Nuk di apo nuk mundet qeveria?!

“Monitor”

Për mënyrën se si qeveria po përdor paratë e publikut është e lehtë të kuptosh se ajo nuk do t’i bëjë gjërat mirë.
Në ekonominë kombëtare, hyrjet e kapitalit janë të vogla, efektet e investimeve të mëdha të huaja po shterojnë dhe rritja vjetore është e varfër. Kjo gjendje e shfaqur prej kohësh duhet ta kishte rritur në kulm shqetësimin e qeverisë, nëse po e jep efektin e duhur dhe maksimal çdo qindarkë publike e shpenzuar nga buxheti.
Mirëpo në gati të gjitha projektet e rëndësishme publike, qeveria ka treguar mungesë të theksuar rigoroziteti financiar dhe përgjegjshmëri publike, megjithëse është kritikuar nga të gjitha anët nga institucionet ndërkombëtare më me peshë, me të cilat Shqipëria nuk ka vetëm marrëdhënie partneriteti, por edhe detyrime.
Një kritikë serioze lidhet me cilësinë e projekteve. Banka Botërore thotë se ato janë të paplota, ndërkohë që ndërhyrjet politike dhe mbikëqyrja e dobët po cenon leverdishmërinë e tyre.
Përdorimi i fondeve buxhetore po shkon në projekte që po zgjasin në kohë. Për këtë rast, Banka vëren se, megjithëse Shqipëria harxhon rreth 600 milionë euro në vit, vonesat përtej afateve po rrisin kostot sociale dhe ekonomike për qytetarët.
Për të paktën këto dy-tre arsye, Banka Botërore e ka kritikuar qeverinë për investime problematike.
Stil i spikatur i kësaj qeverie që prej mandatit të parë mbeten koncesionet. FMN ka thënë shumë herë se janë jotransparente dhe me efekte të dyshimta, nëse kanë leverdi për popullatën e gjerë. Edhe shpërblimi i koncesionarëve me para publike, nëse projektet nuk arrijnë leverdishmërinë, i demaskojnë që në fillim këto projekte si të pavlefshme për t’u mbajtur vetë në këmbë. Nga ana tjetër, po lindin borxhe, të cilat nuk po shprehen si detyrim në buxhet, por qëndrojnë të fshehura në vite.
Ditët e fundit, qeveria foli për ndërtimin e aeroportit të ri në Vlorë. Por, përtej leverdishmërisë së tij (lexo në brendësi të revistës) duhet të shqetësohemi se qeveria ka “pjellë” një procedurë gati ‘adhoc’, as tender e as koncesion që formula mbetet ende e fshehtë. Komisioni Europian dhe të gjitha institucionet e tjera mbështetëse të Shqipërisë i vlerësojnë projekte të tilla të ngjashme si të pambuluara me ligj dhe larg mbikëqyrjes. Pra gropa rreziku financiar.
Në raport-progresin e fundit, BE e detyron qeverinë që të vlerësojë rreziqet e punës së saj dhe deri tani i jep notë “të pamjaftueshme”.
Përderisa kritikat dhe këshillat janë të herëpashershme, intensive dhe serioze në të gjitha drejtimet, dhe qeveria nuk po shfaq shenja se po i korrigjon veprimet e saj, përkundrazi po thellohen më tej, tregon se nuk ka vullnet politik. Këto fakte e mbyllin shtegun e logjikës se ndoshta qeveria nuk mundet t’i bëjë gjërat më mirë se kaq.
Një qeveri që nuk tenton të ndryshojë në vijën e saj, edhe kur të gjithë e kritikojnë, dëshmon me këtë qëndrim se me paratë publike po luhet në prapaskenë e për qëllime që nuk janë të njëjta me të mirën e përbashkët dhe interesin publik.

Artikulli paraprakSpaho: Betejë e fortë opozitare në Parlament dhe në rrugë
Artikulli tjetërShkëlzen Berisha: Rama i ka lënë peng vëllanë kartelit të drogës