Rama, Blushi, Meta, aleatë në dështim

Pranvera SHEHAJ

A thua se është luftë brenda llojit kacafytja nën të njëjtën ngjyrë? A thua se rregullat e lojës kanë kaluar çdo kufi të moralit politik?
A thua se mëkati i pushtetit e ka djegur në ferr Kushtetutën e fjalës aq sa nga gjithçka u tha dje e nga ajo që do thuhet nesër, nuk mbetet gjë tjetër veçse hi?
A thua se politika është kthyer përfundimisht në një kazino të lirë pazaresh personale, ku bashkëpunimi dhe koalicioni kamuflon shkëmbimet personale mes të ashtuquajturve delegatë të popullit?
George Orwell do t’iu përgjigjej me një shprehje fenomenale retorikës së të tilla pyetjeve: “Gjuha e politikes është e projektuar për të artikuluar gënjeshtra që tingëllojnë si të vërteta dhe vrasin me respekt!” E nëse politika aktuale ka vendosur të thyejë çdo tabu të respektit ndaj zgjedhësve, është detyra e këtyre të fundit të përkthejnë deri në detaje diskursin e rëndomtë të atyre që kundërshtojnë veten, duke shkelur mbi parime, që nëpërkëmbin të tashmen e këtij vendi përmes flirtit absurd me kundërshtarin moral. Vërtet gjuha e politikës artikulon gënjeshtra, por t’i drejtohesh të njëjtit elektorat me dy standarde është mediokritet i ulët i atij lloj politikani që ka vendosur emrin dhe dinjitetin në dispozicion të një posti të përkohshëm.
Megjithatë, gjithçka kapërdihet në një kamp politik ku kapitulli i së djeshmes ka një përmbajtje të përshkruar nga kontrasti. Gjithçka merr sens në një tryezë partiake, ku lideri drejton aksidentalisht ata që i kanë besuar karrierën e tyre të majtës. Lindja e termit “Rilindje” ishte pagëzimi i një kohe kur të majtët nuk mund të votojnë më majtas, përsa kohë delegatët e vizionit të majtë janë në hije, pa asnjë lloj hapësire diskutimi brenda partisë. Aty nuk është për t’u habitur, kur bashkëpunëtori politik kthehet në fajtor për dështimin, ashtu sikurse nuk është për t’u habitur kur katër shqiptarët e flijuar në emër të luftës personale për karrigen e kryeministrit, u harruan si pasojë e një bashkëjetese të përkohshme. I largët 21 janari i Ramës, e largët edhe kauza e asaj dite, e largët dita kur Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” u mbulua nga pankartat me profilin e Ilir Metës, e largët koha kur Meta ishte fajtor i krimit politik, por sërish e afërt dita, kur bashkëpunimi me të shitet si motiv i dështimit nën qeverisjen e së majtës.
E majta ka pasur disa beteja brenda saj. Kanë qenë beteja pa heronj, pa kauza themelore politike. Përherë ato janë ngritur mbi të njëjtin motiv: sindroma instiktive e dëshirës për karrige, për lidership, për karrierë individuale. Diku në rrethinat e Vlorës, Sevaster, përmendet ende një shprehje e Mehmet Shehu-t : “Do të shkoj shumë larg, përsa kohë nuk më vrasin miqtë e mi”. Nuk di të them sa larg mund të shkojë e majta, përsa kohë nuk e di me saktësi a godasin njëri-tjetrin deri në vrasje të majtët…?! Di vetëm se katër vitet e fundit, bënë që disfata në qeverisje të reflektohej në një krizë të brendshme të pakontrolluar, një krizë që radhiti viktima politike, pabesi, përjashtime, të flijuar, fajtorë dhe marrëveshje të lëna përgjysmë. Di mirë atë që di çdo ndjekës i politikës: se e majta e katër viteve më parë u përfshi në konflikte të brendshme, të cilat bënë jo pak bujë, për më tepër në një vend ku mosmarrëveshjet marrin tjetër dimension nëse arsyeja ka qenë tradhtia midis miqve.
Kokëdhima, Doshi, Blushi e të tjerë janë protagonistët e copëzimit të së majtës prej të majtëve. Mandati katërvjeçar u mbyll së fundmi me nënshkrimin e procedurave të divorcit me Metën, për më tepër në një çast, kur rregullat e lojës vendosin të ardhmen e ekzekutivit.
Pyetja që stimulohet është mëse e drejtpërdrejtë: sa larg kërkon të shkojnë dy liderët e majtë si përfaqësues të një partie, ku thikat pas shpine kanë ndjekur njëra-tjetrën dhe fushata elektorale po ngrihet mbi gjuhën e luftës së brendshme?
Ju, të majtët individualistë, në skenën politike jeni tre protagonistë paralelë, jeni kolegë brenda Parlamentit, jeni bashkëpunëtorë në qeverisje, jeni bashkëfajtorë në dështim, jeni përgjegjës për çdo detaj regresi në këto katër vite. Jeni kaq të afërt në çdo hap të lojës politike të deritanishme. Papritur, jeni tre pole, tre beteja individuale, tre liderë në luftë për lidership, tre aktorë amatorë që luftën e vet po e ngrenë mbi vrerin për ish-mikun, për ish-kolegun, për ish-bashkëpunëtorin, për ish-kundërshtarin.

Po e nis me ju, i nderuar shkrimtar

Ju që librin “Kandidati” e mbyllni duke thënë: “…shqiptarët ishin një popull me fat. Ata e kishin shpikur të parët ilaçin kundër mendimit. Unë kisha bërë një eksperiment, duke i nxitur të votonin për një të vdekur. Dhe ata më kishin ndjekur. Pa menduar”.
Jam kurioze të di, ende sot, si kryetar i Libra-s vazhdoni të besoni se ne shqiptarët nuk mendojmë…?! Nëse po, mendoj se keni pjesërisht të drejtë. Ne nuk mendojmë përsa kohë fara e politikës suaj vazhdon të ujitet pas 27 viteve demokraci. Ne nuk mendojmë, përsa kohë që në studiot televizive ju ftojnë për të përrallisur mijëra negativitetet e qeverisjes së ish mikut tuaj. Shpesh herë dëgjoj të shpreheni: “Gjithçka po them është e vërtetë. Ekonomia është në deflacion, ekselenca ka braktisur vendin, rruga drejt BE-së ka mbetur në një fazë stanjative, varfëria është ulur këmbëkryq, fshati është lënë në harresë, papunësia po rritet me hapa galopantë”.
Gjithçka që thoni është një e vërtetë abolute e një realiteti që përjetohet mizorisht çdo ditë. Gënjeni vetëm në një detaj: ju ishit aty, firma juaj ishte aty, ndihma juaj ishte aty, përkrahja juaj ishte unike ndaj atij që sot e shisni si fajtorin numër një të katastrofës aktuale. Libra juaj është bar i ri, por ju jeni model i vjetër. Keni të drejtë, ne shqiptarët kemi shpikur të parët ilaçin kundër mendimit, por ende nuk dimë formulën e një ilaçi kundër jush. Nuk jemi ende imunë ndaj modelit tuaj, ndaj atij modeli që heq nga vetja çdo lloj përgjegjësie për regresin që na ka kapluar. Ju, ishit ndër të paktët që besuat se Rama, meritonte një tjetër mundësi brenda PS-së edhe pse humbja në garën për kryetar bashkie e më pas në garën për kryeministër i bëri socialistët skeptikë ndaj tij. Ju ishit ndër të paktët që besuat te vizioni i majtë i mikut tuaj, edhe pse e njihnit mirë sa i majtë mund të ishte në bindje progresisti Rama. E njihnit mirë mikun tuaj, por nuk e menduat se pushteti e kthen bariun në despot, tolerancën në arrogancë dhe inferioritetin në ego. Ju jeni bashkë regjizorë i dramës për të cilën na flisni. Fakti që nuk mundët kurrë të merrnit një ministri nuk ju heq asnjë grimcë përgjegjësie. Propagandoni dhe e ngrini kauzën tuaj elektorale si një socialist që s’pati kurrë rol në vendimarrje. Kjo më lejon mua dhe këdo të dal në dy përfundime: 1. që ju keni qenë një deputet i dështuar në delegimin e zërit të atyre që ju kanë zgjedhur, 2. ju keni qenë bashkë arkitekt i karrierës së Ramës, por i pushuar prej detyrës kur miku juaj u kthye në despotin absolut brenda PS-së.
Jeni model i vjetër i nderuar shkrimtar, jeni retorikë e pastër politike e dështimit si deputet, ka shumë mundësi ta reflektoni në dështim si pretendent për kryeministër. Libra juaj është një bar i lirë provizor, një metodë monotone e degëzimit partiak, një metodë klasike e marrjes së karriges. Libra juaj nuk ka kauzë, nuk ka program, nuk ka vizion politik përsa kohë Blushi i ri e ngre programin politik, duke përbuzur Blushin e vjetër. Do ktheni shqiptarët që qeveria juaj dëboi? Do punësoni ata që qeveria juaj la mes katër rrugëve? Do shkoni në fshatrat që vetë latë në harresë? Do u jepni dorën atyre që varfëria i dorëzoi në depresion?
Jeni vetëm i nderuar shkrimtar, sepse vetëm ishit kur i dhatë mbështetje absolute atij që sot po gropos vendin me skizofreninë dhe paaftësinë për të qeverisur. Libra juaj është një kërpudhë shiu, dhe ju, një tjetër intelektual i çmuar që humbet dhimbshëm në skëterrën e një karriere mediokre politike.

Po vazhdoj me ju, i nderuar strateg

Ju që aplikuat në Shqipëri teorinë e famshme të shkencës politike, “teorinë e votuesit të mesëm”, ju që ringritët vetëm mbi profilin tuaj politik një parti që thithi elektoratin e pavendosur, ata që kërkojnë të gjejnë ngushëllim tek një pol i tretë. Ju që bëtë të parin degëzim të së majtës. Ju që me mendim, lëvizje dhe aksion strategjik ia dolët të jeni përherë firma e fundit e koalicionit qeveritar. Patët një rritje eksponenciale si një pol i tretë, i mbushët stadiumet lokale me të rinj që brohorasin me energjinë e moshës logon dhe emrin tuaj.
Diçka nuk kam mundur ende të dëgjoj: cili është profili i partisë, cili është programi juaj? Çfarë ofroni ndryshe, cilat reforma mbështesni, kë kundërshtoni, kë përkrahni, me cilin ndani të njëjtin vizion politik? Unë s’kam qenë kurrë anëtare e forumit tuaj rinor, por më kujtohet mirë kur në vitet e gjimnazit bashkëmoshatarë të mi kishin një entuziazëm të pashpjegueshëm për të marrë pjesë në mbledhjet e forumeve rinore të LRI. Boshatisnin klasën, sepse u duhej të mbushnin sallën gjatë takimeve të rinisë. Shkonin, merrnin pjesë dhe vinin prej andej me zërat e çjerrë nga britmat e mitingut. Për njërën prej pyetjeve të mësipërme, mbaj mend të kem pyetur njëherë një miken time të nesërmen, pasi një ditë më parë kishte marrë pjesë në një miting të LRI në Vlorë:
Pse e mbështet LSI-në, – e pyeta, – çfarë ka në plan për ty si studente, çfarë të ofron ndryshe?
Më pëlqen, – m’u përgjigj, – jemi të gjithë të rinj, – s’di program ekzakt, por di që është partia e të rinjve.
Ju duhet ta dini mirë arsyen e asaj përgjigjeje, i nderuar strateg, sepse ju e dini mirë se të rinjve tuaj kurrë nuk u keni folur për një program për të rinj. Ajo që po bëni quhet krim i pandëshkueshëm nga humanët dhe rregullat e drejtësisë, por krim i ndëshkueshëm nga koha. Ju s’mund të keni program, sepse bizneset nuk kanë program, dhe partia juaj e tillë është. Jeni negociator politik ekselent, kalkulues i saktë i lëvizjeve politike dhe fitimtar në diplomacinë e brendshme. Jeni një vlerë më vete në dimensionin individual, por një flluskë sapuni në dimensionin partiak. Partinë e keni mekanizëm, një mekanizëm që po deformon edukimin akademik të të rinjve e po i bën të besojnë se karriera nuk njeh moshë, përgatitje apo aftësi.
Në këtë prag zgjedhjesh jeni në një betejë të dyfishtë: luftë ndaj Ramës, luftë për elektoratin.
Të dytën e dini mirë si ta fitoni: me pak investim, pak kuptueshmëri për dëshirat e moshës, pa filozofi politike, pa program ekzakt për degët e ekonomisë. Fundi i fundit këto në metodën tuaj politike, s’janë në interes për të rinjtë.
Betejë e bukur është ajo e para, me ish-bashkëpunëtorin tuaj politik.
Ju i nderuar strateg, jeni makthi i ëmbël që e mbajti në ëndërr kryeministrin aktual. Ishte i qetë kur e kundërshtonin, ishte i qetë kur vendosi të bëjë shtet me një arrogancë skizofrenike, ishte i qetë kur groposte çdo ditë ekonominë, ishte i qetë kur varfëria ekstreme konkurrohej edhe me vjedhjen spektakolare të Bankës së Shtetit, ishte i qetë kur i zbraste shtëpitë e shqiptarëve, ishte i qetë kur e mendonte Parlamentin si oborr dinastie dhe fyente me një fjalor rruge çdo deputet, ishte i qetë edhe kur mbeturinat e listave partiake të 2013-ës i dolën rrugës në sipërfaqje. Ishte i qetë, sepse ju kishte ju, kishte votat tuaja, kishte mbështetjen tuaj. Sot, ju s’jeni i tiji dhe ai s’është i juaji. Ndoshta ai e di mirë kush është, por pyetja që shtroj është: Kush jeni ju, që me nje ftohtësi dhe qetësi të habitshme e nisni këtë fushatë elektorale sikur të kishit qenë opozitë? Kush jeni ju që uzurponi njëkohësisht mazhorancën dhe opozitën sipas vaktit? Kush jeni ju që me qetësi dhe dashuri rishfaqeni nëpër mitingje sërish si pol i tretë? Keni kohë që ndani mes jush karrigen e kryeministrit, keni kohë që po luani pisët me një elektorat të lodhur e të nëpërkëmbur. Investuat tek një qeveri që dështoi dhe kjo ju bën padyshim pjesë të dështimit.

Radha juaj i nderuar artist

S’ka shumë për të folur për ju. Jeni i konsumuar si politikan, si lider, si kryetar, si kryeministër. Gjithçka bëtë flet shumë më shumë se sa do të fliste një pikturë abstrakte juaja. Bëtë pakt me të ashtuquajturin kriminel, humbët rrugës miq besnikë, latë jashtë së majtës themeluesit e saj, çensuruat fjalën brenda partisë, tradhëtuat pa dashur investitorët e fushatës suaj të 2013-ës, rilindët një fantazmë dhe i morët jetën një partie të mirëfilltë. E kam thënë dhe e ripërsëris, ju s’jeni aty për karrierë, për pushtet apo për sukses, për të cilat lufton çdo politikan, edhe ai më demokrati, më bashkëkohori, më profesionisti. Ju jeni aty, sepse ju duhet të fitoni një betejë me veten, ju kundër botës, ju kundër vetes. Andaj e majta nuk ka kryetar, përsa kohë lideri i saj nuk njeh kauzë të së majtës.
Bukur e keni menduar këtë radhë: përgjegjësia e dështimit i takon LSI-së. S’është habi. Të mbash përgjegjësinë e dështimit do të thotë të menaxhosh kënaqësinë e suksesit. Ju kurrë nuk patët sukses, ndoshta kjo nuk ju bën me faj që s’mund të mbani përgjegjësi.

Artikulli paraprakPS fushatë me bandat në Pukë dhe në Lezhë
Artikulli tjetërFaqja e pare