NBG do të shesë degët e saj në Ballkan

Huadhënësi i dytë më i madh i Greqisë, Banka Kombëtare greke (NBG) do të shesë pjesën më të madhe të aseteve në Ballkan, duke përfshirë operacionet e saj rumune, për të përfunduar një plan ristrukturimi, për të cilin është rënë dakord me autoritetet evropiane, ka pohuar shefi ekzekutiv i saj të martën, raporton “Reuters”.
“Ne jemi shumë afër njoftimit të blerësit për Banca Romaneasca”, tha CEO i bankës, Leonidas Fragiadakis, për “Reuters”, në një intervistë. “Shitja do të përfundojë në muajt e ardhshëm dhe do të ndikojë në rritjen e likuiditetit të bankës”.
Ai tha se Credit Suisse e ka këshilluar grupin për shitjen.
Përveç Romaneasca, Fragiadakis tha se NBG do të shesë bankat më të vogla në Serbi, Shqipëri dhe Qipro, si pjesë e angazhimeve për të cilat është rënë dakord me rregullatorët.
“Më shumë se 90 për qind e ristrukturimit tonë ka përfunduar. Këto operacione përbëjnë një pjesë shumë të vogël të angazhimeve në kuadër të planit”, tha ai, duke shtuar se proceset e shitjes ishin duke u zhvilluar.
Kjo do i japë bankës një përmirësim të treguesve të kapitalit, përpara se të zhvillohet raundi i parë i testeve të stresit nga Banka Qendrore Europiane vitin e ardhshëm. NBG do të përqendrohet ndërkohë në tregun e saj të brendshëm.

NBG në Shqipëri

Në Shqipëri, filiali i NBG kishte asete prej 41 miliardë lekësh në fund të tremujorit të parë, sipas statistikave të Shoqatës së Bankave, duke u renditur e nënta në sistem dhe duke përbërë gati 3% të totalit të aktiveve. Banka kishte një stok kredie prej rreth 29 miliardë lekësh apo gati 5% të kredisë së dhënë nga sistemi bankar shqiptar. Banka raportoi një fitim prej 100 milionë lekësh në tremujorin e parë të vitit.
Deri në vitin 2009, NBG ishte shumë aktive në kredidhënie. Në fund të vitit 2009, banka zinte 5% të totalit të aktiveve dhe 8.3% të stokut të kredisë, po sipas të dhënave nga Shoqata e Bankave. Më pas, me fillimin e krizës financiare globale, që u shoqërua me rritjen e kredive me probleme në Shqipëri dhe sidomos pas krizës së sistemit bankar në Greqi, aktiviteti i bankave me kapital grek në Shqipëri u tkurr.

Artikulli paraprakBasha-OSBE: Vdekje klinike e zgjedhjeve më 25 qershor
Artikulli tjetërNjë shoqëri në depresion, vetëvrasjet tre herë më të larta se vrasjet