Shoqëria që do të duhet të kishim

Bruna ISMAILI

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se po kalojmë një situatë të vështirë sociale, por mbi të gjitha shoqërore. Po jetojmë në një shoqëri në të cilën nuk shohim harmoni, qëndrueshmëri, vijimësi, e për më tepër siguri për të ardhmen. Jetojmë në shoqëri ku para se gjithash kemi mungesë të theksuar vetëbesimi si edhe besimi mbi njerëzit që na rrethojnë. Si dilet nga kjo situatë dhe çfarë duhet të kërkojmë nga vetja?
Ajo që duhet kërkuar është moralizimi i shoqërisë shqiptare, ndërgjegjësimin e saj, fuqizimin e virtytit shoqëror, evidentimin e njerëzve të ndershëm dhe për së mbari që gjenden të abandonuar nga pjesa më e madhe e shoqërisë, e cila rend pas materies dhe përfitimit afatshkurtër dhe jo pas virtytit, shpirtit, ndjenjave, fakt i cili shpjegon qartë realitetin aspak pozitiv në të cilin jetojmë. Hapi i parë për të ndryshuar këtë realitet, është njohja e vetvetes, pranimi me kurajo i aftësive dhe paaftësive tona. Ndergjegjësimin për to pa ndier brerje. Vetëm pranimi i tyre i hap rrugë zgjidhjes së problemeve tona si dhe zhvillimit të tyre në mënyrën më të mirë të mundshme.
Aftësitë, të cilat ne i posedojmë, duhet të luftojmë për t’i promovuar, ndërsa dobësitë duhet të përpiqemi t’i korrigjojmë dhe t’i përmirësojmë, sepse në këtë mënyrë do t’i jepnim shoqërisë lëndën e parë të nevojshme për t’u zhvilluar. Ky hap kërkon kurajo, guxim, vrasjen e frikës prej opinionit shoqëror, daljen nga komplekset, veset negative, duke përqafuar dlirësinë. Hapi i dytë, të njohim të tjerët, njerëzit me të cilët rrethohemi.
Eshtë tepër e rëndësishme të krijojmë aftësinë për të dalluar njeriun e mirë, njeriun e sinqertë. Të dallojmë gënjeshtarin, sepse besoj se nuk ka gjë më të turpshme sesa të lejojmë veten të gënjehemi nga të tillë. Duhet të tregohemi më të vëmendshëm që kjo të mos ndodh. Pra, të perfeksionojmë aftësinë për të dalluar njeriun e fjalëve vetëm, nga atë të punës dhe premtimeve të mbajtura. Ajo që duhet të bëjmë, është që të kërkojmë me insistim që njerëz të tillë, burra dhe gra të zotë, profesionist, njerëz që kanë investuar vite në arsimim, kulturë dhe profesion me qëllimin për të kontribuar në zhvillimin e shoqërisë, të vlerësohen, të mbështeten, të ndihmohen dhe të promovohen.
Ne duhet t’u largojmë atyre pengesat nga të paaftët dhe të padrejtët, duke ua lehtësuar rrugën drejtë pozicioneve që ata meritojnë, sepse vetëm aftësia e tyre garanton zhvillimin e shoqërisë, për pasojë edhe të përmirësimit të jetësës tonë individuale. Pra, është imediate nga ana jonë të bëjmë çdo përpjekje për t’i ngritur këta individë në nivelin që u takon, sepse do të jenë këta individë, të cilët më pas do të bëhen hallkat e garantimit të rendit shoqëror në Shqipëri. Eshtë detyra jonë të krijojmë një klasë të tillë, duke i bërë bashkë individët më cilësorë që kjo shoqëri prodhon, klasë, e cila do t’i jepte shpresë shërimit të plagëve të vendit.
Po ashtu, është në ndërgjegjjen tonë që të trajtojmë me urgjencë moralizimin e administrimit të shtetit, luftës ndaj abuzimit me pushtetin, vjedhjes dhe grabitjes së pasurive publike, dhunimit të lirive dhe të drejtave më themelore të individit, duke mos lejuar që në krye të shtetit të qëndrojnë apo të vendosen drejtues të paaftë dhe abuzues, të cilët si detyrë duhet të kenë, thjeshtë e vetëm shkëmbimin e të mirave të qytetarëve shqiptarë.
Detyra jonë është të mbrojmë shtetin nga lakmitarët, nga individët që kërkojnë të përmbysin rendin kushtetues. Kush nga ne sot nuk e kupton apo nuk e pranon se po kalojmë një periudhë të vështirë, që vjen nga grumbullimi i pamatë i pasurive te disa njerëz dhe varfërimi i tejskajshëm i gjithë të tjerëve? Cili nga ne nuk e vë re se ndodhemi përballë një situate të deformuar, ku shteti nuk është më në funksionin tonë, por vetëm në funksion të një pushteti, atij pushteti, i cili po i imponohet shtetasve në mënyrë jokushtetuese?
Cilit nga ne nuk i bie në sy ofrimi një preteksti manipulativ me idenë e mbrojtjes së shtetasve nga gjoja 27 vite tranzicion, duke gjetur kështu një shkak, për të shkallmuar atë pak demokraci që është ndërtuar në këto pak vite, me qëllimin e vetëm për të instaluar kështu në arbitraritet të plotë, pushtetin personal? Cili nga ne e mohon faktin se po ushtrohet një presion i madh, duke falsifikuar të dhënat, duke manipuluar të vërtetën, realitetin, duke censuruar dhe vënë nën kontroll mediat si edhe sektorin privat?
Stopimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut? Sundimin me dekrete dhe ligje të sjella me procedurë të përshpejtuar, pa diskutim publik? Shtypjen dhe eliminimin e kundërshtarëve politikë, me të gjitha mjetet dhe format e mundshme, duke i shpallur tradhtarë apo shitës të interesave kombëtare? Zvogëlimin e ndikimit të partive politike kundërshtare në nivel sa më të mjerueshëm? Favorizimin e vetëm të një partie politike, e cila duhet ta sundojë vendin në afat sa më të gjatë, duke shkelur edhe normat kushtetuese dhe ligjore? Trajtimin e pasurisë së shtetit si pronë private, ndërsa qytetarët si shërbëtorë të tij personal?
Shpalljen e sa më shumë armiqve të brendshëm dhe të jashtëm, për të shpërqendruar vëmendjen e opinionit publik? Promovimin e vetëm të një udhëheqësi si dhe sundimin e tij përmes kontrabandës dhe krimit të organizuar? Besoj se duhet të jenë të paktë. Atëherë për të shpëtuar veten, vendin dhe të ardhmen tonë në këto momente të vështira, duhet të përbuzim antivlerat, të përqafojmë dhe promovojmë vlerat, të cilat gjenden brenda nesh, si edhe brenda njerëzve që na rrethojnë, duke i hapur rrugë një të ardhmeje të mbarë.

 

Artikulli paraprakOrtakë në biznese të ndërtimit dhe jo vetëm, vëllai i kryeministrit Edi Rama dhe ortaku i ngushtë i familjes së tyre, Gazmend Demi kanë bërë hapin e radhës në bashkëpunimin e tyre për aferat e radhës korruptive. Vëllai i kryeministrit Edi Rama, Olsi, flitet që do të jetë drejtori i ri i Përgjithshëm i skuadrës së “Partizanit”. Ka qenë gazetarja e TVSH-së, e cila ka deklaruar në Rubrikën Sportive, se Demi i ka propozuar postin e drejtorit të Përgjithshëm, Olsi Ramës, ky i fundit gjithashtu njihet si dhe tifoz i zjarrtë i ekipit të kuq. Ndërkohë që emrin e Olsi Ramës dhe miqësisë së tij me Gaz Demin e kemi dëgjuar shpesh falë akuzave të në media, por edhe të ish-kryeministrit Sali Berisha. Ata janë përfolur vazhdimisht në afera e vjedhje me shitjen e ndeshjeve të Partizanit, por nga ana tjetër edhe në ushtrimin e presionit të tyre për të përfituar prona publike nën e emrin e klubit sportiv me qëllim më pas kalimin e kësaj pronësie në biznes të mirëfilltë për ndërtimin e komplekseve të pallateve. Por këto nuk janë të vetmet raste. Të dy, Olsi Rama dhe Gaz Demi në katër vitet e qeverisjes kanë zhvatur para nga buxheti i shtetit, duke qenë pas çdo tenderi me vlera të larta apo koncesione gjithashtu. Lidhja Demi-Rama është përfolur gjithashtu për afera të ndryshme korruptive. Ndërkohë që, Demi ishte një nga personat që i shkoi në shtëpi ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, një ditë para se të jepej vendimi në Komisionin e Mandateve, ku Prokuroria kishte dorëzuar kërkesën për arrestimin e tij.
Artikulli tjetërParalajmërimi i vrasjeve të opozitës dhe vrasja e Azemit