Shkëlzen Berisha: Rama i ka lënë peng vëllanë kartelit të drogës

– Zoti Berisha, jeni thirrur në Prokurori si një person që ka dijeni për çështjen e privatizimit të CEZ. Si e shikoni gjithë këtë rihapje të çështjes?
Kjo është një shashkë politike, e cila ka filluar si e tillë, ka filluar ditën kur Partia Demokratike, depozitoi në Parlament kërkesën për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të bërë transparencë për pazarin e Edi Ramës për largimin e CEZ nga Shqipëria. Sipas KLSH pazari i Edi Ramës me CEZ për largimin e këtij të fundit nga Shqipëria i kushtoi shqiptarëve plot 650 milionë euro. Pra Edi Rama për t’iu përgjigjur politikisht kërkesës së PD për transparencën e kësaj vjedhje epike, vendosi të ngrinte një komision hetimor parlamentar për privatizimin e OSSH. Siç e keni parë, përgjatë gjithë këtij komisioni ai dështoi me turp për të sjellë qoftë edhe një fakt të vetëm që më lidh mua, aktivitetin tim, të ardhurat e mia, kontaktet e mia, me privatizimin e OSSH. Kush e ka bërë kallëzimin në fjalë? Nuk e ka bërë asnjë prokuror, asnjë gjykatës, nuk e ka bërë as policia, as SHIK-u, as KLSH. Shkëlzen Berishën e ka kallëzuar penalisht Edi Rama dhe grupi parlamentar i PS. Kallëzim dhe kallëzues më politik se kaq nuk mund të gjesh.

– Zoti Berisha, gjatë kohës që zhvillohej komisioni hetimor parlamentar pikërisht për këtë çështje ka qarkulluar edhe një e-mail, ku Nuel Kalaj i kërkonte drejtuesve të CEZ në Pragë një takim me ju, sa i vërtetë është?
Ndonëse ky e-mail nuk është administruar kurrë në rrugë ligjore, pra kam të gjithë të drejtën të dyshoj në vërtetësinë e tij, në çdo daljen timen nga komisioni hetimor parlamentar kam deklaruar që ky takim nuk është kërkuar kurrë dhe nuk është zhvilluar kurrë. Pavarësisht kësaj, absurditeti më i madh i përdorimit të këtij e-mail-i si gjoja fakt për ndikimin tim gjatë procesit të privatizimit të OSSH qëndron në faktin që ky e-mail, ky premtim-takim mes dy njerëzve me të cilët unë nuk kam asnjë lidhje është bërë plot 9 muaj, pasi kishte përfunduar procesi i privatizimit të OSSH. Pra ky takim që nuk është bërë dhe nëse do të ishte bërë nuk do të kishte çfarë të ndikonte, pasi procesi do të ishte mbyllur që para 9 muajsh. Kjo provon që kjo është një akuzë e pastër politike, e pabazë dhe qesharake për mënyrën e ndërtimin logjik të saj.

– Në këndvështrimin tuaj si po e trajton Prokuroria këtë çështje?
Kemi dy Prokurori, Prokurorinë para kryeprokurorit dhe kryegjykatësit Edi Rama dhe Prokurorinë pas kryeprokurorit dhe kryegjykatësit Edi Rama. Prokuroria para kryeprokurorit Edi Rama megjithë presionin politik u detyrua ta pushojë këtë kallëzim, sepse e kishte të pamundur të ndiqte marrëzinë e Ramës që pretendonte se një premtim-takim që nuk ka ndodhur kurrë, edhe sikur të kishte ndodhur sot paska ndikuar diçka që është mbyllur para 9 muajsh. Me zgjedhjen kryeprokuror dhe kryegjykatës i Shqipërisë, Edi Rama e detyroi Prokurorinë të riaktivizonte edhe një herë kallëzimin në fjalë dhe të dërgonte një flluskë tjetër të re publike.
– Çfarë dëshmuat ju në Prokurori?
Kam shkuar në Prokurori dhe kam dëshmuar të njëjtat gjëra që kam thënë sa herë kam dalë nga komisioni hetimor parlamentar. Të ardhurat e mia, kontaktet e mia, aktiviteti im nuk ka asnjë lidhje me privatizimin e OSSH. Dhe kjo është fund e krye një shashkë politike.

– Pse mendoni se po përdoret kjo çështje e juaj politikisht?
Edi Rama ka nevojë për çfarëdo lloj shashke dhe bombe tymuese për të shpëtuar nga skandalet e njëpasnjëshme që po dalin, po kalbin dhe po qelbin vendin nga lidhjet e tij me krimin dhe me drogën. Edi Rama ka frikë. Pavarësisht se ai sot është kryeprokuror, pavarësisht se ai sot është kryegjykatës, pavarësisht se ai sot është kryeministër, ai ka frikë më shumë se kurrë më parë. Ka frikë, sepse e di që nuk do të mund ta mbyllë dot çështjen e vjedhjes së 650 milionë eurove me CEZ, me shashka dhe bomba tymuese. Sepse e di që nuk do të mund të shpëtojë dot nga koncesionet që u ka dhënë kompanive fantazmë, pas të cilave qëndrojnë ortakë të tij dhe me të cilët ai çdo ditë plaçkit qindra miliona euro nga taksat e shqiptarëve. Ka frikë, sepse e di që një ditë, që nuk do të jetë e largët, ai dhe bashkëshortja e tij do të detyrohet të bëjnë transparencën për sarajet, të japin llogari për sarajet dhe pallatet pa fatura si dhe për bankat me pronarë anonimë që përdoren dhe i kanë kthyer në lavatriçe parash të pista. Ka frikë, sepse e di që e pret fati i Tahirit. Tahiri u la peng makinën trafikantëve, që ata të ishin të paprekshëm, pra droga e tyre të mos kapej, pra ata të ishin të paprekshëm në drogën që trafikonin. Edi Rama më keq akoma u ka lënë peng vëllain që ta përdornin brenda makinës, me të cilët ata trafikonin drogë. Referohuni sistemit TIMS, janë bërë publike faktet. Olsi Rama, vëllai i kryeministrit, ka kaluar kufirin me të njëjtën makinë si Genci Xhixha, kapobanda e grupit të Xibrakës. I vetmi që me ndihmën e Edi Ramës ia doli t’i shpëtonte drejtësisë dhe të zhdukej në drejtim të paditur. Rama ka frikë sepse e di që nuk asnjë shashkë apo bombë tymuese që do ta shpëtojë atë dhe marionetat e tij nga përballja me drejtësinë. Kriminelët me të cilët ai ka bashkëpunuar në dhjetëra krime dhe afera të pista kanë dalë jashtë shishes dhe nuk ka më Zot që i fut brenda.

Artikulli paraprakNuk di apo nuk mundet qeveria?!
Artikulli tjetër16 problemet që mund të zgjidhë hapja e Negociatave me BE