Ndërtues urash në një Evropë të përçarë

Robert Schwartz

Ishte sikur t’i bije pragut që të dëgjonte dera, pak para një katastrofe të mundshme në periferinë perëndimore të Evropës. Pa e përmendur konkretisht referendumin në prag në Britaninë e Madhe, Presidenti gjerman Joachim Gauck kundërshtoi në një deklarim impresionues çdo formë nacionalizmi dhe izolimi. Do të ishte “absurde dhe shkatërrimtare”, tha Gauck, “sikur njëri kufi i madh përmes Evropës, të cilin para një çerek shekulli e kapërcyem fatmirësisht së bashku, të zëvendësohej tani prej shumë kufijve të rinj.”
Gauck foli pa bërë zikzake për “ofensivën e çuditshme dhe tepër të rrezikshme të emocioneve negative”, ndaj të cilave është e ekspozuar sot Evropa. Kësaj gjendjeje të eksituar, tha Presidenti i Gjermanisë, i jep rrugë vetëm arsyeja. Dhe prandaj nevojitet para së gjitash “pasion për arsyen”.

Një Evropë e partnerëve të barabartë

Që Joachim Gauck zgjodhi pikërisht Bukureshtin, në periferinë lindore të Bashkimit Evropian për të ritheksuar qëndrimin e tij proevropian, interpretohet prej mikpritësve rumunë si një shenjë e qartë, që Presidenti gjerman e vështron edhe Rumaninë dhe shtetet e tjera anëtare të BE si partnerë plotësisht të barabaratë në Evropën e përbashkët. “Askush nuk duhet të ketë përshtypjen, se në Evropë ka ustallarë dhe çirakë” – kjo fjali e tij u regjistrua me kënaqësi të madhe në të gjitha shtetet e reja anëtare të BE.
Kur Gauck flet për një pjesëmarrje me të drejta të barabarta në zhvillimin e BE, për të drejta, por edhe detyrime të shteteve anëtare, kjo tingëllon bindëse. Para së gjithash edhe sepse kredoja e tij mbështetet jo në fjalë politike. I lirë nga kornizat ideologjike, Presidenti gjerman foli hapur për pikëpamjet e ndryshme madje edhe kontradiktore, për frikërat dhe për zhgënjimet e evropianëve. Por ai kujtoi herë pas here shanset e panumërta, të cilat janë krijuar me procesin e bashkimit evropian. Dhe me sa duket, duke pasur parasysh gjendjen e tensionuar gjeopolitike në Evropën Lindore, Gauck foli në formë paralajmëruese: paqja në Evropë nuk është gjë e vetëkuptueshme. Dhe kuptimi dhe synimi i BE është që ta ruajë në mënyrë të vazhdueshme pikërisht këtë paqe. Jo vetëm për spektatorët në sallë, fjalimi i Gauckut tingëlloi si një deklaratë përmbyllëse e fundit e madhe për Evropën, pak para një shpërbërjeje eventuale të bashkësisë. Për Gauckun vetë ishte me siguri nja nga shanset e tij të fundit si President i Gjermanisë, që me forcën e fjalëve të tij të hedhë ura nga një periferi e kontinentit të përfshirë nga krizat, në tjetrën.

oachim Gauck, i besueshmi

Hedhja e urave ishte motoja e udhëtimit të tij në Rumani, që u dëgjua herë pas here: në bisedë me Presidentin rumun Klaus Iohannis në Bukuresht dhe në qytetin e tij të lindjes Sibiu / Hermannstadt, një qendër e minoritetit gjerman në Rumani. Ose në takime me politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me qytetarë të thjeshtë duke shëtitur në qendrën mesjetare të Hermannstadt-it.
Joachim Gauck konsiderohet në Rumani si simbol i luftës kundër diktaturës komuniste në ish-RDGJ dhe për rivlerësimin e së kaluarës të sigurimit të shtetit Stasi. Historia e tij impresionuese dhe perspektiva e krijuar në përvojë me diktaturën ishin në Bukuresht përzierja e duhur, me të cilën Gauck mundi ta mbrojë besueshëm BE si bashkësi vlerash. Evropa e tronditur nga kriza do të kishte nevojë edhe për disa mendje të tjera të formatit të tij.

Artikulli paraprakPolicia e Elbasanit si model paafësie
Artikulli tjetërVija e kuqe e Brukselit