Pasiguria ushqimore, “vrasësi” i heshtur

Blerina HOXHA

Tek Uzina Dinamo pranë zonës së Medresesë në Tiranë, ndodhet një nga pikat më të mëdha të shitjes me pakicë dhe shumicë të frutave dhe perimeve. Kushtet në të cilat tregtohet nuk janë dinjitoze as për një vend afrikan, por megjithatë ky treg sot është furnitori kryesor i kryeqytetit me perime, pasi shet me pakicë për qytetarët, por edhe me shumicë për dyqanet më të vogla. E nisëm me këtë treg, pasi ka një histori të veçantë. Prishja e tij në vitin 2014, përbën një nga precedentët e paktë kur politika e të gjitha krahëve u bashkua në një vendimmarrje. Bashkia e Tiranës, në vitin 2013 kur drejtohej nga Lulzim Basha, lëshoi urdhër për prishjen e tregut, i cili në atë kohë ishte nga më të mirët në Tiranë, i mbuluar, i rrethuar mirë, me çezma me ujë të rrjedhshëm, me tualete të posaçme, i shtruar me pllaka etj. Tregtarët dolën në protestë kundër vendimit, por Bashkia e Tiranës në atë kohë mori mbështetjen e qeverisë, pasi forcat e rendit dhe ato të INUK-ut ndihmuan Policinë Bashkiake që tregu të prishej përfundimisht. Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo, tha në atë kohë se tregu po prishej, pasi zona ishte e ndotur nga prania e cianurit pranë tregut. Siç u pa më vonë, tregu u prish me forcë për të populluar magazinat e reja që ishin ndërtuar në autostradën Tiranë–Durrës, poshtë mbikalimit të Kamzës. Sot, tre vite më vonë, tregtarët dhe tregu i Uzinës Dinamo janë po aty dhe shesin në kushte tejet të papranueshme, mes inerteve dhe mbeturinave në mes të një katrahure ku shiten edhe rroba të përdorura. Ky është një shembull se si siguria ushqimore u përdor si fasadë për prishjen e tregut dhe për interesa krejt të tjera.
Në kushtet kur krizat politike nuk i lënë radhë njëra–tjetrës dhe kostot e të bërit biznes janë rritur përballë një konsumi të dobët, siguria ushqimore cenohet e para thotë Alban Zusi, sot biznesmen në sektorin e agropërpunimit dhe më herët ka qenë zëvendësministër i Bujqësisë me fokus edhe sigurinë ushqimore. Ai thotë se, siguria ushqimore e vendit është thuajse e zbuluar nga ana institucionale dhe momentalisht është vetëm në ndërgjegjen e bizneseve. Nga ana tjetër, janë shumë institucione që monitorojnë sigurinë, nuk kanë bashkërendim, burime njerëzore dhe kapacitete të mjaftueshme monetare për të përballuar kontrollet dhe monitorimin e cilësisë së ushqimit. Hysni Gurra, inxhinier agrar, ekspert i fushës tha se, “ne duhet të kuptojmë rrezikun sesi funksionet normale të trupit tonë, po dëmtohen nga kimikatet inxhinierike, të cilat po shkaktojnë një gamë të gjerë problemesh shëndetësorë si: obeziteti, diabeti, kanceri, sëmundjet kardiovaskulare, infertiliteti dhe çrregullime të tjera seksuale. Të gjitha këto nuk të vrasin në një ditë, por është e sigurt që të vrasin”. Sipas të dhënave nga QSUT, Shërbimi i Infektologjisë menaxhon mesatarisht 20 000 raste në vit, prej të cilave 18 mijë raste janë urgjenca. Kryesisht rastet e urgjencës paraqesin helmime nga ushqimet. Burimet nga QSUT pranojnë se rastet kur pacientët helmohen nga konsumi i ushqimeve janë rritur, për shkak të tendencës për të konsumuar vakte jashtë shtëpisë. Këto të dhëna reflektojnë pasojat afatshkurtra të pasigurisë ushqimore, por në afate më të gjata, situata lajmërohet dramatike. Ministria e Shëndetësisë pohon si shkaktare të sëmundshmërisë në masën 70% dietën ushqimore. Prevalenca e kancerit në dekadën e fundit është rritur me 70%, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik. Profesor Kristaq Sinaj, pedagog i Bioteknologjisë, tha se nga të dhënat e literaturës shkencore referohet se vetëm rreth 5% e sëmundjeve kanceroze kanë origjinë gjenetike. Ai shpjegon se, pjesa dërmuese e sëmundjeve kanceroze nuk janë të trashëguara, por shfaqen gjatë jetës së njeriut nga kontakti i tij me mjedisin e jashtëm. Ai shtoi se, problematika me kancerin e gjirit, prostatës, kancerit vaginal, kancerit të zorrës së trashë, stomakut, mëlçisë, pankreasit, etj., lidhet më së shumti me konsumin e produkteve ushqimore të trajtuara me hormone dhe pesticide. Fatura më e rëndë nga mungesa e standardeve të sigurisë ushqimore lidhet me të drejtën për të jetuar që është e drejta më bazike, por nuk është e vetmja. Ekonomia e vendit po dëmtohet rëndë nga ky fakt. Bllokimi i eksporteve për shkak të mungesës së standardeve të sigurisë ushqimore po penalizon bujqit shqiptarë, më së paku 100 milionë euro në vit të ardhura nga eksportet. Alban Zusi pohon se, pavarësisht se në Shqipëri ka ferma serioze blegtorale që respektojnë standardet e sigurisë, ato janë të penalizuara në eksport, pasi prodhimet shqiptare nuk ofrojnë siguri ose më e pakta nuk e vërtetojnë dot sigurinë që ofrojnë. Mungesa e standardeve në sigurinë ushqimore krijon edhe një deformim të thellë në konkurrencën e ndershme, pasi produktet e manipuluara dalin në treg me kosto më të ulët, duke konkurruar në mënyrë jo të ndershme edhe në bizneset serioze.

Fermat, jashtë fokusit të kontrolleve për pesticidet

Fermerët në Krutje të Lushnjës i spërkasin bimët e serës një ditë po e një ditë jo me pesticide. Ambulanca shkon në fshat gati përditë, duke transportuar fshatarët që shpesh helmohen, duke mjekuar bimët me pesticide. Ata na pohojnë se, nuk kanë rrugë tjetër. Pesticidet janë të skaduara dhe kontrabandë në të shumtën e rasteve dhe si të tilla nuk është se e bëjnë punën mirë. Ata bëjnë spërkatje 15-16 herë për një kulturë në serë nga dy-tre herë që pranojnë protokollet e trajtimit të bimëve. Perimet e serës janë të mbytura me kimikate. Ish-zëvendësministri i Bujqësisë, Alban Zusi, thotë se fermerët shqiptarë nuk e respektojnë protokollin e trajtimit të bimës dhe nuk kanë një regjistër për këtë qëllim. Zusi thotë se, rregulli e do që fermerët të mbajnë një regjistër ku të kenë të shënuar mjekimin e bimëve. Drejtoritë e Bujqësisë duhet të kontrollojnë regjistrat, por ato nuk e kryejnë këtë funksion. Aktualisht, vetëm këshillojnë. Institucione të tjera që kontrollojnë në këtë aspekt nuk ka. Ndaj pesticidet dhe hormonet përdoren për fruta dhe perime pa asnjë kontroll. Ekspertët japin alarmin se, pesticidet që përdorin fermerët shqiptarë në vetvete nuk kanë standard dhe se, shpesh ka disa syresh që futen kontrabandë në vendin tonë dhe që nuk lejohen të përdoren në ato të BE-së.

Hormonet, një aspekt tjetër i rrezikshëm

Një burrë në moshë pensioni nga malësia e Kukësit, vitin e kaluar shkoi për diagnozë në Britaninë e Madhe, pasi për një periudhë disajavore masa trupore iu trefishua. Mjekët i thanë se trupi i tij ishte në efektin e hormonit Boldemec, i cili përdoret për shëndoshjen e kafshëve. I moshuari është kujtuar se pak javë para se të shëndoshej, kishte konsumuar një viç nga atë të shtëpisë së tij. Plaku e kishte injektuar në qafë të viçit hormonin Boldemec, por viçi nuk ishte shëndoshur. Më pas, ai kishte ndryshuar planin, duke e therrur bagëtinë dhe më pas e ka konsumuar me familjen shumë shpejt, pasi i kishte bërë gjilpërën. Tani i moshuari do të vuajë pasojat e mbipeshës deri në fund të jetës së tij për shkak të këtij veprimi. Bioteknologu Sinaj thotë se, në vendet ku lejohet përdorimi i hormoneve për rritjen e prodhimit të qumështit dhe mishit, ka norma të caktuara të mbetjeve të tyre. Por, nga njëra anë, saktësia dhe ndjeshmëria e analizave për sasitë e vogla të hormoneve dhe nga ana tjetër, pasiguria në nivelin e ndikimit hormonal, kanë lënë shumë për të dëshiruar. Këto janë dy arsyet ku bazohet vendimi i BE-së për ndalimin e përdorimit të tyre dhe importit të mishit hormonal. Nga ana tjetër, sado e vogël qoftë mbetja e hormoneve të përdorura në mish apo në qumësht, ajo mund t’i shtohet sasisë së hormoneve që natyrshëm i ka çdo njeri. Dhe efekti mund të jetë i ngjashëm me rastin e rrëkesë që derdhet vetëm nga një pikë ujë e shtuar në gotën apo fuçinë e mbushur plot. Kjo është edhe arsyeja e tretë e vendimit të BE-së. Ai tha se në Shqipëri, jo vetëm që importohet mish hormonal, por hormonet tregtohen dhe përdoren lirisht nga blegtorët. Ai këshillon se, “fatmirësisht nuk përdoren kudo, prandaj në mënyrë urgjente duhet etiketimi dhe nuk është vonë për të reaguar ndaj përdorimit të tyre. Hormonet e përdorura te gjedhët, nuk përdoren te pulat dhe derrat, sepse nuk sjellin përfitim ekonomik, kurse antibiotikët përdoren te të tre llojet, për të njëjtat arsye të përfitimit nëpërmjet shtimit të rritjes”.

Fatura për eksportet

Siguria ushqimore është një nga barrierat më të mëdha tregtare për eksportet shqiptare. Alban Zusi me veprimtari në sektorin e agropërpunimit, shpjegon se eksportet nuk po diversifikohen për shkak të mungesës së standardeve të sigurisë ushqimore. “Kemi mbetur tek eksportet e perimeve, peshkut, bimëve mjekësore”. Në momentin që do të kemi sistem sigurie ushqimor publik, do të ketë diversifikim dhe dyfishim të eksporteve. Zusi parashikon se siguria ushqimore e pranuar nga BE diversifikon dhe rrit menjëherë eksportet me 100 milionë euro. Ai tha se Maqedonia, në një vit eksporton në Italinë e Veriut 500 mijë qengja, çka i ka rritur ndjeshëm të ardhurat për fermerët e vendit fqinjë. Shqipëria, edhe pse ka raca autoktone, nuk mund të eksportojë produkte blegtorale, pasi fermat tona nuk mbulohen me shërbime veterinare, nuk kanë standarde dhe çertifikata të cilësisë në këtë aspekt. Zusi thotë se, ligji detyron të gjitha thertoret të kenë çertifikata për mishin që tregtojnë, por asnjë nuk e zbaton këtë kriter të ligjit. Për më tepër nuk ka asnjë të penalizuar në këtë aspekt. Zusi vë në dukje se, mediat kanë zbardhur shumë raste me abuzime të rënda në sigurinë ushqimore, por nuk ka asnjë denoncim në organet e Prokurorisë për këto raste dhe nga ana tjetër, asnjë inspektor i AKU-së nuk është ndjekur penalisht se nuk e ka zbatuar ligjin për të cilin paguhet me taksat e shqiptarëve. Ai tha se sistemi i sigurisë në vend nuk funksionon dhe shëndeti i shqiptarëve është i cenuar rëndë. Zusi thotë se, nëse eksporti i produkteve blegtorale do të lejohej, ekonomia fermere do të përmirësohej dhe do të frenonte migracionin e brendshëm nga zonat rurale drejt qytetit dhe riekuilibron ekonomikisht zonat malore e kodrinore, pasi kryesisht këto të ardhura do të shkojnë drejt këtyre zonave. Më tej, ai shpjegoi se ekonomia do të orientohej nga përpunimi në industri të krahut të lirë të punës në industri të mirëfillta prodhuese. Nga ana tjetër, bizneset e qytetit, kryesisht ndërtuesit, kanë vërshuar të ndërtojnë ferma me kafshë dhe dhi apline në të gjithë vendin dhe në kushtet kur ende eksporti nuk lejohet, ato rrezikojnë falimentin.

Katrahura institucionale e përgjegjësive

Aktualisht, autoritetet kompetente përfshirë në menaxhimin e politikave të sigurisë ushqimore në Shqipëri dhe zbatimin e legjislacionit në këtë fushë janë: Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit, MBZHRAU, dhe institucionet nën varësinë e saj, kryesisht Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, Instituti i Sigurisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Drejtoritë Rajonale të Bujqësisë, Ministria e Shëndetësisë, pushteti vendor. Eksperti Gurra thotë se, institucionet janë, edhe kuadri ligjor deri diku është mjaft i mirë, por mungojnë burimet financiare, kapacitetet njerëzore (profesionistët) dhe ka me tepri korrupsion. Ai thotë se pushteti vendor, është absolutisht inekzistent në këtë aspekt. Inspektorët e bashkive, agronomët, veterinerët, momentalisht lënë shumë për të dëshiruar nga ana profesionale dhe kanë prirje për korrupsion, shtoi ai. Alban Zusi pohon se, institucionet që me ligj garantojnë sigurinë ushqimore, aktualisht nuk e kontrollojnë as fizikisht territorin në aspektin e sigurisë ushqimore për shkak të kapaciteteve të kufizuara të burimeve njerëzore dhe financiare. Ai thotë se, institucionet që ofrojnë sigurinë ushqimore duhet të grumbullohen në një ombrellë dhe të fuqizohen nga aspekti i infrastrukturës në mënyrë që abuzimet të frenohen. Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit dhe Autoriteti Kombëtar i Ushqimit nuk iu përgjigjën kërkesës së “Monitor” për këtë çështje.

Artikulli paraprak“The Economist”: Ballkani Perëndimor kaotik merr një kthesë të papritur
Artikulli tjetërNë prag fushate, 400 tendera me vlerë miliona euro u financuan nga qeveria