Paralajmërimi i vrasjeve të opozitës dhe vrasja e Azemit

Alfons GRISHAJ

Gjithë këto vite kam dëgjuar gjëra të bukura për Azemin, por dhe gjëra që vijnë prej hamendjeve dhe dashakeqësisë…
Azemin, e njoha prej miqve të mi studentë shkodranë: Arben Broci, Arben Ibro, Arben Okaj, Shinasi Rama, Mond Bushati, Kolec Ndoja, Tefalin Malshyti, Arben Lika etj. Më pas, ne u bëmë miq.
Ditët e para të lirisë ishin të shpejta. Duhej të ecje me hapin e kohës ose humbisje shansin e shumëpritur. Në ndërgjegjen tonë nuk kishte plus minuse, por vetëm një gjë: Lufta për liri dhe rrëzimi i komunizmit.
Azemi nuk ishte vetëm. Ai kishte me qindra shokë studentë. Mbase disa kishin dalur në protesta para Azemit, për të kërkuar ndryshimin e kushteve të jetesës miserable në konvikte, që më vonë u kthyen në kërkesa politike. Muaj më parë, Shkodra dhe Kavaja, kishin shpërthyer në protesta duke frymëzuar “banorët” e Qytetit “Studenti” dhe mbarë Shqipërinë. Si pasojë pati arrestime dhe dënime. Dy apo tre studentë nga Shkodra me në krye, Arben Lika (më patën shpjeguar se) shkuan tek godina e Azemit dhe i bënë thirrje që t’i bashkohej grupit protestues. Po cila ishte arsyeja që shkodranët e ftuan Azem Hajdarin të bashkohej me ta, se Azemi qe me “inteligjencë të cunguar”, apo ai ishte një trim dhe njihej si shpresë anti-komuniste?!
Në atë kohë, të dilje kundër komunizmit nuk ishte e lehtë, duhej guxim dhe vetmohim, cilësi që inteligjenca i ka nganjëherë të pamjaftueshme. Pastaj, sikur të flasim për inteligjencën e viteve të komunizmit, e kam thënë dhe më parë, ajo inteligjencë që doli nga bankat e shkollës së komunizmit, ishte në mjerim si nga idetë dhe përgatitja, tekste të varfëra katramahi, kërkesa e deri tek mësimdhënia. Jo se intelektualët e asaj kohe ishin leshko, por se mënyja marksiste-leniniste atë ushqim servirte. Tani, na shfaqen ca “super-intelektualë” të dalë po nga ato banka, me ca studime sipërfaqësore, që gjykojnë figurat tona historike që nga Skënderbeu e deri tek Azemi dhe më pas Zotin…! Hëm, i pasforcuar më duhet të them, sikur sorrën ta ngjyrosësh si pavodë, krrakëllitjen të njëjtë e ka!
E keqja nuk është tek mendimi i lirë, as tek gjykimi shterpë i personit, por e institucioneve dhe gazetave me zë që i bëjnë jehonë fodullëkut dhe inkompetencës. Kam dëshirë që të shoh opinione të thyera logjike që i paraprijnë progresit, por jo opinione të stisura sintetike që përbëjnë në vetvete artificialen, meskinitetin dhe inkompetencën.
Azemi, ishte një djalë i thjeshtë me zemër të madhe. Asnjëherë ai nuk u hoq ai që nuk ishte. Në ditët e para të lirisë, ai qe shprehur disa herë me të qeshur: “Unë jam Kryetar se, në takimin me Ramizin, ai më tha, ti je Kryetari i këtyre studentëve… Po ai nuk ka të drejtë të na diktojë ne që kemi dalë kundër tij. Tjetra, si mund të dal para Marshallit (Dr. Berisha) dhe Dr. Pashkos, ata janë intelektualë të kompletuar, janë profesorat e mi…” Sinqeriteti i tij ishte nganjëherë gati fëminor, kurse i kundërshtarëve të tij, kafshëror! Gjatë atyre ditëve u propozua kandidatura e tij për deputet në Shkodër. Lagjia e Kirasit, një lagje anti-komuniste, që në ditët e para e kërkonte me ngulm kandidaturën e Azemit, ashtu si fshatrat e Shkodrës, Kolec Ndojën. Azemi erdhi tek unë dhe më pyeti: “A mundem unë me përfaqësu Shkodrën e madhe, të njerëzve të mëdhenj si, Gurakuqi, Pashko Vasa etj., apo kam me u ba qesharak?!” Unë e qetësova dhe fola fjalët e mia. Një nga shokët e mi me një mllef që nuk e di prej nga i erdh më tha në vesh: “Mos e afro këtë karaduzë Bajram Curri, se ka Shkodra boll njerëz të ditun me udhëheq Europën!” Ula kokën, duke i shpjeguar që nuk ishte koha për pasion… Miku im i ngushtë, “Pishtari i Demokracisë” Kolec Ndoja, dhe “Pishtari i Demokracisë” Eduard Grishaj, dhe disa miq të tjerë, ardhjen e Azemit, e konceptuan si nevojë që përkonte me shpirtin demokrat shkodran. Kandidatura e tij u pranua jo me dëshirë të madhe nga disa shokë tanë.
Po çfarë ndodhi më vonë? Kandidaturë e ardhur ishte dhe Blerim Çela, intelektual dhe patriot. Por, lufta e PP-së, nuk u bë kundër tij, as kundër kandidaturave të buta. P.P. u fokusua kundër Azem Hajdarit, Ali Spahisë dhe Pjetër Arbnorit. Disa misionarë të PP-së, erdhën të “negocionin” me ne për të larguar Ali Spahinë, me arsyetimin se kandidimi i tij, ishte një “turp”, gjoja ngaqë Spahia, qe një ish i dënuar ordiner dhe si i tillë ai do humbiste. Po kaq kontradiktorë dhe fëminore ishin mendimet dhe propozimet e tyre sa dhe sot me vjen për të qeshur. Ishte “për të mirën tonë” që të largonim tri figurat kryesore dhe t’i lëshonim vendin intelektualëve “poliedrik” marksistë-leninistë siç ishte Lisien Bashkurti etj?! Kështu pra, donin të na ndihmonin “dashamirësit tanë” komunistë, të na e zbardhnin faqen para popullit të Shkodrës. Nuk ka rëndësi çfarë u fol aty, por ne u përgjigjëm: “Do i fitojmë të gjitha zonat në Shkodër…” Për njërin prej tyre, z. Ali Laçej, kisha respekt, por ai ishte në krahun e gabuar.
Dashuria e PP-së për Alinë Spahinë, u mbyll shpejt. Kurse për Pjetrin dhe Azemin, vazhdoi më tej. Kundër Azemit erdhën disa fletushka që ishin shpërndarë derë më derë në Kiras. Gjoja në një “raport mjekësor” përpiluar nga PP-ja, shkruhej se Azemi ishte psikopat, hajdut, kontrabandist etj. Po a mund të shkruhen gjitha këto në një epikrizë përcjellëse, se ky tip përkufizimi i ngjan më tepër një akt-akuze se sa terminologjisë së raportit mjekësor?! Komenti është i tepërt …
Kundër Pjetrit, u shfrytëzuan deklarimet e një prifti të nderuar (mik i imi dhe i vëllait tim), i cili deri sa u ballafaquan me njëri-tjetrin nuk pushoi luftën kundër tij. Me priftin u bashkuan dhe disa demokratë parazitë që nuk e dinin derën e PD-së, por më vonë, pasi ikëm ne, u bënë “heronj” dhe tashmë e kanë katandisur PD-në në kuota të mjerueshme elektorale…
Pse shqetësohej kaq shumë Partia e Punës për kandidaturën e Azem Hajdarit, dhe donte me çdo mënyrë të degradonte figurën e tij? Sikur të ishte njeri dosido, i pagdhendur, PP-ja do gëzohej se do fitonte kandidati i tyre. Përse Partia e Punës, qe kundër Ali Spahisë dhe Pjetër Arbnorit? Figura nga më të nderuarat në Shkodër. Thua PP, e donte kaq fort PD-në e Shkodrës… ?! Jo, o tungjatjeta! Porse komunistët përdornin shprehjen e romakëve të vjetër: “Divide et impera”, dhe se Pjetri, Azemi, Alia dhe shokët e tyre përbënin simbiozën e ndryshimit rrënjësor të një sistemi të kalbur diktatorial. Azemi, përfaqësonte shpirtin e lirë të rinisë, kurse Pjetri dhe Alia, disidencën, ëndrrën e lirisë.
Pasi PP-së, nuk i bëri punë kjo propaganda shterpë, filluan kërcënimet…Na u desh dy herë të ndërronim vendin e mitingjeve tona se donin të vrisnin Pjetër Arbnorin. Kështu na informoi shefi i policisë së asaj kohe, Dilaver Papare…
Pas mitingut në Bajzë, Azemin dhe kandidatin Dodë Kaçaj komunistët i kërcënuan me vdekje. Azemi, sulmoi ashpër Ramiz Alinë, kurse Doda, ngriti lart figurat e patriotëve nacionalistë të vrarë nga diktatura komuniste. Gjatë asaj kohe u kërcënuan shumë nga ne, biles na u bënë dhe atentate, ku qëllimi i ekzekutimit mbulohej me propagandë ordinere…!!! Ngjarja e 2 Prillit, vulosi krimin shtetëror komunist…
Azemit, iu bënë disa tentativa ekzekutimi deri në vrasjen e tij. Njëri, ai më flagranti u bë në mjediset e Parlamentit. Të tjerat, një pjesë e opinionit i di, një pjesë tjetër i ka injoruar…Përmua, vrasja e Azemit, nuk qe e papritur. Ai qe shprehur disa herë në prezencën time. Njëherë më tha: “Kanë me më vra! Nëse vdekja jeme ka me i shërby çështjes, Shqipnisë dhe demokracisë ja kam ba hallall, se burrat vdesin njiherë! Po nëse vdekja jeme ka me shku kot, do m’kish ardh keq”. Pasi mbaroi sentencën, treti sytë diku midis dy botëve si njeriu që parandjen largimin… Po ashtu, miku im Arben Broci, e pat parandjerë vrasjen e tij, duke u shprehur disa herë midis nesh, pothuajse me të njëjtin fjalor …Një natë apo dy para vrasjes, Arbeni , i kish treguar një ëndërr të tmerrshme nënës Lije (…), që u bë realitet. Pas disa viteve, nënë Lija, kish parë tek varri i të birit, vrasësin me Kuran në dorë, i cili kish qenë polic brenda KPP. Ish-polici i qe përgjëruar Lijes, ta falte, se ai nuk kish dashur ta vriste të birin, por e kishin urdhëruar … Pas përgjërimit, vrasësi qe zhdukur pa gjurmë…
Dy ditë para se ta vrisnin, ai qe në Shkodër në një aktivitet të Unionit Anti-Komunist.
(Azemi ish-anëtar i Kryesisë së Unionit…) Si drejtues i Unionit, kisha planifikuar dhe një “takim” më të ngrohtë në Restorant “Hamami” në lagjen Xhabie, një ndërtesë rreth katërqind vjeçare për nder të miqve nga Tirana. Në shpurën e tij, kishte me vete dhe Brutin …U përqafuam me Azemin, dhe nuk mendoja se ai do ishte takimi i fundit në këtë botë. Unë u nisa për gjueti në Grishaj. Lajmin e kobshëm ma solli djali i xhaxhait Artan Grishaj.
Nëse vrasja e Arbenit, më kish prekur thellë në shpirt, vrasja e Azemit, më preku në ndërgjegjen e burrit që nuk e ka për asgjë sakrificën sublime… Bëra ca telefonata patriotëve antikomunistë që të mblidheshim në Tiranë, për t’i dhënë lamtumirën mikut tonë. Atë natë, sëbashku me një grup antikomunistësh patriotë mbërritëm në kryeqytet. Nga darka shkuam në redaksinë e “Gazetës 55” që drejtohej nga Fahri Balliu, i cili ishte njeri i penës, por dhe pjesëmarrës aktiv në luftën antikomuniste dhe mbeturinave të regjimit. Fariu m’u lut që të shkoja tek shtëpia e tij, por ne ishim shumë, prandaj pranuam që ta gdhinim në atë ndërtesë që për ne ishte bërë simbol.
Më pas ndodhi ajo që pritej…
Dr. Berisha dhe pse një burrë shteti, nuk qe i vendosur ta mbante pushtetin.Sikur ai do e bënte një gjë të tillë çdo gjë do të ndryshonte përgjithmonë. E kuptova Dr.Berishën, kishte presion të jashtëm shumë të madh. Prishja me Amerikën, ia kishte lidhur disi këmbët…Më vonë, një diplomat i huaj, D.E. me pat thënë: “Ishte një shans i madh për ndryshimin e historisë, por mund të përfundonte me një lum gjaku…” Mbase këtë të fundit pati parasysh dhe Berisha…
Sot, më duhet të publikoj një gjë që nuk e kam publikuar më parë, por e kemi konsumuar me Organizmat Ndërkombëtare… Vrasësi i Azemit, u arrestua në Shkodër (para se të arrestohej përfundimisht), nga P. Ç. (dëshmia e tij para nesh dhe OSBE), Shef i Krimeve të Shkodrës. Pas arrestimit, po atë natë ai u mor me mikrobuzin e Policisë së Tiranës (gjoja për siguri), për çudinë tonë, të P.Ç., OSBE dhe Monitoruesve të KE, vrasësi që kërkohej më këmbë të kalit, u pa të nesërmen i lirë, duke shëtitur nëpër Tiranë… Hoë about that! Pse e liroi vrasësin Qeveria e Tiranës, që kërkohej me ngulm nga Organizmat Ndërkombëtare, Parlamenti Europian dhe SHBA?! Kjo nuk don përgjigje as koment se i ka brenda të gjitha …
Pas kësaj, presioni i Organizmave Ndërkombëtarë u bë shumë më i ashpër, sa detyruan qeverinë e Tiranës të arrestonin përsëri ekzekutorin dhe shokët e tij. Sikur të mos ishin OSBE, Monitorët e KE dhe presioni ndërkombëtar, vrasësit e Azemit do të ishin akoma të lirë dhe sot. Shpresoj, kjo është e mjaft për stisësit shpirtëligj e diletantë që tymosin propagandë të ndyrë për të ushqyer sëmundjen e rrezikshme mikro gazetareske: “Mania e Vëmendjes”. Ndonjë mjeran thotë, “Azemin e vranë për gjakmarrje” dhe se gjykatat për këtë kanë dënuar filanin dhe fistekun. Shpirtligësia dhe helmi i urrejtjes nuk mund të mbulojë të vërtetën. E vërteta ka fuqinë të çjerrë çdo prapamendim sado i sofistikuar të jetë, të ndriçojë arsyen analitike, të pastrojë oksidimin e gotës së metaltë dhe të shpërbëjë opiumin e servirur. Ky turp ndodh vetëm me palo-analistët shqiptarë. Kush është ai burrë që thotë se, unë e vrava filanin për politikë dhe se me shtyu ky apo ai?! E para, ai që vret për politikë dhe e pranon një gjë të tillë nuk hyn në “gjak” thjesht me një familje, me krimin e tij ai hyn në luftë me mbarë shoqërinë, kështuqë vrasësi e ka më të lehtë të thotë se e vrava për çështje personale dhe jo për politikë. E dyta, në raste të tilla, dekonspirimi ka një kosto fatale, ku në momente pendimi dhe sqarimi përfundon me eliminimin e të penduarit nga klani. Në botë, ka qindra shembuj…
Gjithashtu , akuza se: “Berisha dhe Pollo kanë vrarë Azem Hajdarin”, është një gënjeshtër e turpshme. Dhe nëse shpifësit e kësaj “gjëme” kanë thënë ndonjëherë ndonjë të vërtetë në jetën e tyre, me këtë shpikje trashnike nuk i beson më askush, biles as jeniçerët me shpata të ndryshkura.
Trimëria dhe intuita e Azemit, buronin nga trashigimi genetike, nga hija e kreshtave të Tropojës. Fryma anti-komuniste, referimi në kulturën shkodrane, uji i Selitës dhe shpirti i PD, e bëri atë një lider të kompletuar. Ai kurrë nuk u bë rob i falsitetit dhe i portofoleve ministrore që vinin e shkonin pa lënë asnjë gjurmë. Azemi erdhi si frymëzim dhe mbeti hero popullor. Nuk po zgjatem në fotosintezën e asaj kohe dhe të mërzis lexuesin me kujtimet e mia për Azemin dhe demokratë të tjerë që jetojnë dhe nuk jetojnë më, por dua të theksoj tri gjëra:
1-Bustet, nuk janë objekte që bëjnë hije në errësirë, por dritë për breznitë dhe historinë.
2- Sakrifikimi për liri është akti më sublim i njeriut, prandaj quhet heroizëm. Në raste të tilla, përpjekja për të degraduar heronjtë nuk është asgjë tjetër, vetëm vetëpaditje e degjenerimit amorf.
3-Opinioni i stisur sintetik është artificial, dhe si i tillë nuk mund të jetë jetësor e jo më të merret si mendim apo fakt!
(Fund!) Dikur, Shandorf Petef shkruajti: “Për dashurinë do të jepja jetën, kurse për lirinë do e falja dashurinë”. Azemi jonë, e bëri këtë sakrificë.

Artikulli paraprakShoqëria që do të duhet të kishim
Artikulli tjetërDc-Leaks zbardh planin Soros: Godit vlerat dhe sponsorizo axhendën LGBT