Bosnja me 4 projekte, Serbia 2, Shqipëria asnjë projekt

Në Samitin e Triestes u prezantuan shtatë projektet e reja të ndërlidhjes me bashkëfinancim, vlera e të cilave përllogaritet të jetë 538.5 milionë euro. Nga të 7 projektet, 6 prej tyre janë në transport dhe vetëm 1 në sektorin e energjetikës. Nga këto, Serbia do të jetë përfituese e dy granteve që do t’i jepen për realizimin e një projekti në sektorin e energjetikës dhe një projekti në sektorin e transportit. Numrin më të lartë të projekteve e ka Bosnjë dhe Hercegovina, e cila do të mbështetet me grante për katër projekte në transport. Ndërsa Mali i Zi do të mbështetet në financimin e vetëm një projekti. Shqipëria dhe Kosova nuk kanë paraqitur asnjë projekt. Projekti i energjetikës, ku përfitues i grantit është Serbia, përllogaritet që do të ketë një kosto prej 88.5 milionë eurosh, nga të cilat rreth 49.5 milionë do të financohet me grantet e BE-së apo rreth 59% dhe do të hapen 250 vende të reja pune gjatë periudhës së ndërtimit, operimit dhe mirëmbajtjes. Në projektet infrastrukturore, Bashkimi Europian do të financojë 30% të kostove të projektit. Bosnja, e cila ka katër projekte në transport, kryesisht për ndërtimin e korridoreve lidhës, do të përfitojë katër grante me vlerë 46.1 milionë euro për projekte me vlerë totale investimi 241 milionë euro.

Zona ekonomike rajonale e rajonit

Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ka publikuar planin vjetor të veprimit për zonën rajonale ekonomike të Ballkanit Perëndimor. Plani i veprimit është përgatitur me kërkesë të kryeministrave për të arritur një qasje bashkëpunimi të mëtejshëm ekonomik nën kontekstin e Procesit të Berlinit dhe Samitit të Triestes. Ky plan veprimi buron nga angazhimet e ndërmarra brenda kornizave të marrëveshjes së CEFTA dhe Strategjisë për Europën Juglindore dhe do të bazohet në rregullat dhe parimet e CEFTA-s dhe BE-së, të reflektuara dhe në Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit. Plani do të mbështetet në katër shtyllat kryesore të Zonës Rajonale Ekonomike që janë: tregtia, investimet, lëvizshmëria dhe integrimi.

Tregtia

Qëllimi është që të transformohet rajoni në një zonë ku të mirat, shërbimet dhe krahu i punës lëviz i lirë, pa vendosur tarifa, kuota apo kufizime dhe të tjera barriera të panevojshme, ku tregtia do të lehtësohet edhe më shumë se sa përcaktojnë rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, me qëllim njohjen e dokumentacionit në kufi. Do të vazhdohen të monitorohen të gjitha masat jotarifore në rajon dhe për këtë do të hartohet një raport vjetor, ku do të paraqiten të gjitha pengesat e hasura nga bizneset. Zona ekonomike rajonale do të jetë pjesë e Zonës Panmesdhetare, të barabartë me palët e tjera kontraktuese.

Investimet

Harmonizimi rajonal i mëtejshëm i politikave të investimeve do të sjellë nxitjen ekonomike të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke nxitur punësimin dhe konvergjencën midis tyre. Nxitja ekonomike do të vijë prej reformës së axhendës së investimeve në vendet e Ballkanit Perëndimor. Heqja e barrierave në investimet rajonale ofron mundësinë e ekonomisë së shkallës, diversifikim gjeografik i bizneseve dhe mbi të gjitha një shpërndarje më të mirë të burimeve brenda një tregu rajonal, duke integruar kështu bizneset e rajonit në zinxhirët ndërkombëtarë të vlerës. Vendet e rajonit do të zhvillojnë një platformë të përbashkët të investimeve. Do të promovojnë dhe do të punojnë së bashku për paraqitjen e rajonit si një destinacion të shëndoshë për investime.

Lëvizshmëria

Në mënyrë për të vendosur dhe për të ruajtur konkurrueshmërinë ndërkombëtare, mbajtja dhe zëvendësimi i kapitalit intelektual njerëzor është thellësisht i rëndësishëm për zhvillimin e ekonomive në Ballkanin Perëndimor. Në një ekonomi në rritje, shkalla e rritjes së lëvizshmërisë të krahut të punës së kualifikuar në rajon dhe BE është një çështje me rëndësi të madhe. Axhenda për lëvizjen do të hartohet në bashkëpunim me industrinë, ku do të përfshihen sektorët e përfaqësuar nga BP6; transferimi i teknologjisë dhe krijimi i start-up; strategjitë e specializimit; si dhe bashkëpunimi rajonal për arsimimin e inxhinierëve dhe shkencëtarëve të rinj.

Integrimi dixhital

Transformimi dixhital po ndryshon mënyrën se si ne komunikojmë, mësojmë, punojmë dhe jetojmë. Ka ndryshuar mënyra se si bëjmë biznes dhe ndërveprojmë me autoritetet e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Përdorimi i teknologjive dixhitale mund të sjellë përfitime të mëdha për sa i përket shpejtësisë, transparencës dhe efikasitetit përgjatë kufijve në sektorë të ndryshëm. Sipas Axhendës Dixhitale, WB6 do të mbështesë një qasje rajonale për të nxitur bashkëpunimin ndërqeveritar në çështjet dixhitale dhe lehtësimin e integrimit brenda Tregut të Vetëm Dixhital Europian. Për këtë qëllim, axhenda dixhitale synon: zhvillimin e infrastrukturës dixhitale dhe përmirësimin e lidhjes rajonale; Politikat e harmonizuara të spektrit; Politikat e koordinuara të roaming-ut drejt një rajoni pa roaming; Siguri më e madhe kibernetike, mbrojtjen e të dhënave; Bashkëpunimi në politikat që stimulojnë ekonominë e të dhënave; Avancimin aftësive dixhitale dhe dixhitalizimin e përshpejtuar dhe marrjen e teknologjive të zgjuara në rajonin tonë.

Artikulli paraprakNë Kosovë shtëpitë me hipoteka mbeten stok
Artikulli tjetërTirana rekord për rritjen e taksave