Një shoqëri në depresion, vetëvrasjet tre herë më të larta se vrasjet

Opinioni publik në vendin tonë është mësuar të konsiderojë vdekje nga vrasjet rastet kur personat marrin jetën e njëri-tjetrit, por pakkujt ia merrte mendja se numri i vetëvrasjeve është trefish më i lartë se numri i vrasjeve.
Për vitin 2016, sipas të dhënave të INSTAT, personat e vrarë nga të tjerët ishin 85 gjithsej, ndërsa personat që kishin vrarë veten në të njëjtin vit ishin 235.
Vendet e tjera në Europë kur raportojnë statistikat e krimeve njoftojnë si numrin e vrasjeve dhe atë të vetëvrasjeve, por në Shqipëri nuk ekziston kjo praktikë. Treguesit u zbardhën në mënyrë indirekte kur INSTAT raportoi një ditë më parë shkaqet e vdekjeve në Shqipëri.
Ministria e Brendshme raporton vetëm vrasjet që për vitin 2016 ishin rreth 80 të tilla (5 më pak se INSTAT), por për vetëvrasjet nuk ka burim të dhënash. Deri më 2010 INSTAT i publikonte statistikat e vetëvrasjeve te shkaqet e vdekjeve në publikimin vjetor femra-meshkuj, por kjo e dhënë pushoi së raportuari deri dje kur INSTAT rinisi publikimin.
Organizata Botërore e Shëndetit pohoi se numri i vetëvrasjeve në Shqipëri ishte 5.3 për 100 mijë banorë më 2015.
Në Serbi, Rumani dhe Bosnjë ky numër është më i lartë edhe për shkak të traumave që kanë lënë luftërat e pas viteve 1990 në shumicën e këtyre vendeve.
Sipas portalit më të madh global mbi statistikat e shëndetit, “Healthdata” në vendin tonë, niveli i vdekshmërisë nga çrregullimet mendore dhe të sjelljes në vitin 2010 ishte 5.3 për 100,000 banorë te meshkujt dhe 2.3 për 100,000 banorë te femrat. Te të dy gjinitë niveli i vdekjeve nga këto çrregullime u rrit gradualisht nga viti 1990 më 2010, sidomos te meshkujt, sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik.

Artikulli paraprakNBG do të shesë degët e saj në Ballkan
Artikulli tjetërFushata elektorale ndikoi negativisht tek rritja ekonomike