Në prag fushate, 400 tendera me vlerë miliona euro u financuan nga qeveria

Bilanci i qeverisë Rama në katër vite nuk shënon asnjë investim të qenësishëm në asnjë prej sektorëve publikë. Por me afrimin e fushatës zgjedhore, qeveria ka nisur që në muajt e parë të këtij viti të lëvrojë shuma të mëdha parash që kapin vlerën e miliona eurove. Por sa efekt do të kenë këto projekte në sektorët që në katër vite u rrënuan tërësisht për shkak të mungesës së investimeve dhe keqadministrimit të tyre. Sektori arsimor, ai i shëndetësisë, infrastrukturës, mjedisit, energjisë etj., janë në ditët më të këqija. Përdorimi i fondeve për investime nga buxheti i shtetit është përshpejtuar në tremujorin e parë të këtij viti, teksa shihet se shuma e disbursuar është së paku 40% më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Në janar-prill u përdorën për projektet e investimeve 10.2 miliardë lekë nga 7.2 miliardë vitin e kaluar. Kjo shumë, sipas të dhënave nga Ministria e Financave, është e shpërndarë në afërsisht 400 zëra dhe projekte, ku dominon përgjithësisht financimi me vlera të vogla. Projekti më i financiar është një zë shpronësimesh, prej 1,3 miliardë lekësh ose rreth 10 milionë euro që është përdorur si kompensim për ndërtimin e infrastrukturës energjetike, sipas të dhënave nga Ministria e Financave. I dyti në radhë për sa i përket financimit vjen projekti i rrugës, Qukës-Qafë Plloqë që ka marrë nga buxheti i shtetit për tre muajt e parë një financim prej 941 milionë lekësh ose 6.8 milionë euro. Projekti i tretë për financimet është ndërtimi i segmentit rrugor Tiranë–Elbasan, me 480 milionë lekë ose 3.3 milionë euro. Më tej, financimet më të mëdha janë marrë nga projekti i furnizimit me ujë të qyteteve të Durrësit dhe Kavajës dhe impianti i prodhimit të energjisë nga mbetjet në Tiranë, inceneratori i Elbasanit etj. Nga gama e financimit të projekteve prioritetet janë zhvendosur nga ndërtimi i rrugëve në investime në sektorin e energjisë, ujit dhe përpunimit të mbetjeve. Ministria e Transportit raportoi se nëpërmjet Autoritetit Rrugor Shqiptar ka ndërtuar vitin e kaluar 19.4 kilometra rrugë, nga të cilat 13.7 kilometër i takojnë financimit të jashtëm dhe 5.7 kilometër financimit të brendshëm. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Transportit, me financim të brendshëm janë ndërtuar 5.7 kilometër me një kosto 4.3 miliardë lekë. Kostoja e ndërtimit me fonde të brendshme ishte 767 milionë lekë ose 5,6 milionë euro për kilometër. Shihet se kostoja nga financimi i huaj ka qenë shumë më e ulët. Sipas të dhënave nga Ministria e Transportit, gjatë vitit 2016 janë ndërtuar nga financimet e huaja 13.6 kilometër kundrejt financimit 3,3 miliardë lekë. Përllogaritjet tregojnë së një kilometër rrugë e financuar nga fondet e huaja është vetëm 1.7 mln euro.

Situata në nivelin vendor

Në prag të zgjedhjeve parlamentare, bashkitë e Ramës po kujdesen të zhvasin sa më shumë para përmes shpalljes së tenderave që i kalojnë 100 milionë lekë secili. Sipas të dhënave të nxjerra nga Open Data rezulton se në vetëm një muaj, përgjatë muajit prill, nga bashkitë e majta janë shpallur 10 tendera, vlera e të cilave shkon në mbi 15 miliardë lekë. Kjo sasi e madhe tenderash prej miliarda parash vilet në një kohë kur vendi do të shkojë në zgjedhje parlamentare duke u përgatitur kështu për blerjen masive të votave, traditë tashmë kjo e partisë në pushtet. Nga data 1 e muajit prill, ndër 61 bashki janë shpallur 10 tendera me vlera mbi 100 milionë lekë. Asnjëri tender ndër bashki të djathta.

Afera e laboratorëve, do i paguajmë analizat katër herë më shtrenjtë

Koncesioni i laboratorëve shtetërorë do të rrisë ndjeshëm koston e këtij shërbimi për buxhetin e shtetit, që në finale paguhet nga qytetarët. Të dhënat zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë se vitin e kaluar qeveria shqiptare shpenzoi në total 320 milionë lekë ose 2.4 milionë euro për të financuar shërbimin shtetëror të laboratorëve. Por me kalimin tek koncesionari privat, kostoja vjetore që do të paguajë buxheti për këtë shërbim do të katërfishohet. Sipas marrëveshjes koncesionare,  koncesionari privat do të përfitojë 1.3 miliardë lekë në vit për 10 vitet e ardhshme për të ofruar shërbimin e analizave në laboratorët publikë, në një kohë që shteti e financon këtë shërbim sot me vetëm 320 milionë lekë. Ekspertët që kanë njohuri për sistemin shëndetësor thonë se rritja kaq e madhe e kostos është e pajustifikuar. Privati që u përzgjodh për koncesionin nuk ka nevojë të kryejë investime të mëdha. Ai do të përdorë ambientet publike, një pjesë e mirë e të cilave janë të pajisur me pajisjet më moderne, pasi gjatë viteve të fundit buxheti i shtetit ka investuar miliona euro në laboratorët publikë. Me një infrastukturë thuajse tërësisht të ngritur nga paratë publike, privatizimi i shërbimit laboratorik do të rezultojë vetëm një transferim fitimesh të majme tek privati në kurriz të buxhetit dhe qytetarëve.

Artikulli paraprakPasiguria ushqimore, “vrasësi” i heshtur
Artikulli tjetërMedia e Trump: Ndërhyrja amerikane frenon aleatin e Sorosit