global Magnitsky, i cili i ndëshkon zyrtarët që nga Uashingtoni vlerësohet se janë përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut.
Departamenti amerikan i Shtetit tha se në mesin e masave që tashmë janë ndërmarrë, përfshihet ndalimi i udhëtimit për zyrtarët e dikurshëm dhe ata aktualë të ushtrisë së Birmanisë, e njohur edhe si Mianmar, dhe përjashtimi i njësive dhe oficerëve në shtetin Rakhine të Birmanisë, nga ndihma amerikane.
“Ne shprehim shqetësimin tonë të madh për zhvillimet aktuale në shtetin Rakhine dhe për abuzimet e dhunshme dhe traumatike që i kanë përjetuar pjesëtarët Rohinxha dhe komuniteteve të tjera”, tha zëdhënësja Nauert dhe ka shtuar se, “është e domosdoshme që çdo individ apo entitet përgjegjës për mizoritë, përfshirë aktorët joshtetërorë dhe vullnetarët, të mbahen përgjegjës”.

Artikulli paraprakKryebashkiaku i Londrës kërcënon me referendum të dytë Brexit
Artikulli tjetërSHBA: Vërejtje të reja ndaj Iranit